Komuna e Prizrenit të dielën është liruar nga masa e karantinës. Megjithëkëtë shqetësimi për rritjen e numrit të personave të infektuar me koronavirus mbetet i pranishëm.
Autoritetet lokale të dielën kanë theksuar se janë në pritje të masave të reja të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim të menaxhimit më efikas të gjendjes së emergjencës shëndetësore në këtë komunë.
Drejtori i Shëndetësisë, njëherësh koordinatori i Shtabit emergjent komunal, Visar Shehu ka bërë të ditur se nga e diela, Prizreni nuk është më ‘zonë karantinë’, por se priten masa të tjera nga MSh-ja që synojnë parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.
“Jemi në kontakt me MSh-në. Presim që MSh-ja të hënën të marrë një vendim lidhur me masat e tjera”, ka thënë Shehu. Njëherësh ka përkujtuar se heqja e masës së karantinës nuk nënkupton edhe heqjen e orarit të kufizimit të lëvizjes, bazuar në numrat e parafundit të letërnjoftimit, që sipas tij, vazhdon që të aplikohet, raporton KOHA.
ka theksuar se deri të dielën në mesditë në këtë komunë janë identifikuar 78 persona të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 16 janë shëruar dhe 2 kanë vdekur, derisa 60 raste mbeten të hapura.
Ai ka pranuar se kjo komunë ka numër të konsiderueshëm të infektuarve. Por, sipas tij, ekziston brenga se në javën e fundit burimi dhe përhapja e infeksionit ka qenë reparti i hemodializës në Spitalin rajonal të Prizrenit.
Gjithë personat që kanë rezultuar pozitivë në 10-ditëshin e fundit, burimin e infeksionit e kanë nga reparti i hemodializës”, ka deklaruar Shehu. Sipas tij, një tjetër shqetësim ka qenë se një punonjëse shëndetësore e këtij reparti që është e infektuar, nuk e ka respektuar masën e izolimit, pasi që është parë në qytet.
“Ekipi i shërbimit urgjent ka komunikuar me Policinë, dhe Policia e Kosovës në këtë rast ka ndërmarrë masa”, është shprehur Shehu, duke bërë thirrje që secili individ t’i respektojë vendimet e organeve shtetërore.