20.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Ragip Sylaj: Krijoj, pra ekzistoj

ragip sylajMaster i teknologjisë, Ragip Sylaj, i cili një kohë ka punuar si mësimdhënës në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, pastaj gazetar në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në të përditshmet, “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës, aktualisht është zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Po ashtu Sylaj është njëri ndër themeluesit e Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës. Shkruan poezi, prozë, dramë, ese dhe kritikë letrare. Deri tash ka botuar katërmbëdhjetë libra, prej të cilëve: shtatë libra të poezisë, pesë të prozës, një të eseve letrare dhe një vëllim prej dy dramash.

Për punën e tij krijuese është laureuar me disa çmime letrare dhe mirënjohje, ndërsa disa nga poezitë dhe tregimet e tij janë përfshirë në disa antologji në gjuhën shqipe e në gjuhë të tjera.

Ai në një intervistë dhënë Infodirekt.tv na flet për librin e tij më të ri që titullohet “Hiri i fjalës” e që është një përmbledhje me poezi.

Ai në këtë intervistë kujton me nostalgji kohën e tij kur ishte edhe gazetar. Madje, ai tha se ende shkruan nëpër gazeta, ndonëse këtë e bën shumë rrallë.

“Nëpër gazeta shkruaj tepër rrallë. Po të mos ishte gjendja fyese sigurisht do të shkruaja më shpesh… Por, kohët e mira paskëtaj vijnë, do të thoshte rilindësi ynë i madh, Naim Frashëri” tha Sylaj për Infodirekt.tv.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë:

Infodirekt.tv: Siç edhe e do rendi, përshëndetje z.Sylaj dhe faleminderit që këni pranuar të bëjmë intervistë së bashku për lexuesit e Infodirekt.tv

Sylaj: Përshëndetje edhe për ty Vlora, si dhe për gjithë lexuesit e portalit tuaj.

Infodirekt.tv: Atëherë na thoni se kur keni filluar të merreni me shkrime?

Sylaj: Çdo punë e mirë dhe e bukur si parashenjë e mundësisë, nis si dëshirë e si ëndërr. Kjo ka të bëjë me trashëgiminë tonë e të ndërlidhur me magjinë e këngës e të përrallës, që janë përplotësim i jetës. Kjo dëshirë e ky pasion janë rritur nga kontakti me fjalën e shkruar nëpërmjet mësimdhënësve të mi (veçmas të Letërsisë e të gjuhës shqipe), të revistave letrare për fëmijë e për të rritur (si, “Pionieri” e “Jeta e Re”).
Vjershën e parë e kam shkruar në klasën e tetë. Me mjaft naivitet kam nisur të shkruaj roman që në vitin e parë në gjimnaz… Pastaj s’kam reshtur së lexuari, së studiuari e së shkruari.

Infodirekt.tv: Sa libra keni shkruar deri më tani?

Sylaj: Kam botuar vetëm katërmbëdhjetë tituj librash (poezi, prozë, dramë, ese). Sigurisht se, si çdo shkrimtar kam shkruar shumë më shumë, disa prej të cilave m’i ka gëlltitur zjarri i luftës në vitet 1998 e 1999, qoftë poezi, tregime, ese e ditarë. Edhe këto ndodhi (sado të hidhura) janë pjesë e sprovave jetësore e krijuese. Sepse, rruga për te lira kalon në shtigje dhembjesh, vuajtjesh e urtish e mbase edhe çmendurish të shumta. Fundja, siç thotë urtia e dija shkencore, diamantet krijohen nën shtypje të mëdha.

Infodirekt.tv: Ku frymëzoheni ju për shkrimet?

Sylaj:Thuhet se shkrimtari lind, ai nuk bëhet apo nuk formohet. Një qenie e tillë e ka të domosdoshme punën krijuese. Këtë domosdoshmëri, ai (d.m.th., edhe unë) e përmbush me lexim e kërkim të pareshtur. Pas punës pasionante lind edhe frymëzimi e dëshira, motivi e nxitja për të shkruar (letërsi). Këtë gjendje shpirtërore pastaj e trazojnë a e ngacmojnë edhe nxitësit e jashtëm. Paqja kthehet pas lindjes (krijimit, veçmas pas botimit) dhe krijuesi ndihet ndoshta ngjashëm si lehona.

