4.4 C
Prizren
E premte, 29 Nëntor, 2024

Prizreni subvencionon me 30.000 € projektet e OJQ-ve që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se pavarësisht angazhimeve po përballen me probleme sa i përket mbrojtjes së mjedisit, dhe se në këtë aspekt kërkojnë edhe bashkëpunimin e organizatave joqeveritare dhe individëve.

Në një takim të organizuar të hënën nga Drejtoria e Shërbimeve Publike me individët dhe përfaqësuesit e OJQ-ve që punojnë në fushën e mjedisit dhe që kontribuojnë në mbrojtjen e resurseve natyrore është bërë e ditur se Komuna sivjet ka planifikuar 30 mijë euro për subvencionimin e projekteve që kontribuojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ndërgjegjësimit publik.

“Sivjet në dispozicion janë 30 mijë euro për subvencionet lidhur me mjedisin. Kjo tregon edhe rëndësinë që i japim mjedisit të pastër. Normal ka shumë probleme që lidhen me mjedisin”, ka thënë kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.

Sipas tij për adresimin e këtyre problemeve, që përbëjnë shqetësim edhe në nivel global, Komuna e Prizrenit ka krijuar Zyrën për Zhvillim të Gjelbër, në saje të cilës implementohet strategjia kombëtare për ndryshimet klimatike.

ka thënë se Komuna tashmë ka inventarin e ndikimit të gazrave serrë, sikurse edhe rekomandime se çka duhet bërë për ti reduktuar ato. Në të njëjtën kohë ka theksuar se në lidhje me mjedisin si dhe efiçiencën e energjisë ka projekte të përbashkëta me donatorë ndërkombëtarë.

“Jemi Komunë që i jep shumë rëndësi ambientit. Në këtë aspekt ka probleme, por po mundohemi me i zgjidh ato. Normal intervenimet afatshkurtra po janë me rezultate afatshkurtra, prandaj duhet me gjet intervenime që kanë me dhënë rezultate afatgjata, qoftë në aspektin e mbeturinave inerte, qoftë në aspektin e ndotjes së natyrës që po ndodh”, ka deklaruar Haskuka, duke shtuar se bashkëpunimi më i mirë ndërmjet komunës dhe OJQ-ve është i rëndësishëm për t’i adresuar këto çështje.

Drejtori i DSHP-së, Osman Krasniqi ka vlerësuar se të gjithë akterët duhet të ndërmarrin hapa të përshpejtuar me qëllim që mjedisit ti kthehet pastërtia e duhur.

“Jemi në vitet kur ngrohja globale dhe problemet ekologjike po e rëndojnë gjithë botën, e në veçanti neve si Kosovë që jemi me një dendësi të theksuar të banimit dhe që mundësitë për ndotje të mjedisit janë shumë më të mëdha sesa në vendet tjera”, ka thënë Krasniqi, teksa ka inkurajuar OJQ-të dhe individët të bashkëpunojnë me komunën me qëllim të mbrojtjes së mjedisit.

udhëheqësi i sektorit të menaxhimit të mbeturinave në DSHP, Muhamet Bajrami ka bërë të ditur se ky takim është dashur që të mbahet më herët, por se kufizimet shkaku i pandemisë e kanë bërë të veten. Sipas tij, thirrja e fundit e DSHP-së është e përqendruar në promovimin e mjedisit të pastër dhe njëherësh ka inkurajuar të pranishmit që ti paraqesin projekt propozimet sipas fushave të përcaktuara në thirrje.

Në anën tjetër Qemal Mehmeti nga shoqata e inxhinierëve dhe teknikëve të Prizrenit ka pohuar se ky qytet i shumë traditave njihet edhe si qytet i pastërtisë, dhe se pastërtia është identifikuar me mjedisin.

“Kujdesi ndaj mjedisit është obligim i të gjithëve, institucioneve në radhë të parë dhe OJQ-ve e qytetarëve”, ka thënë ai, duke kërkuar sensibilizim më të madh për këtë çështje edhe nga mediat, meqë ka konsideruar se bëhet fjalë për një temë qendrore që prek jetën e secilit qytetar.

Mehmeti ka vlerësuar se duhet shtuar përpjekjet që Prizreni krahas të qenit kryeqendër kulturore të jetë edhe kryeqendër mjedisore.

Diskutuesit e paktë, kanë kërkuar sqarime lidhur me aplikimin, si dhe informata nëse mund të ketë zgjatje të afatit për dorëzimin e tyre. Zyrtarët komunalë kanë dhënë disa sqarime, ndërkohë që sa i përket afatit për dorëzimin e projekt propozimeve kanë theksuar se duhet shqyrtuar procedurat ligjore nëse gjë e tillë është e mundshme.

https://www.koha.net/kosove/267385/prizreni-subvencionon-me-30-000-euro-projektet-e-ojq-ve-qe-kontribuojne-ne-mbrojtjen-e-mjedisit/

Më Shumë

Prizreni nis fushatën “16 ditë aktivizim kundër dhunës në familje”

Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit organizoi sot hapjen e fushatës "16 ditë aktivizim kundër dhunës në familje". Ky aktivitet...

AAK-ja në Prizren takon kryetarët e nëndegëve në Has për zgjedhjet e 9 shkurtit

Dega e AAK-së në Prizren ka mbajtur një takim me kryetarët e nëndegëve të këtij subjekti politik nga rajoni i Hasit, ku janë diskutuar...

Lajmet e Fundit