11.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Prokuroria pretendon se inspektori në Prizren keqpërdori pozitën, mbrojtja thotë të kundërtën

Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se ka prova të mjaftueshme që do të vërtetojnë se inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi, e ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Një pretendim të tillë, e ka dhënë prokurori i rastit, Mehdi Sefa, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, ku palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ndaj këtu të akuzuarit Enver Bytyqi, aktakuza e përshkruar për veprën penale në fjalë, është ngritur në bazë të provave që janë të pranueshme për gjykatën për të cilën dhe Gjykata e Apelit i ka aprovuar ato, pasi që ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit për hedhjen e aktakuzës. Kështu që pas administrimit të provave me të cilat prokuroria ka mbështetur aktakuzën do të vërtetohet edhe përgjegjësia e këtu të akuzuarit për mos ndërmarrje të asnjë veprimi për objektin, i cili është ndërtuar në lagjen “Jeni Mahallë”, nga investitori “Shigjeta e Pashtrikut”, ka thënë prokurori Sefa.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Bytyqi, avokati Arben Shala, ka deklaruar se pas zhvillimit të seancave gjyqësore do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Sipas avokatit Shala, bazuar në dispozitivin e aktakuzës dhe arsyetimit të saj, vepra penale që i vihet në barrë të mbrojturit të tij, është e ngritur pa asnjë bazë ligjore.

Ai i ka propozuar gjykatës që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohet ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ish-investitori Lumni Lushaj, përgjegjësi për ndërtimin e objektit Fehim Hamiti, ish-drejtorët Bedri Bytyqi e Bujar Hasani, si dhe ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Nijazi Kryeziu.

Sipas tij, këta dëshmitarë do të përshkruajnë detyrat e vendit të punës të inspektorit të ndërtimit, dhe rrethanat në lidhje me marrëveshjen e partneritetit publiko-privat për lehtësimin e investitorit për pajisje me leje për ndërtimin e objektit.

“I mbrojturi  im, mbanë përgjegjësinë se ka vazhduar me procedurat administrative deri në katin e shtatë të këtij objekti, ku është i paraparë me planin rregullues të hollësishëm në lagjen “Jeni Mahall”, arsyetimi i kësaj është se në viti 2017, Enver Bytyqi ka qenë i suspenduar nga puna, ndërsa prokurori e ka akuzuar atë edhe në mungesë nga puna”, ka thënë avokati Shala.

Mirëpo, prokurori Mehdi Sefa, ka kundërshtuar këtë propozim duke thënë se në asnjë pikë dhe në asnjë nen, në marrëveshjen për partneritetin publiko-privat nuk theksohet se objekti duhet të ndërtohet pa leje, me të cilën është dashur të pajiset shfrytëzuesi dhe investitori, i cili ka bërë ndërtimin.

“Po ashtu kërkoj nga gjykata që ta refuzoj propozimin për dëgjimin e ish-drejtorëve të Inspektoratit Komunal në Prizren, për të sqaruar kompetencat e inspektorit komunal të ndërtimit lidhur me të drejtat dhe detyrat, pasi ato janë të sqaruar me vendimin e Komunës lidhur me sistematizimin e vendeve të punës, rreth kompetencave të drejtorit të Inspektoratit dhe të inspektorëve të ndërtimit”, ka deklaruar prokurori.

Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e avokatit Arben Shala për dëgjimin e dëshmitarëve, kurse seancën e radhës e ka caktuar më 1 nëntor 2019, në ora 09:45.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 16 maj 2019, i akuzuari Bytyqi ishte deklaruar i pafajshëm.

Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me shtatë mijë euro gjobë.

Prokurorisë Themelore Prizren, për këtë rast ka ngritur aktakuzë, më 19 prill 2019, ndaj të pandehuri Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Feim Hamiti. /BetimipërDrejtësi

Previous article
Next article

Më Shumë

Serbia arreston edhe dy kosovarë

Dy persona, përkatësisht shoferi dhe konduktori i autobusit të një kompanie nga Kosova, janë ndaluar nga autoritetet serbe në kufi, raporton Zeri.info.  Mediat serbe kanë...

Vogëlushi kosovar dënohet me 2500 franga, shkak ‘selfie’ me Granit Xhakën

2 mijë e 500 franga apo (2 mijë e 557 euro e 95 centë). Kaq i kushtoi një vogëlushi nga Kosova dënimi, për shkak të...

Lajmet e Fundit