Infodirekt.tv: Ju pëlqen të shkruani më shumë poezi apo tregime?

Sylaj: Është një thënie e Pikasos, sipas të cilit, çdo fëmijë është artist, por problemi është si mund të mbetesh artist edhe kur të rritesh. Këso mënyre, poezia ndërlidhet me rininë e dashurinë (me shpirtin e shenjtë), por çështja është si të dashurosh gjithmonë? Prandaj, besoj që sa herë shkruaj poezi ndihem i ringjallur, sado që krijuesi veçanërisht ringjallet në leximin e veprës së tij nga të tjerët. Proza, ndërkaq, është një shkallë tjetër pjekurie që kërkon përvojë, dije, kulturë, energji e shkathtësi krijuese. Që të krijohen mjeshtërisht e bukur as njëra e as tjetra nuk është lehtë. Sidoqoftë, unë mundohem t’i krijoj pothuajse paralelisht që të dyja (edhe poezinë, edhe tregimin), krahas aktiviteteve të tjera krijuese e intelektuale.
Sepse fundja, siç e ndiej domosdoshmërish: krijoj, pra ekzistoj!

Infodirekt.tv: Libri i fundit, të cilën e keni shkruar e botuar është “Hiri i fjalës” dhe me të morët pjesë në konkursin letrar te Klubi Letrat “De Rada” (Ferizaj), ku e fituat një çmim, çka mund të na thoni më shumë për këtë ngjarje?

Sylaj: Në fund të vitit 2014 në konkursin e Klubit Letrar “De Rada” të Ferizajt, për dorëshkrime me poezi, roman, e dramë, libri im në dorëshkrim (“Hiri i fjalës”) u vlerësua me çmimin e parë që mundësoi edhe botimin e tij e më pastaj edhe përurimin më 15 janar 2015. Në fakt, në këtë veprimtari u paraqitën “Fjalë e ngrirë” – roman nga Biser Mehmeti (fjalën rasti mbajti: Gëzim Arifi), “Hiri i fjalës” – poezi nga Ragip Sylaj (referoi: Sibel Halimi), “Drama” – nga Bardh Frangu (foli: Shpëtim Selmani). Takimin e moderoi, poetja e studiuesja Dije Demiri – Frangu, ndërsa gjallërinë ia shtoi edhe artisti i këngës, Osman Shehu.

Infodirekt.tv: Përpos në Klubin Letrar “De Rada”, a keni marrë pjesë edhe në ndonjë konkurs tjetër?

Sylaj: Konkurset letrare, veçmas për krijuesit e rinj letrarë, janë edhe njëfarë testi ose autotesti. Kam pasur fat të konkurroj e të fitoj çmime të shumta me krijimet e mia në konkurse letrare të revistave, të gazetave e të klubeve letrare. Kjo sa është njëfarë verifikimi e vetëbesimi po as është edhe nxitje e motivim për punë të mëtejme krijuese.

Infodirekt.tv: Keni punuar edhe si gazetar në të përditshmet “Bota Sot” dhe “Zëri” dhe si gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, a mund të na flisni më shumë për eksperiencën tuaj si gazetar?

Sylaj: Puna krijuese letrare në njëfarë mënyre e forme më ka çuar në gazetari. Gazetaria është një aktivitet intelektual me rëndësi të pakontestueshme personale e shoqërore. Eksperiencat e mia janë të ëmbla e të hidhura, siç është edhe vet jeta (jonë). Nëpërmjet letërsisë i kam përmbushur zbrazëtitë e mia shpirtërore, ndërsa nëpërmjet gazetarisë më është dashur të ushqej barkun… Në rrethanat tona shoqërore, ekonomike e kulturore s’janë aspak të lehta as puna në gazetari e as ajo në letërsi (që të bëhen si duhen). Por më thoni, çka ka të lehtë e me vlerë në këtë jetë e veçmas në botën tonë?!

Infodirekt.tv: A vazhdoni të shkruani ende shkrime për gazeta?

