14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Rugova: Hatim Baxhaku mori dyfish më shumë vota se Eqrem Kryeziu

Naser RugovaZërat që kërkojnë ndryshime në LDK, vazhdojnë të shfaqin pakënaqësi për gjendjen në parti. Përkrah zonjës Donika Gërvalla, më aktivi në këtë drejtim është Naser Rugova. Ai insiston që figurat e amortizuara dhe ata që nuk kanë marrë vota në zgjedhje, duhet të zëvendësohen, pasi, sipas tij, nuk kanë më çfarë t’i japin LDK-së. Ai është treguar skeptik edhe për qasjen e LDK-së për të hequr dorë nga posti i kryeministrit duke ia lënë këtë liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj
Anëtari i LDK-së, Naser Rugova, të cilit nuk iu gjet një vend në listën për deputet, vazhdon të insistojë se subjekti i tij ka nevojë për reformë të brendshme, sidomos pas rezultatit në zgjedhjet e 8 qershorit. Ai ka shpjeguar për Gazetën Tribuna, se nuk ka asgjë kundër “pleqve të LDK-së”, por ka kritika për figurat e vjetra në parti. Këta të fundit, sipas tij, nuk kanë më çka t’i japin subjektit politik. “Elektorati i ka dënuar disa figura të amortizuara. Unë vetëm i kam konstatuar faktet.

Marrim p.sh Prizrenin: Dr. Hatim Baxhaku merr dyfish më shumë vota se Eqrem Kryeziu. Dr. Baxhaku nuk është i ri në moshë, por është prurje e re në LDK dhe ka reflektuar pozitivisht tek elektorati. Pastaj Anton Quni, Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Arben Gashi e shumë figura të reja, kundruall disa të tjerëve që janë ndëshkuar nga elektorati”, ka thënë Rugova. Kjo gjendje, sipas tij, është tregues më i mirë se sa e nevojshme është reforma e shpejtë në LDK.

“Unë flas vetëm për nevojën e rifreskimit të vazhdueshëm të LDK-së dhe kërkoj reforma. Reformat nënkuptojnë gjetjen e një formule gjithëpërfshirëse dhe jo vazhdim me avaz të vjetër. Vazhdoj të qëndroj fuqishëm pas pozicionit se këto zgjedhje e paraqesin çastin e fundit për të reflektuar drejt ndryshimeve”, ka thënë Rugova. Ai ka vlerësuar se rezultati i 8 qershorit nuk është vetëm përgjegjësi e liderit Isa Mustafa por e një pjesë të njerëzve që sipas tij fshihet prapa liderit. “Rezultati i zgjedhjeve i ka identifikuar të gjithë këta që tërë kohën janë fshehur prapa liderit dhe që nuk e kanë dhënë ndonjë kontribut të dukshëm për fitoren e LDK-së.

Natyrisht as lideri nuk mund të shmanget nga përgjegjësia e tij, por kjo është një çështje që kërkon një debat më të gjerë dhe më serioz”, ka vlerësuar ai. Rugova që një kohë të mirë e kaloi edhe në Lidhjen Demokratike të Dardanisë, mohon se ka ambicie që të garojë për të parin e LDK-së kurdo që mbahen zgjedhjet. Sipas tij, këtë post duhet ta marrë ndonjë nga anëtarët e partisë të cilët kanë marrë vota në zgjedhjet e fundit, ndërsa është ankuar se struktura që po e kritikon, e ka privuar nga e drejta për të kërkuar vota më 8 qershor. Ai gjen edhe një arsye tjetër kur kërkon zgjedhje të shpejta në LDK. Kjo ka të bëjë me koalicionin e tri partive opozitare ku Isa Mustafa, partia e të cilit ka më shumë vota se dy partitë tjera, ka hequr dorë nga posti i kryeministrit. Ai ka kritikuar këtë qasje duke thënë se po krijohet precedent kur më i vogli po fiton pozita në krah të të madhit.

“Kam frikë se me këtë kombinim do të mund të instalohet përfundimisht primati i fuqisë së të voglit kundruall të madhit. Por, në të njëjtën kohë duhet cekur se sot të gjitha energjitë tona janë të fokusuara në parandalimin e një qeverie Thaçi 3 dhe kjo është diçka legjitime”, ka deklaruar Rugova. Lidhja Demokratike e Kosovës, për të tretën herë me radhë ka humbur zgjedhjet përball rivalit të PDK-së. Për herë të parë ndodhi në vitin 2007, kur kryetar ishte Fatmir Sejdiu, herën e dytë në vitin 2010 me kryetar Isa Mustafa, ndërsa humbja u përsërit edhe tash në vitin 2014. LDK pritet t’i futet së shpejti procesit të ri zgjedhor që do të rezultojë me zgjedhjen e organeve të reja gjatë vjeshtës.

Më Shumë

Në qytetin e Prizrenit dhe zonat periferike vazhdon dezinsektimi

Pasditen e djeshme, procesi i dezinsektimit në qytetin e Prizrenit dhe zonat periferike vazhdoi sipas planit, ka bërë të ditur Komuna e Prizrenit. "Dezinsektimi, që...

Hoxha Ahmed Kalaja: Përgëzime për gjykatën e Prizrenit për drejtësi në rastin e mësueses së diskriminuar në Suharekë

Hoxha nga Shqipëria, Ahmed Kalaja ka përgëzuar Gjykatën e Themelore të Prizrenit, për dënimin e ish- drejtori i shkollës “Flamuri i Arbërit” në Suharekë,...

Lajmet e Fundit