19.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Ruajeni këtë djalë ,se do t’i duhet atdheut!

Jakupkrasniqi10-6Shkruan: Jakup Krasniqi

(Në vend të përkujtimit të 22 janarit 1998)

Para një kohe, kur po bisedonim me Rifat Jasharin për familjen e tij, flisnim për vitet e shkuara, për miqtë e familjes, për kujdesin që Shaban Jashari kishte për familjen e djemtë e tij, për kujdesin e dashurinë që kishte për djalin e vogël -Ademin, për dashurinë që kishte për tokën, për shkollën e lirinë, për festën e 28 Nëntorit dhe kombin shqiptar. Më tregoi për një mik të veçantë të Jasharëve, për Arif Mangjollin, i cili në një rast, kur Adem Jashari në vjeshtën e vitit 1991 po kalonte atypari, do t’i porosiste Shaban Jasharin dhe Rifatin, si vëllai më i madh (i Ademit dhe i Hamzës) që ishte:”Ruajeni këtë djalë se do t’i duhet vendit”. Mbase kjo ishte thjesht një rastësi (a nuk thuhet qëkur se rasti është mbret i botës!), por për mua është një profeci e cila s’ka sesi të mos tregohet, kështu që vendosa të shkruaj për këtë profeci, sepse jemi dëshmitarë tek e shohim të realizuar në Kosovën e lirë: Për djalin u kujdesën, aq sa mund të ishte kujdesi për njerëzit nën okupim, edhe pse Adem Jashari kishte një dhunti përmasash hyjnore, ndaj ajo që mund të themi sot është se ai vërtet iu gjend dhe iu desht aq shumë vendit dhe popullit të tij. Pa vendosmërinë a këtij “djali” nuk do ta arrinim lirinë.

Pra, fjala largpamëse e një miku të sinqertë tek pati thënë “ruane këtë djalë se do t’i duhet vendit (atdheut – J.K.)”, kaloi në përmasat e një profecie. E thënë nga një njeri i thjeshtë, një fshatar i urtë, drejtuar pa asnjë hezitim Shaban dhe Rifat Jasharit, për Adem Jasharin që rrezatonte me aureolën e çlirimtarit, këtë legjendar modern të shqiptarëve. Është interesante të thuhet se shpesh njerëz të veçantë, ndoshta krejt spontanisht, mbase edhe pavetëdijshëm, profetizojnë, parashohin dhe moralizojnë në bazë të shenjave të pavërejtshme nga njerëzit (vdekatarët) e tjerë. Kjo profeci, mbase nuk është e vetmja kur flitet për komandantin legjendar Adem Jashari. Para shumë vitesh, duke xhiruar një film dokumentar, regjisori i njohur Isa Qosja, me ta parë Ademin, atëherë në moshën tejet të re, do të pyeste:“Kush është ky njeri?” Do t’i tregojnë se është djali i Shaban Jasharit, ndërsa Isai, regjisor me përvojë, do të “zbërthejë” aty për aty karakterin e Ademit: “Paska tipare të trimave të moçëm! Moti nuk kam parë shqiptar me këto tipare!”

Një shenjë tjetër e veçantë duhet të jetë edhe dita e lindjes, 28 nëntori i vitit 1955, ditë kjo që shumë herë popullit shqiptar i ka sjellë mbarësi. Është njëra ndër festat më të rëndësishme të kombit shqiptar. Kjo datë lidhet me kthimin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Krujë, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, me çlirimin e Shqipërisë nga nazi-fashizmi më 29 nëntor 1945 dhe, së fundi, fillimi i luftimeve të hapura më 25/26 nëntor 1997. Janë këto shenja që tregojnë se jo gjithçka është rastësi. Vendosmëria për të formuar ushtrinë e Kosovës, vendosmëria për të luftuar kundër makinerisë shtetërore serbe, vendosmëria për të mos u dorëzuar, duke luftuar pushtuesin me ndërgjegje të lartë kombëtare (dhe me tërë familjen!), sigurisht që nuk janë rastësi.
J

anë virtyte, janë porosi për një mision të caktuar.
Në rastin tonë është më shumë se një mision dhe, si i tillë, më shumë se fisnik. Nëse kemi parasysh faktin se deri te epopeja e Jasharëve kishte një kufizim në mobilizimin e UÇK-së, pas kësaj date kemi një mobilizim të paparashikuar të popullit shqiptar në përgjithësi dhe, veç kësaj, ndodhi edhe ndërhyrja më e fuqishme ndërkombëtare: ndërhyrja e NATO-s, e cila atë botë për çdo shqiptar ishte e pamundur të konceptohej. Shembulli i flijimit biblik nuk mund të ishte farsë apo falsitet në luftën e drejtë dhe të pabarabartë. Ndaj, drejtësinë e luftës çlirimtare, veç të tjerash, e dëshmon edhe koha e shkurtër e luftës, kur shumëkush ka menduar se luftërat në pjesët e tjera të FJ-së do të konsideroheshin “lojë fëmijësh” në krahasim me atë që do të ndodhte në Kosovë. Por, parashikimi nuk qe i saktë: Kosova shpëtoi me më pak viktima të luftës në krahasim më Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë. Shumëkush ka pritur se humbjet tona do të ishin pakrahasimisht më të mëdha. Ndodhi e kundërta. Sepse flijimi i Adem Jasharit dhe i familjes së tij ndodhi në një moment krucial (vendimtar), duke shpëtuar substancën dhe përmasat në territor dhe në potencialin njerëzor, në një unitet të paparë gjithëkombëtar si kurrë më parë. Gjaku i Jasharëve legjendarë, i burrave dhe i grave, i pleqve dhe i fëmijëve qe si një melhem për dhimbjen e kombit.