Sylaj: Nëpër gazeta shkruaj tepër rrallë. Po të mos ishte gjendja fyese sigurisht do të shkruaja më shpesh… Por, kohët e mira paskëtaj vijnë, do të thoshte rilindësi ynë i madh, Naim Frashëri.

Infodirekt.tv: Çfarë qëndrime mbani tash për gazeta: “Bota Sot” dhe “Zëri”?

Sylaj: Unë për shkak të natyrës së punës, çdo mëngjes e hapi dhe e lexoj çdo gazetë që del në Prishtinë. Pasi që i përpunoj faqet që kanë të bëjnë me diplomacinë i hapi ato të kulturës. Për secilën gazetë gëzohem kur gjej diçka të bukur e me vlerë të kënaqshme. Ndoshta nuk jam i detyruar të mbaj qëndrim ndaj gazetave “Bota Sot” e “Zëri”. Unë edhe pas kaq vitesh ato nuk i shfletoj pa nostalgjinë, sepse në një gazetë ku është paraqitur produkti yt shpirtëror doemos të krijohen lidhje emocionale. Sa për “Zërin” dhe “Botën Sot”, por edhe për mediumet e tjera të informimit mendoj se sa më profesionalisht që bëhen aq më mirë e kryejnë funksionin e vet dhe aq më të dashura do të jenë edhe për lexuesit.

Infodirekt.tv: Libri juaj “Hiri i fjalës” në sa cikle apo njësi poetike është i sistemuar?

Sylaj: Libri im më i ri i poezive, “Hiri i fjalës”, është strukturuar në këtë formë: moto e tij është vënë thënia e shkrimtarit dhe eruditit të letërsisë argjentinase e botërore, Jorge Luis Borges: “Poezia nuk është më pak misterioze se elementët e tjerë të Universit.” Libri paraprihet nga poezia, “Letër emnakut”, ( të cilën në një rast e kam plasuar me titullin “Letër Ragip Sylajt në Sllapuzhan” e në një rast tjetër – në Kukës – e kam lexuar me titullin “Bisedë me kipcin”), ndërsa përmbyllet me atë, “Në kërkim të vetes”. Ndërmjet këtyre dy krijimeve poetike qëndron materia letrare e organizuar në këto cikle a njësi poetike: Iluminim, Fundi i ankthit, Pëlcitje zbrazëtie, Kryehimn.

Infodirekt.tv: A jeni duke punuar për ndonjë projekt tjetër të radhës?

Sylaj: Besoj se çdo shkrimtar pavarësisht prej asaj çka nxjerrë në dritë (d.m.th., çka boton) e ka edhe projektin e radhës, siç thoni ju. Këtë vit pres të më botohet një vëllim shkrimesh diskursive; më konkretisht një libër esesh letrare. Pas finalizimit të këtij projekti, planifikoj të përqendrohem te një libër prozash, në të cilin po punoj qe shumë kohë. Projektet e tjera qoftë të shkruara qoftë të pashkruara përplotësohen nga puna e vazhdueshme krijuese, një veprimtari që zhvillon secili krijues në fshehtësitë e laboratorit a të punëtorisë së tij krijuese.

Box

Vepra të tjera letrare nga Ragip Sylaj:

1. Hije e gjallë (poezi), “Rilindja”, 1986,
2. Anatomia e rrënjës (poezi), “Rilindja”, 1989,
3. Obsesioni (tregime), “Rilindja”, 1992,
4. Lisi i shenjtë (poezi), “Fjala”, 1993,
5. Përhitja (tregime), “Plejada”, 1996,
6. Mëngjes qumështor me akull (poezi), “Rozafa”, 2000,
7. Humbella e fërgëllisë (tregime), “Rilindja”, 2001,
8. S’kam kohë të jetoj me vdekjen (tregime), “Rozafa”, 2004,
9. Eliksir (poezi), “Rozafa”, 2007,
10. Estetika e misterit (ese), “Elena Gjika – Dora d’Istria”, 2008,
11. Hija e shtëpisë (tregime), “Rozafa”, 2008,
12. Ma jep dorën (poezi për fëmijë), “Rozafa”, 2010.
13. Dy drama (drama), “Rozafa”, 2012.

Më Shumë

Lajmet e Fundit