Tri varre të krushqve gjenden në komunën e Prizrenit. Ato gjenden në Zojz, Piranë dhe në Romajë të Hasit.
Agim Ndroqi, një burrë mbi të 90-at, lidhur me varret e krushqve në Piranë ka treguar një ngjarje të dhimbshme. Ai kishte dëgjuar këtë histori nga i ati Hakiu, ku ishin vrarë mbi 200 krushkë, e pastaj në fund edhe nuset u detyruan të vriteshin. Ai shton se para se të vdisnin kishin lënë amanet që aty të ndërtohej një kishë shqiptare. Në këtë vend ka një lokacion që quhet “Arat e paskishës”.
Në Piranë ka pak njohuri për varret e krushqve, kurse ajo në Romajë të Hasit është më e njohur. Në këtë vend dinë se në kohën e Rankoviqit janë prishur ato varre. Profesor dr. Nexhat Çoçaj shprehet se në fshatin Romajë të Hasit thuhet se ishin takuar krushqit dhe u vranë deri tek nuset që i kishin varret e ndara nga krushqit.
“Pleqtë tregojnë se kur janë prishur ato varre ka pasur eshtra dhe ajo që ende flitet në këtë fshat ishin varret e nuseve”, është shprehur ai. Tani mbi ato varre është ndërtuar një shkollë.
Sot krushqit thyejnë rrugën
Çoçaj thotë se nuk dihet me saktësi nëse legjenda ka lidhje me të vërtetën, pasi këto kërkojnë kohë më të gjatë investigimi dhe punë shkencore, por ajo që është thënë, është se kishte ndodhur që në atë zonë, një ditë të bukur, dy karvanë dasmorësh që çonin nuset për në shtëpinë e dhëndrit janë përballur dhe asnjëra palë nuk tërhiqej prapa. Sipas tij, askush nuk donte të hapte rrugë, gjë që solli një tragjedi dhe i ktheu dy dasma në dy varreza të mëdha. Varret e nuseve deri në prishje kanë shërbyer edhe si varre të mira si varre, ku vendoseshin edhe ndonjë nezër për dashuri që nusja ta dojë familjen. Ishte si rregull se para këtyre gurëve të vendosej ndonjë dhuratë e vogël ku kalimtarët nevojtarë edhe mund ta merrnin. Pleq të këtij fshati tregojnë se kjo ishte edhe arsyeja që dasmat bëheshin me marrëveshje të fshatit dhe të fshatrave fqinje, dhe assesi nuk kanë dashur që krushqit të takoheshin mes vete. Bile edhe sot e kësaj dite, tregon Çoçaj, krushqit jo vetëm në Has, por kudo e thyejnë rrugën, pasi ka mbetur traditë e vjetër që thyerja rrugës së krushqve ishte respekt për palën tjetër që të mos të takoheshin.
Fëmijët nuk lejoheshin që të shkonin krushqi
Dy janë ritualet, përkushtimet dhe nderi që u bëhen të vdekurve. Ritualit me nderime me gurë të mëdhenj pa përshkrime dhe ritualet me përshkrime. Është shumë i rëndësishëm përshkrimi që hasim në këta dy ekzemplarë të gurëve, yjet, bërthama, shenja të origjinës, lindja, brezi dhe kthimi në tokë, në bërthamën prej nga edhe kemi dalë. Në të dy gurët e varrezave thuhet se ishin shenjat dhe simbolet që kufizoheshin në lutje. Ritualet e varrimit në këtë kohë shënojnë pikën më të lartë të respektit ndaj anëtarëve të atij gazmendi siç ishte dasma. Sipas Çoçajt, atëherë nuk lejohej që krushk të shkonin fëmijët, por vetëm ata që ishin të zotët e pushkës.
Njohës i arkeologjisë dhe i kulturës së vjetër ballkanike, Shafi Gashi, shprehet se varret e Romajës dhe zbulimi i këtyre varreve të vjetra ishte pjesë e historisë së gjithë Hasit dhe Përdrinisë.
“Të vdekurit duhej të jenë varrosur bashkë me veshjet e tyre, pasi aty u patën gjetur copa cohe, përmes së cilave shkonte gjilpëra e një fibule. Çdo varr kishte edhe ndonjë pjesë bronzi, unaze, apo ndonjë gjësendi”, është shprehur ai.
Shton se besimi tek këto varre ishte si një mit dhe si një legjendë. Ai thotë se banorët kurrë mbi këto varre nuk donin assesi të ngrisnin ndonjë shtëpi apo ndonjë objekt tjetër.
“Romajasit e patën respektuar këtë pjesë të tokës si diçka të shenjtë, Ngase ato vorre mendonim se ishin të shenjta”, xha Dini.
Ai tregon se varret e krushqve kanë histori me shumë dhimbje.
“Tani saherë në fshatra shkojnë për të marrë nuse e thyejnë rrugën e kjo tregon se sa shumë respekt kanë njerëzit për njeri-tjetrin”, tregon ai.
Në ato varre edhe sot e kësaj dite gjuhen monedha dhe gratë ndezin qirinj.
“Të vdekurit duhej të jenë varrosur bashkë me veshjet e tyre, pasi aty u patën gjetur copa cohe, përmes të cilave shkonte gjilpëra e një fibule. Çdo varr kishte edhe ndonjë pjesë bronzi, unaze, apo ndonjë gjësendi”, është shprehur Shafi Gashi. /Kosova Sot/