Sigurisht që edhe Kosova nuk shpëtoi lehtë dhe pa dëme të konsiderueshme, por liria nuk mund të ketë çmim tjetër, veç lavdisë, e cila nuk vjen pa një çmim tepër të lartë. Edhe shkencëtarët, diplomatët dhe analistët më të shquar amerikanë thonë se nuk ka integritet të personalitetit aty ku nuk ka shkallë të lartë të rrezikshmërisë. Këto “zbërthime teorike” edhe mund të mos i njihte Adem Jashari, por ai qe i bindur se lufta ishte shpëtimi i vetëm për shqiptarët. Ndaj edhe e nisi atë, dha shumë si askush tjetër, ndërsa kombi i tij fitoi duke qenë se ai ishte i bindur në fitore.
Të gjitha këto tregojnë se Adem Jashari ishte personalitet që kishte një integritet të veçantë, integritet që njerëzve u kishte rënë në sy që herët. Këtë më se miri e dëshmon angazhimi i tij i vendosur për t’u përgatitur për formimin e ushtrisë së Kosovës. Nuk gabojmë kur themi se pa formacionin e armatosur të Adem Jasharit, nuk do të formohej UÇK-ja, pa flijimin e tij, të familjes së tij dhe të lagje së Jasharëve, me më shumë se 58 njerëz apo frymë të moshave të ndryshme nuk do të mobilizohej një popull i tërë, siç ndodhi me popullin e tij, popullin shqiptar në tërësi, për luftën heroike çlirimtare.

Adem Jashari dhe Jasharët legjendarë nuk u bënë legjendarë për pasuri e katandi, pasi pasuria dhe katandia nuk u mungonte, por u bënë legjendarë pse u flijuan për liri e shqiptari. Ata mbetën një kujtim i veçantë në historinë më të re të Kosovës.

Këtu dhe në këtë pikë dallon Adem Jashari nga personalitetet e tjera të lavdishme të historisë së kombit tonë nëpër kohë. Ndaj dhe ky dallim është i madh. Nëse personalitetet e tjera i kanë korrë edhe sukseset e fitores, kundërshtarëve politikë apo edhe ideologjikë u janë hakmarrë shpesh dhe pamëshirshëm, Adem Jashari me strategjinë e tij ka formuar formacionin e parë të UÇK-së, duke ia kthyer armikut pushkën e lirisë. Strategji, guxim dhe bindje se lufta jonë nuk duhet të ishte guerile, por luftë popullore e frontale, gjë që u tregua e suksesshme dhe se përfundimisht rënia e tij bëri që shqiptarët njëherë e mirë ta mundnin frikën, të mobilizoheshin më me efikasitet se çdo herë tjetër në luftën çlirimtare, duke ndikuar që Bashkësia Ndërkombëtare ta mbështeste luftën tonë çlirimtare përmes bombardimeve të Aleancës Veriatlantike. Të gjitha këto rezultuan me çlirimin Kosovës, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ushtria e Adem Jasharit dhe lufta e UÇK-së bëri që bota ta mbështesë Kosovën në të drejtën e saj. Kosova u çlirua dhe u bë shtet me integritetin e saj të njohur ndërkombëtarisht.
Pra, Adem Jashari ia përgatiti popullit shqiptar rrugën e mëvetësisë dhe ajo tashmë ka ndodhur, pra është realitet i prekshëm gjithandej: populli shqiptar jeton i lirë!

Adem Legjendari është Kryeati i luftës çlirimtare dhe i pavarësisë së Kosovës, i cili vendit tonë i solli lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Jetës sonë kuptimshmëri! Njeriut tonë identitetin shtetëror- Republikën e Kosovës.

Si përfundim, shumica e personaliteteve që i njeh historia jonë (dhe ajo botërore), kanë dhënë dhe kanë marrë nga vendi dhe populli i tyre. Madje jo pak kanë përfunduar deri në fatalitet, ndërsa të rrallë janë ata,të cilët ciklin e tyre jetësor e kanë mbyllur me nder e lavdi të pacenueshme.
Adem Jashari është personalitet që atdheut nuk i mori asgjë, por i dha gjithçka që pati duke arritur atdheu i tij i idealizuar realizimin e lirisë dhe të pavarësisë. Pas luftës, shumë bashkëluftëtarë të tij, nuk i shpëtuan tundimit të lakmisë për të tërhequr vetëm nga vetja, si një fushë e shëmtuar magnetike. Por, Jasharët mbetën me tërë dinjitetin e palëkundur në truallin e vet. Ata qëndruan dhe qëndrojnë ashtu siç duhet qëndruar: të patundur si para vështirësive, ashtu dhe para lakmive njerëzore.
Lavdi Jasharëve legjendarë!
Lavdi Adem Jasharit, i cili vërtet dëshmoi se i duhej atdheut si kurrë më parë!

Më Shumë

Lajmet e Fundit