2.1 C
Prizren
E shtunë, 28 Dhjetor, 2024

Remzi Ademaj – Komandant Petriti i UÇK-së dhe KMDLNJ-së

Behxhet Sh. SHALA -BAJGORA

Burgu i Lepogllavës , Kroaci : Remzi Ademaj ishte arrestuar për herë të dytë dhe ishte dënuar pasi u zë në kufi me Italinë në përpjekje për të dërguar fëmijët e Jusuf Gërvallës në Gjermani. Një burrë i urtë , i matur , i durueshëm për të dëgjuar të tjerët por këmbëngulës në mbrojtje të qëndrimeve politike. Me pasion fliste për Jusuf Gërvallën , punën e tij kombëtare në emigracion , pjesë e së cilës , deri sa u arrestua ishte Remziu .

Bacën Adem Demaçi e vendoste në fronin e Zeusit , zot i zotave në luftë për çlirim , liri dhe bashkim kombëtar. Deri në kohën kur kaloi në përjetësi . Në Lepogllavë shpesh ia merrte këngës shqiptare , me një zë jo shumë të lartë por se kishte një repertoar të gjerë të këngëve shqiptare . Remzi Ademaj e kishte ndarë mendjen dhe rrugën duke mos e pranuar asnjë pengesë , çfarëdo qoftë ajo , drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar. Ishte i butë dhe nuk e kishte konstruktin fizik si psh.

Fehmi Lladrovci , për një luftë dhe nuk kishte ndonjë përvojë ushtarake dhe luftarake. Thjesht , si shumica e shokëve , besonte në ideal të cilin e ndiqte pa menduar aspak për pasojat . Kur në vitet e 90 – ta u liruam nga burgjet llogore të Kroacisë , shumica u angazhuan në KMDLN-jë , pastaj në sindikata , në parti politike për të degëzuar rrjetin edhe në fshatrat më të largëta të Kosovës , gjithnjë sipas kërkesës së Bacës Adem , i cili , qysh në fillim të viteve të 90 – ta e kishte të qartë se lufta ishte e pashmangshme , nëse duam lirinë.

Remziu e bëri Nënkëshillin e KMDLNJ- së në Zhur që mbledhte çdo informatë , përpilonte raporte të rregullta dhe , në të njëjtën kohë formoi grupet e para guerile , si shpirti , mendja dhe trupi i së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës .

KMDLNJ- ë , me ardhjen e Bacës Adem në krye , e pas tij edhe e shumicës së të burgosurve politikë , e forcoi substancën kombëtare duke e dobësuar substancën jugosllave dhe serbe, që si kameleoni përpiqeshin të gjenin strehë shpëtimi për aktivitetin antikombëtar në Jugosllavi dhe Serbi. Remzi Ademaj ishte duke u përcjellur vazhdimisht nga udbashët shqipfolës prandaj duhej të tërhiqej në ilegalitet . Paraprakisht ishte një marrëveshje që të gjithë anëtarët e KMDLNJ- së që shkuan në UÇK , duhej ta lenin një person në zyrat në terren për të informuar kurse , edhe ata që luftuan në mënyrë aktive , gjatë tërë kohës raportonin në KMDLNj si , gjenerali Shaban Shala , Elmi Reçica , Remzi Ademaj e të tjerë.

Pasi Remzi Ademaj kishte marrë përgjegjësi të reja , duke u kthyer , në fshatin Nashec ra në një pritë të ushtrisë serbe me ç’rast , pas një lufte , thuaja pa gjasa për shkak të raportit të forcave , Remzi Ademaj shkoi në fund të rrugëtimit që e kishte përcaktuar që nga koha kur u bind se çdo sakrificë ia vlente për liri. Thonë se çdo gjë në këtë botë ka çmim të kalkulueshëm , vetëm liria nuk ka çmim , madje pa liri as jeta nuk ka kuptim. Baca Adem dhe të gjithë shokët e Remziut e përjetuam rëndë këtë humbje të një njeriu të jashtëzakonshëm , patriotit idealist , të pathyeshëm dhe një shoku shembullorë. Mirëpo , duke e njohur Remziun , e kishim të qartë se ai ishte fati për të cilin ishte përcaktuar me vullnet , bindje , dëshirë dhe besim të paluhatshëm e që rrezatonte gjatë çdo bisede me shokë.

Përvjetori i datës 15 gusht 2024 dhe Kulla Kombëtare ” Remzi Ademaj ” :
Dr. Haki Gashi , mjek dhe ushtar i UÇK – së që kishte kaluar një kohë me Komandant Petritin , një ditë para se të vritej i lajmëroi të gjithë shokët për ditën e përkujtimit për Komandant Petritin dhe përurimin e Kullës në Zhur. Natyrisht se shkuam aty , Nuhi Ahmeti , Avdullah Dërguti , Binak Dinaj , Elmi Reçica , Besim Baraliu , unë , doktor Hakiu që kishim punuar dhe bërë burg me Remzi Ademajn. Në një kohë kur temperatura shkonte deri në 39 shkallë. Pikëtakimi i parë ishte Kompleksi Memorial në Landovicë ku prehej Komandant Petriti dhe Heronjt e Kombit , ushtarë të dy komandantëve legjendar, atij politik , Bacë Adem Demaçit dhe Legjendarit Adem Jashari. Gjendja e këtij komleksi për mua ishte shqetësuese dhe dëshpëruese , pa u mirëmbajtur si duhet , disa pllaka anësore ishin dëmtuar .

