Partitë politike – me ndonjë përjashtim – sërish po kandidojnë për kryetar komunash njerëz të konsumuar e pa pikë kredibiliteti. Si mund të jenë alternativë e mirë politike ata dështakë e të inkriminuar që nuk iu japin llogari qytetarëve, por shefave të vet?
Emra zyrtarësh partiakë, ndër të cilët edhe humbës të betejave zgjedhore në të kaluarën po riciklohen nëpër lista partish, si kandidatët “më të mirë” për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Alternativa kurrfare po iu ofrohen qytetarëve, ndërkohë që emra të tjerë të respektuar në thuajse secilën komunë, por që nuk janë militantë partish, po anashkalohen e injorohen.
Sikurse thuaja në çdo palë zgjedhje lokale deri më tash, partitë politike në përgjithësi nuk po mund të marrin guximin që për të parët e komunave të kandidojnë njerëz me kredibilitet qoftë nga jeta akademike e shoqëria civile, qoftë nga biznesi, e që nuk janë argatë të tyre. Njerëz të cilët do të nderonin qytetarët dhe komunat e tyre po që se do të kishin mundësi të zgjedheshin.
Është e pakuptueshme dhe e palogjikshme që sërish të kandidohen për kryetarë njerëz të konsumuar, të cilët kanë udhëhequr me vjet bastione partish dhe që janë mposhtur më pas nga rivalët. Njerëz që nuk mbahen mend për gjë të hajrit gjatë qeverisjes së tyre. Ashtu siç është logjikë e mbrapshtë të kandidosh për kryetar ata, të cilët komunat e tyre viteve të fundit i kanë parë vetëm në televizor dhe nuk kanë informata të mjaftueshme për problemet, me të cilët përballen qytetarët që jetojnë atje.
Natyrisht, mund të gjendet edhe ndonjë shembull i mirë, si kandidimi i ndonjë afaristi të suksesshëm ose ndonjë intelektuali të ndershëm, por shumica e emrave të bërë publik deri më tash lënë shumë për të dëshiruar.
Ka ardhur koha që t’iu jepet rasti njerëzve të pakonsumuar që të tregojnë veten. Njerëzve që gëzojnë kredibilitet në shoqëri, që nuk janë të përlyer në afera krimi e korrupsioni.
Por, për t’i kandiduar të tillët lypset guxim – guxim i subjekteve politike, të cilat në raste të tilla zor se ndryshojnë qasje dhe dhe më me zor pranojnë që ndonjë kandidat potencial – militant të vetin ta zëvendësojnë me dikë që nuk ka kontribuar– qoftë duke financuar, qoftë duke vjedhë sadopak për partinë.
Në këtë mënyrë, pushteti lokal mbetet në duar të njerëzve, të cilët interesat partiake i vënë para interesave të qytetarëve – të cilët i janë borxhli partisë, e jo votës së qytetarëve, të cilët i japin llogari partisë, e jo sovranit. Në duar të njerëzve të inkriminuar e të përfolur për dallavere dhe keqpërdori pushteti.
* * *
Kandidimi i femrave për të para të komunave është tregim në vete. Partitë politike ende nuk iu besojnë femrave, sa për t’u dhënë rastin të marrin përgjegjësi. Punë e madhe se ato janë të zonjat, punëtore dhe e meritojnë të qeverisin. Ende burrat janë ata, të cilëve iu besohet më shumë.
Femrat kandidate për kryetare komunash do të mund të ishin një alternativë e mirë për votuesit – jo kandidate vetëm sa për sy e faqe – ta zëmë në komuna ku partitë nuk synojnë fitore, por kandidate të forta që luftojnë seriozisht për të fituar.
Po t’i dëgjosh liderët teksa flasin për hapësirën që ua kanë dhënë femrave në parti, të krijohet përshtypja se barazia gjinore në këtë aspekt është temë e tejkaluar moti. Por, realiteti është ndryshe.
Në të shumtën e rasteve, pavarësisht se mund të mbajnë pozita të larta, femrat nëpër parti konsiderohen vetëm si numra dhe janë aty ku janë vetëm në emër të njëfarë barazie të stisur gjinore. Përndryshe, pakkush i pyet për diçka.
Ky mentalitet i të bërit politikë duhet të ndryshojë dhe femrat nëpër forume partish politike nuk duhet të jenë vetëm shkaku i gjinisë dhe kuotave diskrimunuese, por për shkak të punës, profesionalizmit dhe meritave që kanë.
Në këtë mënyrë, në listat për të parët e komunave do të duhej që ato të konkurrojnë në pozita të barabarta me kolegë të tyre meshkuj dhe me rivalë politikë.
E, ku ta marrësh që partitë të kandidojnë femra me kredibilitet nga sfera publike, aso çfarë ua kanë zili edhe meshkujt më të zotë.
* * *
Zgjedhjet do të mbahen, njerëzit do të votojnë e dikush nga ata që i servojnë partitë do të zgjedhet kryetar komune. Por, pyetja thelbësore që shtrohet është nëse ata do të jenë aq të pjekur politikisht, sa të mos bëhen shërbëtorë të subjekteve që i kanë propozuar, por të jenë në shërbim të atyre që i kanë votuar.
Në këtë ambient politik dhe me këtë mentalitet të të bërit politikë, duket se duhet pritur edhe shumë për kandidatë çfarë do të duhej të ofroheshin. Deri atëherë do të kemi mundësi të vendosim për t’ua dhë votën të ricikluarve e dështakëve, dallaverxhinjve, të inkriminuarve e të konsumuarve, militantëve e injorantëve. Me shumë, shumë pak përjashtime. Fatkeqësisht.