10.1 C
Prizren
E enjte, 5 Shkurt, 2026

Rahovec/ I dyshuari mohon se e vrau e më pas e dogji vëllain e tij

I akuzuari Gani Kriezi ka mohuar se në shkurt të 2020-ës në Bërnjak të Rahovecit e ka vrarë dhe më pas e ka djegur vëllain e tij, B.K.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari mohoi fajësinë për vrasje të rëndë, ndërsa e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të dy armët që janë gjetur në shtëpinë time i kam dorëzuar vetë”, tha i akuzuari Kriezi.

Më pas, prokurori Buzhala e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas tij, armët për të cilat i akuzuari e pranon fajësinë janë të përfshira në kryerjen veprës penale të vrasjes së rëndë.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Halim Shala, e ka mbështetuar deklarimin e prokurorit për mospranimin e fajësisë sa i përket armëmbajtjes pa leje.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Afrim Radoniqi tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, kanë ardhur në përfundim për pranimin e fajësisë lidhur me pikën dy të aktakuzës.

Më pas, gjykatësi Drilon Haraçia, e ka refuzuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit sa i përket armëmbajtes pa leje, pasi që vepra penale e vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje kanë lidhshmëri mes vete.

Ai i njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, por se kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të parashtrojnë me shkrim kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.

Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, Altinit Jashar Cukiqit, në emër të një borxhi.

Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drunj, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga Neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Dardan Cena në garë për medaljen e bronztë në Sofia European Open 2026

Xhudisti kosovar Dardan Cena ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer në turneun Sofia European Open 2026, duke arritur deri në luftën për medaljen e...

Punimet restauruese në Xhaminë Mesxhid në Prizren drejt përfundimit

Punimet restauruese në Xhaminë Mesxhid po i afrohen fazës përfundimtare dhe po realizohen me kujdes të shtuar profesional, duke respektuar vlerat autentike të këtij...

Lajmet e Fundit