18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Rrëfehet Hydajet Hyseni: Ja pse kandidoj me Vetëvendosjen

Hydajet HyseniMe Vetëvendosjen edhe qytetari, edhe Kosova është vetëvetja. Unë nuk e kuptoj logjikën: “ose me mua ose armiq e dëmtues të njëri – tjetrit”. Nuk i gëzohem dëmtimit të cilido subjekt politik. Alternativa qeverisëse e Vetëvendosjes është alternativë gjithëpërfshirëse autentike dhe paravajtëse dhe është e vetmja që shkrin në një të vetme edhe atdhetaren, edhe shoqëroren, dhe humanisten, edhe tradicionalen, edhemodernen dhe progresisten. Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni, flet për Express.

EXPRESS: Pse vendosët t’i bashkoheni Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes?

HYDAJET HYSENI: Çdo ndarje a bashkim imi politik është motivuar nga arsye parimore, kryesisht si sakrificë dhe eksluzivisht nga bindja se kjo i duhet kauzës së lirisë, shtetformimit, përparimit dhe drejtësisë shoqërore.

EXPRESS: Cilat janë arsyet e largimit nga PDK, çka mund të bëjë partia juaj e re më shumë se PDK?

H. HYSENI: PDK ka luajtur nje rol të rëndësishëm historik, ashtu sic e ka luajtur më parë edhe LDK. Por ashtu si edhe LDK-ja më parë, PDK, nga forcë levizëse është shndërruar në faktor ngatërrues e bllokues të procesit. PDK ,e cila, në nismë, ishte alernativë dhe tejkalim dialektik i LDK-së, pas ngjitjes në pushtet u tjetërsua dhe u përfshi nga një proces i degradimit ose të them figurativisht, nga një proces i LDK-izimit, që e tjetërsoi gjerësisht dhe thellësisht. Siç e kam thënë në letrën lamtumirëse, pa mohuar të arriturat e pamohueshme dhe përpjekjet vijuese konstrutive, sidomos në nivelin bazë të partisë, dhe efektet e atykëtushme pozitive, nuk mund të mohohet dhe as të mbulohet përshtypja se e gjithë politikëbërja e këtyre viteve të fundit kishte probleme dhe difekte serioze që në nismë, edhe në motiv, edhe në qasje, edhe në rrjedhë. Anomali serioze dhe procese degraduese shpërfaqen madje edhe lidhur me profilin partiak, përfaqësimin shtetëror, ligjin, moralin e madje edhe me identitetin e shenjtë kombëtar…

Me qasjen dhe prirjet aktuale që ka, nuk është e besueshme, që PDK do ruajë vlerat, frymen dhe shpirtin e saj themeltar dhe të vazhdojë të jetë në nivelin e misionit të shpallur historik. Përkundrazi.

“Misioni i ri” i PDK-së, në masë të madhe, del si mision i vjetër dhe premtim i madh “veresie”, ( a la LDK dikur),kurse LDK me fryme te tejkaluar, as nuk mundet dhe as nuk bën të jete ”alternativë” e së ardhmes…

Vota për PDK-në përthehet si vota për ngecje e blokim ngulfatës, ndërkaq vota për LDK-në, sido që të motivohet, do të trimëronte e sforconte prirjet prapakthyese në modele e korniza historikisht të tejkaluara. Nuk ecet perpara me LDK-izim të PDK- së dhe aq me pak me LSPP-izim të LDK-së, por me modele te deshmuara demokratike evropiane.

Thonë: historia është dramë që luhet gjithmonë nga aktorë të rinj.

“Vetëvendosja” nuk është parti, por lëvizje. Albin Kurti dhe brezi i tij rinor janë dëshmuar si bërthamë prijëse e kthesës historike në kohën e paralizës politike e shoqërore në kapërcyellin e mijëvjeqarit dhe besoj se janë forca lëvizëse edhe e kthesës së ardhshme, nga e cila varet e ardhmja e Kosovës, madje edhe e kombit.

Sic ishte LDK alterantivë e LKJ-së dhe PDK alternativë e LDK së, Vetëvendosja sot është alternativë më e mirë, nëse jo e vetmja, e të dyjave bashkë.

