Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Prizren, Arbër Rexhaj është i bindur se në zgjedhjet e 3 nëntorit qytetarët do të lënë në harresë traumën e keq-qeverisjes të dy doktorëve. Ai thotë se keq-qeverisja e Prizrenit nga Eqrem Kryeziu dhe Ramadan Muja, do të mbetët, si një përvojë makthi të dy ish- doktorëve.
“Traumën e keq-qeverisjeve mund ta lënë në harresë, si një përvojë makthi të dy ish doktorëve. Ndryshimi mund të ndodh tani. Ai vjen me ne, si gjeneratë e re, si personazhe të rinj, me vlera humaniste, intelektuale e njerëzore. Ne po vijmë jo për ta ndryshuar historinë e qytetit, por për t’ia kthyer historinë atij”, thotë Rexhaj për “PrizrenPress”.
Ai thotë se Vetëvendosje!, pas nëntorit, do të jepë shembullin e qeverisjes së mirë. “Do të jemi shembulli i mirë i qeverisjes dhe do të angazhohemi të gjithë së bashku. Prizreni nuk është vështirë për t’u qeverisur, nëse atë e bën përmes participimit të përgjithshëm qytetar. E për atë tërë kohën Vetëvendosje! në mënyrë të veçantë kërkon qytetarin aktiv”.
Rexhaj tregon se në këto zgjedhje Vetëvendosje! në Prizren ka hyrë për t’i fituar. “Ne kemi hyrë për të fituar. Nëse vullneti i qytetarëve konsiston në ndryshim atëherë ne do të fitojmë. Ne garojmë për herë të parë në këto zgjedhje komunale, kryesisht me figura të reja politike, me qytetarë e aktivistë të cilët janë të vullnetshëm, të drejtë dhe të përkushtuar”, shprehet ai.
Ai thotë se Vetëvendosje! ka qenë opozitë kryesore në Prizren. ”Më nuk do të merrem as më PDK-në dhe as me LDK-në. Sepse gjithçka çka kemi pasur për të thënë veçse e kemi thënë, po ashtu mjaft kallëzime penale i kemi deponuar në Prokurorinë Komunale në Prizren. Jemi munduar me çdo kusht t’i ofrohemi drejtësisë, por ajo gjithmonë ka heshtur dhe mendoj që është shumë e vonuar. Po ashtu edhe si qeverisje të gjitha lëndët që kanë pikëçuditësa ne edhe si qeverisje do t’i dërgojmë në duart e drejtësisë”.
Sipas tij, dy doktor shkencash, Ramadan Muja dhe Eqrem Kryeziu, gjatë qeverisjes së pasluftës e kanë dergarduar qytetin e Prizrenit. “Deri më tani dy vetë kanë udhëhequr me Prizrenin. Që të dy kanë qenë të arsimuar deri në shkallën përfundimtare. Kanë qenë doktor shkencash. Eqrem Kryeziu ka qenë doktor i letërsisë dhe Ramadan Muja, doktor i shkencave historike. Dr. Eqremi, vetë me duart e veta e ka kallur komunën, duke dashur të fsheh keq-qeverisjen dhe korrupsionin dhe nepotizmin ndërsa Dr. Ramadan Muja, e ka denigruar deri në atë shkallë qeverisjen saqë tani përballet me drejtësinë”, vlerëson Rexhaj.
Ai tregon se Vetëvendosje! është drejtë përfundimit të përgatitjes së alternativës për Prizrenin. ”Alternativën po e përgatisim dhe ajo është drejt përfundimit, gjatë tërë fushatës atë do ta prezantojmë përpara qytetarëve. Ne do të angazhohemi për transparencë absolute, sepse atë e shohim si shenjë të kualitet dhe jo si çështje mode”, thotë Rexhaj.
Ai thotë se gjatë ditëve në vijim, Vetëvendosje! do ta prezantojë alternativën të ndarë në të gjitha fushat. “Po ashtu qytetarët do ta kenë në formatin e shtypur”, tregon Rexhaj./PrizrenPress.com/
Intervista e plotë
PrizrenPress: Pse vendoset të kandidoni për kryetar të Komunës së Prizrenit?
Unë punoj si profesor, jam edhe shkrimtar, kam kryer studimet për letërsi dhe shkenca politike, nuk jam doktor shkencash. Kam një jetë prej shkrimtari të ri dhe aktivisti të VETËVENDOSJE!-s qysh në fillime. Gjatë studimeve, leximeve e aktiviteteve në Lëvizje kam menduar si shumë të tjerë që teksa doktoron, në një fushë të caktuar një person nënkuptohet që bëhet i dobishëm dhe i vlefshëm për shoqërinë . Mirëpo dy doktorët, si Ramadan Muja dhe si Eqrem Kryeziu kanë treguar se ç’dinë të bëjnë. Tani, për mua dhe aktivistët e Lëvizjes është një betejë konceptuale, prandaj jemi të hapur për këtë…
PrizrenPress: A jeni i sigurt se do t’i fitoni zgjedhjet në nëntor?
Ne në këto zgjedhje kemi hyrë për të fituar. Nëse vullneti i qytetarëve konsiston në ndryshim atëherë ne do të fitojmë. Ne garojmë për herë të parë në këto zgjedhje komunale, kryesisht me figura të reja politike, me qytetarë e aktivistë të cilët janë të vullnetshëm, të drejtë dhe të përkushtuar.
