10.3 C
Prizren
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ragip Begaj mohon të ketë qenë në vendin ku u gjetën trupat e dy civilëve të vrarë

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, njëherësh ish-bashkëluftëtari i Fatmir Limajt, ka mohuar të ketë qenë në vendin e ngjarjes, kur janë gjetur trupat e vrarë të dy civilëve shqiptarë, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi.

Begaj, në cilësinë e dëshmitarit, është paraqitur të premten në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku ka vazhduar gjykimi për krime lufte në rastin e njohur si “Bellanica”, ndaj shefit të tij të partisë dhe ish-komandantit të brigadës 121 të UÇK-së, Fatmir Limaj, i cili akuzohet për përgjegjësi komanduese.

Dëshmitari Begaj, ka deklaruar se tashmë të ndjerin Ramiz Hoxha e ka njohur dhe ka pasur raporte shumë të mira. “Me të nuk kam pasur lidhje familjare, por e kam pasur shok që nga viti 1971”, ka thënë Begaj.

Ndërsa, ka thënë se nuk e ka njohur Selman Binishin personalisht, por vetëm familjen e tij.

“Kam dëgjuar se në rrugën për Banjë-Kravaseri janë vrarë dy persona e më pas kam kuptuar se kush janë ata persona. Kufomat e tyre nuk i kam parë, nuk besoj që kam qenë aty në atë kohë, pasi që kam qenë në mal ku e kam pasur vendqëndrimin. Unë nuk kam dërguar ushtarë në vendin e ngjarjes, mirëpo ushtarët më kanë treguar se kanë qenë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Begaj, duke shtuar se nuk i kujtohen emrat e ushtarëve që e kishin lajmëruar atë për këtë rast.

Sipas tij, rruga ku ka ndodhur vrasja e tyre, ka qenë e pakontrolluar nga UÇK-ja.

“Në këtë rrugë ne nuk kemi pasur pika kontrolli, andaj kanë mundur të hyjnë edhe forca serbe aty”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në atë kohë nuk kishte dëgjuar për motivin e vrasjes së Hoxhës e Binishit.

“Lidhur me motivin e vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit nuk kam dëgjuar, pasi që siç e ceka unë kam qenë në mal në atë kohë. Ditëve të ofensivës është shtuar numri i ushtarëve dhe aty ka mund të ketë qenë edhe djali i Ramizit, Enver Hoxha, të cilin e kam njohur. Për vrasjen e Selman Binishit, fillimisht nuk e kam ditur kush është i vrarë por më vonë nga ushtarët kam marrë vesh. Unë edhe atëherë edhe sot shprehi keqardhje për familjarët”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në seancat e kaluara kanë dëshmuar edhe Azem Syla, Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi, Sokol Dobruna, Naim Maloku dhe Muhamet Hoxha.

Në këtë gjykim, Azem Syla, ishte sjellë nga qendra e paraburgimit, pasi ndodhet nën këtë masë në rastin ku gjykohet për krim të organizuar dhe vepra tjera penale, të njohur si rasti “Toka”.

Ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Azem Syla, për komunikatën e publikuar në “Zëri i Kosovës”, që merrte përgjegjësinë për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, kishte deklaruar se nuk ka pasur njohuri për të dhe se nuk e din se kush e ka shkruar.

Kurse, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, kishte deklaruar se në atë kohë nuk kishte dëgjuar për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Ai kishte thënë se gjatë punës së tij si gjykatës ushtarak, ka pasur gjithsej vetëm tri raste që i ka gjykuar, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e llojit të vrasjes.

Ndërsa, Naim Maloku, kishte deklaruar se për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, kishte dëgjuar diku mes 25 dhe 31 dhjetor 1998, ku ishte mysafir në tubimin e mbledhur me popullatën e zonës nga komandanti i Brigadës 121, Haxhi Shala.

Në cilësinë e dëshmitarit ishte dëgjuar edhe Muhamet Hoxha, i cili kishte deklaruar se ditën kritike Selman Binishi, ishte në shitoren e tij duke pirë birrë, kur edhe kanë ardhur dy persona të maskuar dhe e kanë marrë me force.

“Pasi kaluan një herë nga shitorja pesë persona të maskuar, Selmani më tha se këta persona i kishte parë pa maska diku jashtë fshatit Bellanicë. Personat e maskuar u kthyen më vonë dhe direkt iu drejtuan Selmanit me fjalët ” Ti, dil jashtë!”, por pas refuzimit të Selmanit, njëri prej të maskuarve e goditi pas koke dhe e futën në bagazhin e automjetit “Golf 2”, kishte thënë ai.

Dëshmitari Hoxha, po ashtu kishte thënë ndër të tjera se kanë qenë gjithsej pesë persona të maskuar, mirëpo sipas tij, nuk i kujtohet të kenë pasur emblema të UÇK-së.

Kurse, në seancën e mbajtur më 15 janar 2018, dëshmitë e tyre në këtë gjykim i kishin dhënë edhe dy ish-komandantët e UÇK-së Rexhep Selimi dhe Bislim Zyrapi.

Rexhep Selimi kishte demantuar komunikatën të lëshuar nga shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sipas së cilës ishte dhënë njoftimi për ekzekutimin e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës, Selimi, për komunikatën e lëshuar më 30 tetor 1998, të përmendur në “Zëri i Kosovës”, kishte thënë se në atë kohë në Shtabin e Përgjithshëm, nuk ka ekzistuar Drejtoria e Policisë Ushtarake.

Kurse, Bislim Zyrapi, i cili ka qenë shef i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, kishte deklaruar se për shkak të lëvizjeve të shpeshta të tij, nuk ka pasur kohë t’i shoh komunikatat që në atë kohë janë lëshuar.

Duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, Zyrapi kishte deklaruar se ai nuk kishte dëgjuar për këtë rast, pasi që në atë periudhë ishte jashtë Kosovës.

Në seancat e kaluara të 16 dhe 17 tetorit të vitit 2017, janë dëgjuar në cilësinë e dëshmitarëve Nuhi Binishi, Hajriz Hoxha, Enver Hoxha, Skender Hoti, Ymer dhe Ejup Hoxha.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 28 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Limajt, lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999.

Sipas PSRK-së, Limaj dyshohet se në cilësinë e komandantit ushtarak të Brigadës 121, të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK), nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij, për të parandaluar apo ndaluar vrasjen e Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishit, nga fshati Banjë, Komuna e Malishevës, të cilët me arsyetimin se janë bashkëpunëtorë të okupatorit serb, janë marrë peng nga disa persona me maska, më 2 tetor 1998, dhe më pas janë ekzekutuar.

Me çka, sipas PSRK-së, i akuzuari ka shkelur nenin 3 të  Konventave të Gjenevës dhe Kodin Penal, i cili e inkriminon si vepër penale edhe “përgjegjësinë e komandës”.

Më Shumë

Rahoveci i pandalshëm, fiton edhe derbin me Kastriotin

Rahoveci nuk po ka të ndalur në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Të enjten mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci e...

Rreth 150 shtëpi të fshatit Vlashnje të Prizrenit pa rrjet të ujësjellësit

Rreth 150 shtëpi të fshatit Vlashnje në Prizren vazhdojnë të mos kenë rrjet të ujësjellësit. Banorët e këtij fshati furnizohen me ujë përmes puseve, ndërkohë...

Lajmet e Fundit