Mevetëvendosjen si parim parësor, me drejtësinë shoqërore dhe shikimin paravajtës ka qenë e mishëruar në vijimësi e gjithë Lëvizja kombëtare dhe progresiste shqiptare. Lëvizja ” Vetëvendosje”, jo vetëm që është dëshmuar si formacioni me konsekuent në kursin e vetëvendosjes kombëtare, por e ka zgjeruar dhe shtrirë këtë parim edhe në rrafshin e brendshëm shoqëror. Mendoj se është pikërisht kjo që i nevoitet si drita e Diellit, jo vetëm Kosovës, por edhe gjithë hapësirës shqiptare.

EXPRESS: Shumë herë keni dalë kundër nismave të PDK’së dhe Qeverisë e ndonjë herë keni abstenuar. Pse keni qëndruar në një parti që realisht zëri juaj nuk është përfillur?

H. HYSENI: Si deputet, jam munduar të vendos e të votoj sipas ndërgjegjës sime dhe perceptimit tim të interesit të vendit dhe të votuese. E kam përkrahur qeverinësa herë kam menduar se e ka pasur drejt, e kam kundërshtuar kur kam vlerësuar se e ka gabim, dhe kam abstenuar, kur nuk janë përfilluar procedurat ose propozimet e mia procedurale a përmbajtësore , ose kur kam konsideruar se midis dy zgjidhjeve të gabuara kishte një zgjidhje të tretë e të drejtë. Ata që spekulojnë, ose nuk kanë përcjellë të gjitha seancat e Kuvendit të Kosovës, fjalimet e votimet, ose nuk i njohin praktikat parlamentare, ose thjeshtë bëjnë politikë.

As tashi në PDK dhe as më parë në LDK, nuk jemi nxituar të ndahemi, ngase nuk e kemi dëshiruar ndarjen dhe kemi shpresuar në sanim e konsolidim. Zakonisht ndarja arsyetohet vetëm pasi harxhohen mundësitë e konsolidimit. Unë edhe tash dëshiroj dhe uroj konsolidim politik, e funksionim demokratik edhe të subjekteve të braktisura.

Sa për zërin tim, nuk është krejt e e keqja nëse nuk përfillet zëri im, por nëse nuk përfillen interesat e vendit dhe popullatës, nëse shkilen e shpërfillenpostullatet atdhetare, demokratike, shoqërore, morale e njerëzore mbi të cilat është ngritur subjekti.

EXPRESS: Eksiston një përshtypje se në PDK ish-të burgosurit politikë janë margjinalizuar. A mund të ndodh që edhe në VV si në parti të tjera, të ketë margjinalizim të dikujt e favorizim të dikujt tjetër?

H. HYSENI: Nuk besoj dhe nuk dëshiroj ta besoj. Do të ishte një indicie e rrezikut të fenomenit që ka dëmtuar aq shumë subjekte seniore të pluralizmit politikë në Kosovë dhe madje, gjithë proceset politike e shoqërore. Në vend të një soj demokracie false, instrumentalizuese e manipulative, Lëvizja Vetëvendosje ka ideale autentike dhe ka adoptuar modelin e Ukshin Hotit për demokracinë tonë autentike. Kjo besoj do ta imunizojë atë nga influencat dhe ingjinieringjet eventuale komercializuese, instrumentalizuese e degraduese.

Sa i përket veprimtarëve veteranë të Lëvizjes sonë Clirimtare, marrë në përgjithësi, ata nuk janë preokupuar aq me trajtimin e tyre personal sa të kauzës së tyre jetësore. Ata, me ndonjë përjashtim, janë dëshmuar, dhe ku më shumë e ku më pak edhe janë trajtuar, si faktor koheziv, konstruktiv, vetëmohues dhe mbështetës të sinqertë të brezave të rinj që ngriten mbi vlerat tona tradicionale dhe janë të brumosur me vlerat dhe kërkesat e kohës dhe të ardhmes së synuar. Duke respektuar brezat pararendës, brezi i ri respekton vetveten dhe rrit respektin për vetveten dhe anasjelltas.

Për konsolidim dhe bashkim atdhetar e progresist

EXPRESS: Sa do ta dëmtojë PDK-në largimi i juaj, i Fatmir Limajt, i Jakup Krasniqit?