Mjerim , vërtet mjerim. Në kohën kur në Prishtinë ishin ndarë fillimisht 50 mijë euro për rregullimin e varrit të Rugovës , të cilit gjatë luftës nuk i mungoi as edhe një fije floku , varrezat e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit në Landovicë , ishin dëmtuar nga puna e bërë jo mirë dhe nga mungesa e mirëmbajtjes. Në Zhur ishte një organizim i paorganizuar ku ishin tre komunitete , shokët e burgut dhe të luftës së Remzi Ademajt , burokracia politike dhe zhurjanët. Në një hapësirë të improvizuar para Kullës ” Remzi Ademaj ” , ishin vendosur karrike të plastmasit për mysafirë , pa asnjë mbrojte nga dielli përvëlues prej 39 shkallësh. E pabesueshme kur ta keni parasysh faktin se aty ishin të burgosur politikë , thuaja të gjithë mbi moshën 60 vjeçare dhe me shëndet të rrënuar. Realisht , më së keqi e pësuan nga nxehtësia Elmi Reçica dhe Enver Hoxhaj që ishin veshur sipas protokollit. Në bisedë me shokë , përkatësisht sipas pohimeve të Dr. Hakiut , vetëm Bali Muharremaj dhe Ramiz Lladrovci janë të denjë të organizojnë mbledhje apo takime në përkujtim të vlerave kombëtare , pa bërë dallime politike dhe partiake dhe duke respektuar maksimalisht të përkujtuarit dhe mysafirët që marrin pjesë në këto ceremoni.

Në fshatin Nashec u ndalëm vetëm 10 minuta për ta nderuar Komandant Petritin dhe tokën e Shenjtë Shqiptare që u njomë me gjakun e Patriotit të Madh , Remzi Ademajt , Komandant Petritin. Pata rastin dhe kënaqësinë që e takova Komandant Zafën me të cilin këmbyem disa analiza të thella politike për situatën politike të shkaktuar nga pacientët e ikur nga Institucioni Special në Shtime , sipas Zafës. Edhe Kadri Kryeziu ishte aty. Askush nga pushteti aktual nuk ishte aty, nuk ishte as Donika Shvarc për ta respektuar dhe nderuar burgun e Remzi Ademajt që e bëri për ta. LDK nuk ishte aty , as në gjurmë. Këta mohues të luftës , litinë e kanë të pamerituar , e kanë haram sepse Remziu dhe Heronjtë e Kombit nuk e flijuan veten vetëm për shokë , miq dhe familje por për popullin Shqiptar , Shqipërinë dhe Shqiptarinë. Turpi ju mbuloftë.
Remzi Ademaj në pamje të jashtme ishte i ftohtë si akulli , në brendi ishte vullkan që shpërthente gjithmonë kur e thërriste Zëri i Atdheut dhe i Popullit në luftë për Liri dheBashkim Kombëtar. Ishte udhëtar i përjetshëm në rrugën e lirisë që fillonte me Bacë Adem Demaçin dhe që përfundonte me Adem Jasharin. Në rrugën e Lirisë takohej me Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin , Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën , Ilaz Kodrën dhe Ymer Alishanin – trimin e madh , Komansant Vogëlushin , Shaban Shalën dhe të gjithë ata që ranë për Kombin dhe Atdheun.

Nuk ka pasur asnjë kuptim që në ceremoninë e prerjes së shiritit së Kullës ” Remzi Ademaj ” të mos jetë asnjë shok i burgut sikur që asnjë shok të mos e merr fjalën e rastit. Nuk ka pasur asnjë kuptim që mos t’i ipet fjala Zafir Berishës , familja e të cilit , brez pas brezi anjëherë nuk e ndali luftën për liri të shqiptarëve. Dhe i cili kishte respekt për Remzi Ademajn.

Kur bëhet respekti për vlera kombëtare duhet të përjashtohet përcaktimi politik dhe partiak . Për vlera kombëtare duhet të flasin ata që kanë këto vlera kurse historinë e shkruajnë profesionistët. Sot është një fushatë e hatashme kundër luftës dhe kundër UÇK- , e koordinuar dhe nga njerëz të pavlera , nga ndryshku moral dhe kombëtar , nga psikopatë dhe psikooate që e kanë ulur bythën në karriken e pushtetit pikërisht falë sakrificës së këtyre që aq shumë i sulmojnë , nga njerëz pa histori në të kaluarën e që duan ta ndryshojnë historinë , mbetje të milicëve të Serbisë që flisnin shqip , prokurorë , gjykatës , hetues , dhunues , trashëgimtarë të veprave supreme kombëtare që mbiemrin e përdorin vetëm për vota dhe pushtet. Këta munguan në përkujtimin për Remzi Ademajn dhe mirë bënë që nuk ishin aty. Ndotës të vlerave kombëtare dhe hajdutë të veprave dhe sakrificave të patriotëve shqiptarë.

Po hajt , Komandant Petriti t’ia japim një kënge dibrane , lumjane …more shqiptare siç ia jepje në Llogorin e Lepogllavës : ” Elez Isufi , arusha e malit , sa fort po i vret askerët e kralit , sa fort po i pretë e po bënë o kërdinë e , o përgjatë brigjeve të Drinit të Zi e , bini o trajma , bini…”

Nga shokët e burgut dhe të luftës : Dr. Hakiu , Nuhiu , Duli , Elmiu , Baraleci , Binaku , Tahir Hani , Basriu , Idrizi dhe unë , shkarravitësi i shkrimit , Behxheti .

 

Më Shumë

Kastrati viziton kishën katolike në Kërvasari, thekson rëndësinë e harmonisë ndërfetare

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka vizituar sot Kishën Katolike në fshatin Kërvasar, ku është pritur nga Don Fran Kolaj, një intelektual...

Në Dragobil të Malishevës përurohet shkolla e re “Emin Duraku”

Sot, në kuadër të aktiviteteve infrastrukturore, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), nën udhëheqjen e ministres Arbërie Nagavci, ka përuruar shkollën e...

Lajmet e Fundit