Qeveria Hoti identifikon kushte të reja për liberalizimin e vizave

Për Qeverinë e re, kushtet për liberalizimin e vizave nuk janë përmbushur. Ajo ka konsideruar se duhet ndërmarrë veprime veçmas në fushën e drejtësisë, me qëllim që të ndodhë heqja e izolimit për kosovarët.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti e ka shprehur këtë në Programin qeverisës, të miratuar javën e shkuar.

Në pikën 7.2 të këtij dokumenti, mes të tjerash, theksohet se, në veçanti, do të punohet për “rritjen e efektivitetit të gjyqësorit, si parakusht themelor për integrimin evropian dhe veçanërisht për liberalizimin e vizave, duke rritur kapacitetet e gjyqësorit për trajtimin e lëndëve dhe duke respektuar pavarësinë e tij”, raporton KOHA.

Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar se Kosova ka përmbushur 2 kriteret e fundit për liberalizimin e vizave: Krijimi i një regjistri të hetimeve, vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskimeve lidhur me rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Komisioni kishte miratuar edhe rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën, pasi që ishte vlerësuar se Kosova ka zbatuar të gjitha obligimet e dala nga Udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

Nga Zyra e kryeministrit, por edhe nga vetë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, gazeta ka kërkuar informacione në lidhje me kushtet e papërmbushura për liberalizimin e vizave, për të cilat flet Programi. Këto institucione janë pyetur se kush dhe kur i ka komunikuar kushtet e reja. Përgjigjja ka munguar gjatë ditës.

Në Program, Qeveria ka shprehur synimin se përmbyllja e suksesshme e procesit të liberalizimit të vizave të ndodhë gjatë kryesimit të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE) nga Gjermania.

Synimet janë shprehur në pjesën e dokumentit që flet për integrimin në BE.

Më Shumë

Filloi “Java e Dëshmorëve të Hasit”

Ka filluar sot programi i aktiviteteve në kuadër të “Javës së Dëshmorëve të Hasit”, një javë e dedikuar kujtimit, nderimit dhe përjetësimit të sakrificës...

Arrestohet një person në Malishevë për dhunë në familje, ishte në gjendje të dehur

Një person është arrestuar në Malishevë nën dyshimin për ushtrim të dhunës në familje. Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 5 qershor 2026,...

Kosova voton sot

Lajmet e Fundit