H. HYSENI: Asnjë ndarje ime politike nuk ka qenë e motivuar nga synimi për dëmtimin e subjektit të mëparshëm. Unë nuk e kuptoj logjikën: “ose me mua ose armiq e dëmtues të njëri – tjetrit”. Nuk i gëzohem dëmtimit të cilido subjekt politik. Përkundrazi. Angazhohem për konsolidim të përgjithshëm dhe bashkim të gjerë atdhetar e demokratik paravajtës të të gjithë atyre që kanë në zemër e në mendje të ardhmen e lirë, të pavarur, paqësore, të pajtuar, të zhvilluar, të shëndoshë, të drejtë e të përbashkët… U muar vesh, duke respektuar dallimet ekzistuese, pozicionet, interesat dhe çasjet e secilit. Ndodhemi ende në situatë që na kërkon të shikojmë në radhë të parë atë që na bashkon dhe jo atë që na ndan. Si skuadra garojmë me njeri tjetrin, por kur luan kombëtarja jemi bashkë.

I mbahem motos oponente, por vëllezër. Sic kam kundërshtuar fyerjet dhe denigrimet në adresë të Albin Kurtit me shokë, kundërshtoj çfarëdo shprehje ofenduese në adresë të cilitdo oponent politik. Fyerjet e sharjet politike kthehen bumerang.

EXPRESS: Çfarë mund të na thoni për fenomenin e kalimit nga një subjekt në subjektin tjetër politik?

HYDAJET HYSENI: Subjektet politike demokratike janë bashkim i lirë e vullnetar dhe jo banda mafioze, në të cilat po hyre njëherë, nuk del dot pa rrezikuar shumë. Për më tepër rrugëtimi ynë politik është i një karakteri jo thjeshtë politik. Është një rrugëtim i tipit të rrugëtimeve epike. Nëse dëshiron të ecësh pa u ndaluar, ose duhet të gjesh mënyrën për të riparuar karrocën e për të ndërruar rrotat e prishura në ecje e sipër, ose nëse kjo del të jetë e pamundshme detyrohesh të ndërrosh karrocen, madje ndonjëherë megjithë kuaj. Për hirë të karrocës nukshkohet në destinacion të gabuar, aq më pak në theqafje.

Funksionimi demokratik – kusht i suksesit

EXPRESS: Keni thënë se “nëse një parti që udhëheq Shtetin apo mëton ta drejtojshtetin duhet të jetë shembull së pari në parti, ngase nëse dikush shkel normat në parti do t’i shkelë edhe normat e shtetit”. Cilat norma vlerësoni se i ka shkelur PDK-ja apo ku ka devijuar?

H. HYSENI: Po. Kjo është thënë e stërthënë nga të tjertë, por ështe dëshmuar si e vërtetë e madhe edhe në përvojën tonë. Funksionimi i rregulltë dhe demokratik i partive politike është themeli i demokracisë. Devijimet në themel deformojnë gjithë konstruksionin. Mendoj se kjo është thembërr e Akilit e Kosovës. Është më lehtë të pyetet cilat parime e norma demokratike nuk shkilen se sa të pyetet cilat shkilen. Nuk mjafton të shpallet vendi Republikë Demokratike. Pa demokraci të brendshme, partitë kthehen në banda të mëdha që pamundësojnë, madje ngulfasin demokracinë. Edhe në kuptimin e saj, Republika ka në thelb Ligjin dhe publiken, ndërkaq pjesa e dytë e nocionit Demokraci, “cracia”– sundim ka kuptim pozitiv vetëm si Sundim i Demosit, pra i popullit. Çdo sundim tjetër është jo sundim i popullit, por sundim mbi popullin.

Ata që sundojnë dhe nuk drejtojnë mbi parimet dhe normat demokratike partitë politike, nuk mund të mos synojnë sundimin edhe të vendit dhe popullit. Nuk meriton të votohet për herë të tretë subjekti që e dështon dy herë me radhë, para kohe dhe me kalkulime edhe me vetveten, edhe me trupin më të lartë përfaqësues-Kuvendin.

EXPRESS: A ishte e nevojshëm shpërndarja e Kuvendit në këtë kohë dhe zgjedhjet e parakohshme?

