12.8 C
Prizren
E martë, 14 Maj, 2024

Prizreni ‘Joking’

Nuhi Salihu gazetarShkruan: Nuhi SALIHU

Zhvillimet e fundit në Prizren pas dhënies së verdiktit të gjykatës për dënim me kusht të kryetarit Muja dhe 5 ish zyrtarëve të lartë komunalë, kanë zgjuar shumë reagime, polemika, por edhe protesta të një grupi të të rinjve aktivë që po përkrahet nga opozita, një pjesë e shoqërisë civile dhe nga ana e qytetarëve të pashpresë.

Duke marrë parasysh faktin se verdikti i gjykatës ka mundur të jetë në favor apo edhe në disfavor më të madh për të akuzuarit, filloi beteja, së pari mediale për rrëzimin dhe mbrojtjen e kryetarit tashmë të dënuar nga një organ i drejtësisë. Një ditë pas verdiktit të gjykatës, kryetari Muja nuk u mor me moralin, por me inatin e tij që “dikush” ia kishte kërkuar dorëheqjen, vendosi të vijojë punën normalisht në rezidencën e tij.

Disa të rinj të quajtur “Grupi i qytetarëve aktivë për Prizrenin” filluan me aksione të ndryshme protestuese që kryetari Muja të dorëhiqej. Një ditë para marshit të parë protestues në Prizren u arrestuan disa nga organizatorët e protestave nga policia, të cilët po gjatë kësaj dite edhe u liruan, ndërsa kryetari Muja mori një vendim për vetpezullim të detyres së tij zyrtare dhe për këtë vendim u “shpërblye” edhe me një padi nga organizatorët e protestës në Prokurori.

Në marshin e parë protestues kishte fërkime ndërmjet protestuesve dhe policisë që rezultoi me arrestimin e 6 protestuesve. Divergjenca ndërmjet organizatorëve të protestës dhe drejtuesve të policisë nuk kishin të bënin me numrin e pjesëmarrësve në protestë, por edhe në thirrjet e ndërsjella se kush kujt duhet t’i shkojë afër, e kjo gjë provokoi kryepolicin e Prizrenit, i cili në një prononcim për medie më shumë mbajti orë politike se sa njoftoi për versionin zyrtar të policisë për protestën.

I vetpezulluari kryetar nga protestuesit u shpall person në “kërkim” dhe vendosi të qendrojë në shtëpi. Marshi dytë protestues u mbajt të hënën, por numri i atyre që morën pjesë kësaj radhe kishte pësuar rënie, ndërsa pjesëmarrja nuk zbehej fal pranisë së shumë policëve të pauniformuar. Një gjë është tejet interesante se edhe shumë shërbyes civilë që fal “nënës parti” kanë gjetur një vend të punës, ishin të angazhuar për të regjistruar detaje të protestave, ndërsa u përshtatej koha e mbajtjes së tyre, sepse justifikoheshin se ishin në pauzë të orarit.

Në qeverinë lokale është ‘xhurulldi’ totale. Një drejtor i ri i drejtorisë ia fal postin dikujt tjetër,sepse kishte aspirata për një drejtori më të majme. Më skandaloz është rasti i një drejtori tjetër, i cili pas riemërimit në postin e një dikasteri të rëndësishëm, i jep vetes pushim dyjavor sepse e bija e tij kishte sjellë në jetë një fëmijë në një shtet tjetër dhe kishte kërkuar që pushimin e lehonisë ta kalojë edhe me të atin. Këto gjëra nuk i interesojnë askujt prej zyrtarëve që duhet të “zbaviten” me këto probleme.

Për ditën e enjte është paraparë mbledhja e jashtëzakonshme në të cilën opozita do të jetë e pranishme, ndërsa pozita ende është e pavendosur për këtë seancë, sepse me kërkesat e opozitës tash duhet të merren vetëm organet e drejtësisë. Opozita do të krekoset se po e bën më të duhurën, ndërsa pozita gjithashtu do të jetë në funksion të menaxhimit të suksesshëm të situatave, sikurse ka qenë deri më tani.

Ditëve të fundit fushata është në vlugun më të madh për zgjedhjet nacionale. Shefi i PDK-së, Hashim Thaçi, po i rimbush bateritë dhe në fokus ka së pari mbështetjen e komunitetit të biznesit e më pas edhe aktivizimin e brigadave partiake nëpër institucione komunale të Prizrenit dhe ato publike, të cilat i sjellin vota më bollëk nga qytetarët.

Duke pasur parasysh gjendjen aktuale në komunë, PDK edhe në rast të dorëheqjes eventuale të të vetpezulluarit kryetar do të ishte favorit kryesor për të fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme në Prizren para atyre nacionale, sepse partitë tjera ia ofrojnë një komoditet të tillë. LDK assesi ta marrë veten pas nokautit që pësoi në zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa në terren më shumë ka ndasi se sa një unitet partiak që është kërkuar nga takimi “famoz” në Prishtinë me strukturat e larta të partisë.

BD e Zafir Berishës është në një udhëkryq të madh: t’i bashkohet “Nismës” së Fatmir Limajt, apo të veprojë e vetme në zgjedhje. VV ka ngelur në vend dhe ka mbetur aty ku ka qenë. Një grup nismëtar për themelimin e “Nismës për Kosovën” në Prizren është duke mbajtur takime ende nëpër lokale afariste e jo në një zyre partiake.

Partitë e komuniteteve nuk e prishin rehatinë, sepse dihen politikanët të cilët shijojnë kajmakun e pushtetit, ndërsa votuesit e tyre presin diçka të mirë nga qielli. Këto parti të pakicave e kanë humbur edhe identitetin e tyre, sepse nuk kanë asnjë lider politik që u vërtetua në zgjedhjet e fundit lokale.

Një pjesë e vogël e shoqërisë civile reflekton përmes zërit të arsyes në këto zhvillime për përkushtim zhvillimor të komunës,kurse pjesa më e madhe e OJQ-ve kanë probleme me gjetjen e projekteve vetëm për interesa të ngushta personale dhe manipuluese me qytetarët. Mediet gjithashtu janë bërë imune me këto zhvillime dhe vetëm sa po ia zgjasin jetën gjërave negative.

Pjesë e këtyre zhvillimeve trishtuese është edhe masa qytetare e cila shpreh mllefin e vet për për këtë degradim moral, urban, kulturor e sportiv të qytetit më me traditë në vend, por jo publikisht, kjo për shkak të pasojave të mëpastajme.

Për fund,mirë e tha dhe publikisht zëdhënësi i komunës së kryetari po bën hajgare nëpër qytet edhe nga vendi ku ka premtuar ndërtimin e një ashensori turistik, sepse njerëzit po lejojnë që të bëhet hajgare me ta jo vetëm nga ai ….

Më Shumë

Sot, vranësira e shi

Për të enjten parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell, ku pritet kohë pas kohe të ketë...

Rikthehet Superliga: Ballkani kërkon fitoren për t’iu afruar titullit, Drita e Llapi presin ‘gabimin’ e suharekasve

Sot do të rikthehet Superliga, ku do të zhvillohet java e 34-të. Lideri Ballkani do të ketë punë në shtëpi me skuadrën që tashmë është...

Lajmet e Fundit