0.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Qeveri teknike, për vendime të mëdha

Të zhgënjyer nga prolongimi i formimit të qeverisë së re dhe institucioneve të tjera, por edhe nga imperativi i bërjes së reformave në shumë fusha, e veçanërisht asaj të drejtësisë, analistët dhe specialistët e kësaj fushe janë të mendimit se partitë parlamentare duhet të gjejnë një kompromis urgjent në mënyrë që sa më parë të formojnë mbase edhe një qeveri teknike të unitetit kombëtar me mandat 1 deri në 2 vjet. Analistët ndërkaq janë të mendimit se kjo do të nevojitej për të bërë reformën zgjedhore dhe kushtetuese, pastaj reformën në drejtësi me Ligjin e VETTING-ut, Ligjin e dekriminalizimit për vetë- pastrimin e të gjitha kuadrove të inkriminuara në institucionet e shtetit, si dhe për të kaluar temat e rënda si Demarkacioni, Asociacioni, e pastaj të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Analisti Skender Mulliqi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë duke u sjellë asgjë të mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj veçse janë duke na sjellë, siç tha, kriza politike dhe kriza të vazhdueshme institucionale, derisa Parlamenti i Kosovës moti është shndërruar në cirk. Tutje, sipas tij, edhe pas këtyre zgjedhjeve vendi është duke shkuar nga thellimi i krizës, por gjithnjë me tendencë të rrëshqitjes në anarki. “Edhe seanca e gjashtë e mbajtur, ku ishte edhe koalicioni PAN, nuk solli konstituimin e institucioneve të shtetit, vetëm debate shterpe, akuza dhe kundërakuza midis Kadri Veselit dhe Albin Kurtit”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo klasë politike ka dështuar në shtetndërtim dhe mirëqenie të përgjithshme.

Lakmitarët e pushtetit

Mulliqi thotë se kjo elitë politike në pushtet është vetëm lakmitare për pushtet dhe të mira materiale e asgjë më shumë. “Këta kuvendarë të rinj e më shumë të garniturës së vjetër nuk e kanë merituar besimin e qytetarëve të Kosovës. Këtë mosbesim e kanë vërtetuar shumë herë deri më tash me punë të mbrapshta, me hajni masovike dhe me shumë keqpërdorime të pushtetit. Këta janë do hileqarë dhe do qyqarë, të cilët po e dërgojnë Kosovën në greminë. Duket së nuk do të këtë zgjidhje të ngërçit politik dhe institucional, së këta njerëz nuk janë të gatshëm të bëjnë asgjë që kjo krizë të kapërcehet duke i lënë anash interesat personale. Kriza zgjidhet me fytyra të reja politike, kriza zgjidhet me reformim të partive politike, të cilat janë shndërruar në korporata”, u shpreh ai.”Shtet nuk mund të bëjmë pa reformë edhe kushtetuese, shtet nuk mund të bëjmë pa futjen në zbatim të Ligjit të Vetting- ut. Sigurisht se edhe pa spastrimin e mbarë aparatit të shtetit nga elementet e shumta kriminale nuk do të kemi edhe për shumë vite shtet ligjor dhe funksional. Kjo elitë politike nuk ka mundësi që t’i zgjedhë as temat e rëndësishme, siç janë ” Zajednica” dhe Demarkacioni. Tashmë pas gjithë asaj çka jemi duke përjetuar dhe po shikojmë në skenën tonë të zymtë politike është më së e nevojshme një qeveri e unitetit kombëtar, kalimtare, e cila do ta nxirrte vendin nga rrathët e Dantës. Edhe këtë punë kjo klasë politike zor se do të tregohet e gatshme ta bëjë, kur dihet së këto grupime politike përveç interesave personale dhe interesave biznesore nuk shohin asgjë tjetër para vetit”, potencoi ai. “Këta njerëz të papërgjegjshëm dhe pa moral politik janë duke e sjellë situatën që Kosova sërish të zbrazet. Ekziston rreziku i valës së re të largimit të të rinjve që do të ishte katastrofale për të ardhmen e Kosovës”, tha më tej Mulliqi.

