Në serinë e takimeve të organizuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës, institucionet kosovare të drejtësisë u bënë bashkë në Prizren për të diskutuar rreth shqyrtimit fillestar dhe të dytë në procedurën penale’.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues nga policia, prokuroria, gjykata dhe shoqëria civile
Gjykatësi Xheladin Osmani tha se sa i përket fazës së shqyrtimit fillestar, problemi më i madh qëndron në marrjen e të dhënave rreth personalitetit dhe të kaluarës kriminale të të pandehurit.
Ndërsa përfaqësuesit e Prokurorisë Themelore të Przrenit thanë se qysh në start duhet ftuar edhe i dëmtuari që të jetë pjesëmarrës, ndërsa kërkuan që prezenca e të dëmtuarit të jetë e obliguar me ligj në cdo fazë të procedurës penale.
Në këtë takim, avokatët ngritën shqetësime rreth caktimit të avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare. Ata thanë se edhe përkundër memorandumeve bashkëpunuese që kanë më KGjK-në dhe KPK-në, kjo marrëveshje nuk po realizohet në plotëni dhe se caktimi i avokatëve sipas detyrës zyrtare po vazhdon të bëhet pa u njoftuar Oda e Avokatëve.
Prokurori i krimeve të rënda, Genc Nixha, i cili kishte realizuar mbi 30 raste ku të pandehurit kishin hyrë në marrëveshje për pranimin e fajësisë, tha se Kosova prin në rajon për negocimin e pranimit të fajësisë me marrëveshje.
“Insistoj që sa më shumë t’i kryejmë lëndët në bazë të marrëveshjes, se vetëm në këtë mënyrë ne do të mundemi t’i zvogëlojmë numrin e lëndëve të cilat i kemi në shqyrtim”, tha Nixha.
Avokati Ruzhdi Gashi e quajti të nevojshëm takimin e sotëm mes katër institucioneve të drejtësisë.
“Ka nevojw për shumë gjëra që të diskutohen, të shqyrtohen dhe të qartësohen, që punët të shkojnë më mirë si për gjyqtarin si për prokurorin njashtu edhe për avokatin dhe për gjithë procesin gjyqësor në përgjithësi”, tha avokati Gashi.
Ndërsa Flamur Ramadani nga Oda e Avokatëve të Kosovës, takimet e quajtura “Bench Bar” kanë qenë shumë produktive për shkak të rekomandimeve që janë nxjerrë nga to.
“Gjatë këtyre tri viteve kemi gjetur shumë rekomandime që faktikisht do të adresohen në konferencën e përgjithshme që do të mbahet në fund të dhjetorit”, tha Ramadani.
Oda e Avokatëve organizon takime të tilla që nga viti 2012. /Kallxo.com/