H. HYSENI: Vetëshpërndarja e Kuvendit, pa vullnetin e deputetëve, por me imponimin e liderëve partiak, me do kalkulime profitere partikulariste, pikërisht në stinën më produktive edhe institucionale, edhe ekonomike e prodhuese, madje edhe arsimore, ishte jo vetëm një vetëgoditje e rëndë procesit të shtetformimit, por edhe një autogol zor i përballueshëm ndërkombëtar në garën për integrim evropian. Të bësh aq kërkesa për refomë zgjedhore, të marrrësh edhe fonde e ndihma nga jashtë për të bërë legjislacionin e ri dhe t’i raportosh punët gjysmë të kryera sitë kryera dhe pastaj të kthehesh e t’i injorosh ato që janë bërë, te injorosh edhe kërkesat nga Komisioni Evropian për reformë zgjedhore, kjo do të thotë të bësh që raportet për zgjedhjet në Kosovë apriori të marrin një minus të madh që më parë. Ky minus mund të jetë edhe një pengesë e lartë në vrapimin me pengesa të Kosovës për integrim evropian. Edhe po të bëjmë zgjedhje shembullore, ato do të prodhojnë një legjislaturë të dënuar që punën e parë që do ta bëjë do të jetë pushimi veror.

EXPRESS: Si e vlerësoni programin e Vetëvendosjes, e cili parasheh barazi sociale?

H. HYSENI: Alternativa qeverisëse e Vetëvendosjes është alternativë gjithëpërfshirëse autentike dhe paravajtëse dhe është e vetmja që shkrin në një të vetme edhe atdhetaren, edhe shoqëroren, dhe humanisten, edhe tradicionalen, edhemodernen dhe progresisten. Finalizimi i projektit të lirisë dhe shtetndërtimit dhe integrimit kombëtar evropian dhe ndërkombëtar është në korelacion të drejtë e të natyrshëm me aspektet tjera të proceseve aktuale historike. Republika dhedemokracia nuk janë vetëm slogane, por janë thelbi dhe kodi i organizimit dhe funksionimit shoqëror. Mbi këtë bazë ngritet shteti ligjor, shteti zhvillimor dhe shteti i drejtësisë shoqërore…

Edhe subjekte tjera elektorale bëjnë thirrje për të votuar për vetëveten. Por qytetarët , para se të vendosnin do të duhej të pyesnin a janë ato subjekte vetvetja dhe tek pastaj të vendosnin. Edhe Lëvizjes “Vetëvendosje” mund t’i bëhen vërejtje, por një gjë është e pamohueshme, Vetëvendosja është Vetëvetja. VV. Në Vetëvendosje mund të jesh vetëvetja. Me Vetëvendosjen edhe qytetari, edhe Kosova është vetëvetja.

EXPRESS: Sa është e profilizuar skena politike?

H. HYSENI: Jo, në vend se të profilizohet skena jonë politike është feudalizuar. Prandaj ndodhë që gjysma lindore e Kosovës të mos ketë as një dhjetëmetërsh rrugë me katër korsi, asnjë ministër dhe asnjë investim të rëndësishëm… Anamorava është favorizuar vetëm me komuna xhune monoetnike!

Për më tepër tabela e shahut e skenës politike të Kosovës është krejt e hallakatur, luhet vetëm me damë duke treguar përralla me mbret.Të gjitha figurat e rënda vendosen në krahun e djathtë, kurse në anën tjetër dhe në qendër shtyjnë masën e ushtarëve dhe ndonjë oficer… Prandaj skuadra jonë përfaqësuese e shahut luan gjithmonë në pjesën e vet të shahut, dhe jo vetëm sakrifikon me lehtësi lojën, madje edhe figurat , madje edhe vetvetën…

Përfaqësuesit e zgjedhur që shprehen se kanë mendimin e vet, por nuk pajtohen me mendimin e tyre, por pajtohen me mendimin e porositur të shefave të tyre dhe suflerëve të shefave të tyre, nuk meritojnë më votën e qytetarëve.

Kosovës i duhet si kusht si në qua non, thënë me gjuhën e presidentit Ruzvelt,përfaqësim dhe qeverisje të popullit, nga populli, me popullin dhe për popullin.

Më Shumë

Furnizimi me tekste shkollore, flet ministrja Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur lidhur me procesin e furnizimit të shkollave me tekste shkollore dhe mjete mësimore. Nagavci në një konferencë për...

Adriano Galliani martohet serish në moshën 80-vjeçare

Në moshën 80-vjeçare, senatori i Forza Italia, Adriano Galliani do të martohet me të dashurën e tij prej kohësh, Helga Costa. Kjo është martesa...

Lajmet e Fundit