Skema piramidale e korrupsionit

Analisti Hidajet Ahmeti ka gjykuar se formimin e institucioneve të reja nuk duhet ta mbajnë peng disa persona, të cilët nuk shohin jashtë interesave të tyre personale dhe jashtë kornizës së ngushtë të klientelës së tyre politike, derisa sipas tij zvarritja e formimit të institucioneve po i mban peng shumë procese të rëndësishme për Republikën e Kosovës, duke vonuar proceset të cilat do të lehtë- sonin jetën e qytetarëve dhe njëkohësisht do të ofronin shtetin e Kosovës drejt organizatave të rëndë- sishme ndërkombëtare. “Çdo ditë vonese drejt formimit të institucioneve të reja është një vonesë për konsolidim të shtetit të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Fillimisht duhet të shteret baza kushtetuese e ligjore e pastaj të mendohet për një version të qeverisë teknike, pasi që akoma nuk është shterur mundësia për formimin e institucioneve të reja brenda kornizës kushtetuese”, theksoi ai. “Një qeveri teknike do t’u konvenonte atyre që po bllokojnë formimin e institucioneve të reja, por jo atyre që i kanë numrat për formimin e institucioneve. Gjykoj se qeveria e re e së bashku me legjislaturën e re duhet të këtë fokusin në reformën substanciale në sistemin e drejtësisë, pasi që drejtësia në vend se të jetë objekt ku luftohen krimi, korrupsioni e kontrabanda, sistemi i drejtësisë është bërë vatër e keqpërdorimeve më të mëdha në vend”, vijoi më tej Ahmeti. “Sistemi i drejtësisë në Kosovë është ndërtuar brenda skemës piramidale të krimit e korrupsionit, duke instaluar njerëz të tyre përmes politikës së mbrapshtë dhe duke përdoruar ata për qëllime të ngushta personale e klienteliste. Duhet të ndodhë çlirimi i gjyqësorit nga kapja e politikës që i ka ndodhur nga paslufta, duke e pavarësuar të punojë e të veprojë brenda mandatit kushtetues e ligjor, me profosonalizëm, integritet e punë. Çlirimit të sistemit të drejtësisë duhet t’i prijë vullneti politik, i cili ka munguar deri më tani, duke i ndihmuar në aspektin financiar me rritjen e buxhetit , duke shtruar bazën ligjore, e cila do të këtë efekte pozitive dhe mbi të gjitha mekanizmat kontrollues që dalin nga Parlamenti duhet të jenë profesionalë, e posaçërisht të mos jenë njerëz të politikës”, deklaroi Ahmeti.

Kushtetuta duhet të ndryshohet

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Blerim Burjani, thotë se reforma legjislative në fushën e sistemit zgjedhor duhet të ndodhë patjetër dhe kjo po shihet se me këtë sistem është absurde që dikush të mbërrijë shumicën relative, derisa siç tha duhet të adresohet në zgjidhje njëherë e përgjithmonë. Pra, sipas tij Kosova ka nevojë për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, dhe pa filluar ndryshimin e Kushtetutës nuk ka as formim të ushtrisë dhe asgjë, pasi kjo kushtetutë që është kalimtare dhe u ngurtësua nga klasa politike dhe nga një pjesë e bashkë- sisë ndërkombëtare është problematike shumë për zhvillimet në shtet.”Sidoqoftë, kjo legjislaturë duhet të ketë tri iniciativa që duhet t’i konkretizoj’ dhe që është e vështirë, sidomos për reformën zgjedhore që iu konvenon partive të vogla, ndërsa Kosova me një sistem zgjedhor gjysmë-mazhoritar më së shumti do të ketë tri parti politike në skenë, por jo kaq shumë dhe jo produktive dhe të dëmshme për shtetin dhe interesin qytetar, pra duhet sa më parë të fillojnë këto gjëra, pa dilemë edhe Ligji për Vetting-un”, është shprehur ai.”Ndërkaq, Demarkacioni dhe Asociacioni janë tema të vështira, sidomos Asociacioni i komunave serbe mos të them se është tërësisht i pamundshëm, sepse dezintegron dhe dobëson shtetin unitar të Kosovës. Përderisa Demarkacioni nuk ka ndonjë rëndësi të madhe është plotësisht teknike, mjafton që Kosova kuptohet bazuar në planin e Ahtisarit të ketë kufijtë e vitit 1974″, theksoi Burjani. Duhet qeveri e vendosur Politologu Gurakuç Kuçi mendon se në asnjë moment nuk duhet të shkohet me qeveri teknike, pasi nuk ka gjendje krize shtetërore, por siç tha jemi në krizë politike për poste, me çka duhet të kihet kujdes se çka kur përdoret dhe jo vetëm të kërkohen zgjidhje shabllone dhe precedenca që mund të na kushtojnë në të ardhmen.