PrizrenPress: Cili është vlerësimi i Juaj për kandidatët e partive të tjera dhe a frikësoheni se mund ta rrezikojnë fitoren tuaj?
Deri më tani dy vetë kanë udhëhequr me Prizrenin. Që të dy kanë qenë të arsimuar deri në shkallën përfundimtare. Kanë qenë doktor shkencash. Eqrem Kryeziu ka qenë doktor i letërsisë dhe Ramadan Muja, doktor i shkencave historike. Dr. Eqremi, vetë me duart e veta e ka kallur komunën, duke dashur të fsheh keq-qeverisjen dhe korrupsionin dhe nepotizmin ndërsa Dr. Ramadan Muja, e ka denigruar deri në atë shkallë qeverisjen saqë tani përballet me drejtësinë.
Sot Prizreni gjendet në një kaos urbanistik, i cili është ravijëzuar nga qeverisja e LDK-se dhe vazhdon me këtë të PDK-së. Nga Shadërvani, e deri në Kurrillë, nga Ortakolli e deri në Bazhdarhanë, nga Tabakhaneja e deri tek lagjet tjera të qytetit, kemi shkatërrimin e qytetit. Ky qytet ka mundur të krijoj diçka të mirë vetëm me vullnetin personal të vetë qytetarëve, prandaj kemi organizimet e Dokufestit, Zambakut të Prizrenit dhe organizimeve tjera.
Jashtë këtyre ky qytet është i pajetë, si pasojë e këtyre dy doktorëve ky qytetet është sëmurë rëndë. Prandaj qytetarët duhet ta ngjallin këtë qytetet të ish dy doktorëve.
Ka ardhur koha për ndryshim. Vetë qytetarët mund të bëjnë atë. Traumën e keq-qeverisjeve mund ta lënë në harresë, si një përvojë makthi të dy ish doktorëve. Ndryshimi mund të ndodh tani. Ai vjen me ne, si gjeneratë e re, si personazhe të rinj, me vlera humaniste, intelektuale e njerëzore. Ne po vijmë jo për ta ndryshuar historinë e qytetit, por për t’ia kthyer historinë atij.
PrizrenPress: Si e vlerësoni në përgjithësi qeverisjen aktuale të Komunës së Prizrenit?
Komuna e Prizrenit, e ka reputacionin më problematik në tërë Republikën e Kosovës. Nga keq-qeverisja, në korrupsion e nepotizëm, me keqpërdorimin e parasë publike, qytetari prizrenas nuk ka mundur të marrë frymë dhe të jetoj në mënyrë normale. Prandaj kemi aq shumë aktakuza të ngritura nga prokuroria, nga kryetari dhe deri tek drejtoritë përkatëse, këta pushtetarë lokalë gjenden para drejtësisë. Mendoj që janë komprometuar aq shumë saqë drejtësia deri më tani është vonuar ta thotë fjalën e vet.
PrizrenPress: E konsideroni të domosdoshëm kthimin e qeverisjes së mirë në këtë komunë?
Sigurisht. Me alternativën tonë ne do të japim shembullin e qeverisjes së mirë. Do të jemi shembulli i mirë i qeverisjes dhe do të angazhohemi të gjithë së bashku. Prizreni nuk i vështirë për t’u qeverisur, nëse atë e bën përmes participimit të përgjithshëm qytetar. E për atë tërë kohën VETËVENDOSJE!, në mënyrë të veçantë kërkon qytetarin aktiv.
PrizrenPress: Çka do të fitojë Prizreni me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes?
Shembullin e mirë të qeverisjes domosdoshmërisht. Alternativën po e përgatisim dhe ajo është drejt përfundimit, gjatë tërë fushatës atë do ta prezantojmë përpara qytetarëve. Ne do të angazhohemi për transparencë absolute, sepse atë e shohim si shenjë të kualitet dhe jo si çështje mode. Lehtësim tatimor për bizneset që prodhojnë dhe punësojnë, subvencionet për bujqësinë do të mbërrijnë deri në 10 për qind, për katër vitet e qeverisjes sonë. Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe funksionalizimi për vizitorë, një rrjet punonjësish dhe udhërrëfyesish turistik, krijimi i kushteve për artistë të rinj, po ashtu edhe për sportistët e Prizrenit, etj.
Gjatë ditëve në vijim ne do ta prezantojmë atë të ndarë në të gjitha fushat dhe po ashtu qytetarët do ta kenë në formatin e shtypur.
PrizrenPress: Vetëvendosje vazhdimisht ka kritikuar dhe ngritur zërin kundër korrupsionit. Si do të luftoni këtë fenomen që është instaluar në Komunën e Prizrenit?
Ne kemi qenë opozita kryesore e qytetit të Prizrenit. Më nuk do të merrem as më PDK-në dhe as me LDK-në. Sepse gjithçka çka kemi pasur për të thënë veçse e kemi thënë, po ashtu mjaft kallëzime penale i kemi deponuar në Prokurorinë Komunale në Prizren. Jemi munduar me çdo kusht t’i ofrohemi drejtësisë, por ajo gjithmonë ka heshtur dhe mendoj që është shumë e vonuar. Po ashtu edhe si qeverisje të gjitha lëndët që kanë pikëçuditësa ne edhe si qeverisje do t’i dërgojmë në duart e drejtësisë.