17.8 C
Prizren
E premte, 1 Nëntor, 2024

Ragip Sylaj ka drojë për të

Libri më i ri i poetit Ragip Sylaj, “Kam drojë për ty”, ka dalë nga shtypi dje nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Ky libër është i ndarë në këta pesë cikle: “Iluminim, Fundi i ankthit, Letrat, Pëlcitje zbrazëtie, Absurd i përkryer dhe Kryehimn”.

Në poezitë e këtyre cikleve poeti u shkruan personave (jo personazheve), me të cilët, nëpërmjet këtij mediumi të ndjeshëm dhe shpirtëror, u flet për veten, për vendin e vet, për librat e vet, për bibliotekën e vet. Marrë në planin e përgjithshëm, poezia e Sylajt është filozofike. Por, aty janë edhe kurbeti, malli për atdheun dhe për familjen, dashuria për nënën dhe për fëmijët; për babanë, për vëllanë dhe për miqtë. Është edhe pjesa veriore e Mitrovicës, të cilën autori, meqë nuk mund ta shkelë pa rrezik si dikur me tren, me autobus dhe me veturë, shpreh dëshirën e vet që një ditë të shkojë në atë pjesë qyshdoqoftë dhe me çfarëdoqoftë.

Drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Armagedoni, në një shënim të shkurtër të nxjerrë në kopertinën e pasme të librit të Sylajt, nën biografinë e tij të shkurtër, ka shkruar: “Nëse nuk e lexuat, lexojeni sipër këtyre fjalëve copën e biografisë së Ragip Sylajt. S’po jua ngre sytë lart që t’jua kujtoj se ai shkruan pesë e më shumë lloje të shkrimit letrar, po t’jua jap informacionin e parë për të dhe, më të rëndësishmin për një shkrimtar: se ai, edhe meqë nuk bëri studime për letërsinë, u lidh shpirtërisht me të që në bankat e gjimnazit dhe nuk iu ndanë njëri-tjetrit. Deri më tash, i bënë bashkë, fiks 45 vjet jetë. Me këtë bashkudhëtare (me poezinë), Ragip Sylaj, duke portretuar veten dhe qenien e vet, ka paraqitur para nesh karakterin dhe formimin e vet dhe dëshirat që i ka e që s’mund t’i realizojë për shkaqe të ndryshme dhe të (pa)arsyeshme. Dhe, po në këto poezi të këtij libri, Sylaj ka shkruar për luftën, për barbarët, për lirinë, për librin fizik dhe atë të djegur, për njerëzit e djegur e të bërë hi, edhe për librat e ricikluar. Letrapoezi, në vend të telegrameve, u ka shkruar nënës, babait, vëllait, miqve në Kosovë dhe atyre në Perëndim. Të gjithëve, me plot mall; të gjithëve, me plot ndjenja; të gjitha letratpoezi, me përplot fara të figurave poetike, të pahasura te dikush tjetër. Prandaj, hiç dorë nga punët e tjera dhe ndalu këtu e bëj përpjekje të marrësh nga kjo pemë një copë dhembje, një copë gëzim, një copë trishtim, pastaj ulu shijoje fjalën artistike dhe ngadhënjimtare të këtij poeti të matur e të matshëm me të tjerët nëpër shumë konkurse letrare”.

POEZI NGA RAGIP SYLAJ

ILUMINIM

(Biblioteka në kohë lufte)

Në fillim ishte heshtja

Brenda saj – pasioni e qeshja

Në shtresën e dytë – dheu e vala

U (ri)zgjuan Perëndia e Fjala

Nga fjala rrëzëlleu hiri që s’ngriu

Nënë-qielli yjet Njeriu

Dheut i dhanë frymë Ati e i biri

Lulja e urtisë çeli nga libri

Aty ky bënin roje fatsjellësit

Një ditë-natë hynë vdekjevjellësit

Homerit ia nxorën sytë për së dyti

Shpërfytyrimin tjetrit ia përsëdytën

S’e dinte në ishte n’Kosovë Aligieri

Tek therej Pëllumbi e prangosej Dreri

I përzënë nga libri Shekspiri u zu në çudi:

– Është vërtetësi ferri a vetëm tragjedi

Hamletit iu prish gjumi iu kall heshtja:

– Të çmendesh a të vdesësh tha është çështja

Migjeni i ri e Buzuku i vjetër

U dërguan në Lipjan t’bëhen letër

Dhembje ndjeu i riu dhe i lashti

Sikur iu blua mishi sikur iu dogj ashti

Një ditë nga vdekja lindi jeta

U përtërinë dielli dhe e vërteta

Dikush dha kumtin nga një bri:

Njeriu u bë libër e libri njeri

KËRKIM

Gjithë çka u tha për jetën

Nuk u tha për tokën

Gjithë çka u tha për pranverën

Nuk u tha për lulet

Gjithë çka u tha për hirin

Nuk u tha për zjarrin

Gjithë çka u tha për hënën

Nuk u tha për diellin

Gjithë çka u tha për kafkat

Nuk u tha për gjakun

Gjithë çka u tha

Mbeti e pathënë

 

Më Shumë

Çmimi “Ukë Bytyçi” i ndahet ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj

Suhareka përkujtoi sot ish-kryetarin Ukë Bytyçi dhe dy shoqëruesit e tij, Bafti Bajramin dhe Bajram Bytyqin, në 22-vjetorin e vrasjes së tyre pas fitores...

Fabian Basha zbulon planet për rikthimin e ‘Produkt 28’!

Në një intervistë për emisionin “Live From Tirana” në TAR, Fabian Basha, ish-anëtar i grupit të njohur “Produkt 28,” ka ndarë mendime dhe përvoja...

Lajmet e Fundit