“Një krizë më të ashpër se ne kishte Maqedonia dhe nuk mori një hap të tillë, ndërsa asnjë temë e madhe nuk kalon me qeveri teknike, brenda së cilës kërkohet kompromis i madh, që për shkak të shumë qejfeve është pothuajse e pamundur. Qeveritë teknike janë qeveri kalimtare që prodhojnë vetëm funksionim administrativ dhe asgjë më shumë. Duhet qeveri e vendosur për të kaluar tema të mëdha, e cila ka fuqinë dhe kredibilitetin që të shtyjë përpara procese në të mirë të vendit”, potencoi ai.”Opsioni për qeveri teknike ka humbur vlerën edhe më shumë kur me të po bëhen kalkulime politike që prapë do të dërgojnë në kriza të reja. Nuk jemi para një situate që nuk ka zgjidhje politike dhe janë të paktën tri mënyra se si mund të zgjidhet kjo krizë politike, por jemi para një situate ku ligji përdoret si bllokim e fuqia politike si privilegj, që nëse i numërojmë nga zgjedhjet deri më sot nga të gjitha palët, na dalin mbi 100 herë që na kanë gënjyer, mashtruar dhe i kanë ndryshuar deklaratat politike”, vijoi më tej Kuçi.”Pra, kjo gjendje për të gjetur zgjidhje kërkon vullnet politik, ulje të egos për poste, respekt politik dhe shtetar”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” politologu Gurakuq Kuçi.

Qytetari, viktimë e bandave

Analisti Ali Hertica shprehet se hipokrizia, e cila po përdoret nga lidershipi kosovar, është drejtpërsëdrejti një atakim për qytetarin, i cili po bie viktimë e bandave kriminale të politikëbërësve, duke mos shkuar deri tek formimi i qeverisë së qëndrueshme për t’i shtyrë proceset përpara, që janë madhore për shtetin, derisa siç tha e gjithë kjo tregon egon e tyre për pushtet dhe mosndryshime në reforma partiake e kushtetuese për mandat njëvjeçar, ku do të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse dhe do të kishin prioritet disa çështje madhore për shtetin dhe vetë qytetarin, siç është Ligji për VETTING-un dhe dekriminalizimin e shtetit të të gjitha kuadrove të inkriminuara në krim të organizuar, që janë të instaluara në institucione të shtetit.

“E gjithë kjo qeveri teknike do të merret me disa çështje kruciale, siç është Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave serbe, ku në të ardhmen nuk do të kishte pas paragjykime ndaj asnjë subjekti politik dhe të gjithë do ta kishin marrë dënimin nga qytetari. E gjithë kjo kohë do ishte për disa muaj apo së paku një vit, ku do të kishe pasur zgjedhje të përgjithshme, ku do të ndahej shapi nga sheqeri, pa u bashkuar asnjë koalicion dhe kjo do ishte shpëtimi i Kosovës”, pohoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Ali Hertica. Ndërsa, analisti Ymret Reshiti ka nënvizuar se është kundër qeverisë teknike, por duhet të zbatohen Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese 2014. “Duhet presion i ambasadorëve të Quintit mbi PAN- in që të provojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pa asnjë shtyrje. PAN-i po e mban të bllokuar formimin e institucioneve duke shkelur Kushtetutën e Kosovës”, potencoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Ymret Reshiti.(Kosova Sot)

Më Shumë

16 lagje të Prizrenit nesër nuk do të kenë ujë

Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka njoftuar se për shkak të vendosjes së ujëmatësit për matjen e prodhimit të ujit në...

Xhavit Ukaj: Sot patëm nderin ta vizitojmë Shejh Tahirin

Kandidati për deputet nga rradhët e LDK-së, Xhavit Ukaj gjatë ditës së sotme është takuar me Shejh Tahirin. Ai u shpreh se mirëpritje në atë...

Lajmet e Fundit