Lumnije Rakaj
Teksa rri dhe vështroj qiellin, mendoj. Pse një fjalë e hedhur, ashtu si pa të keq, lëndon aq shumë? A thua pse? Pse edhe fjalët janë armë? Ashtu siq mund të jenë ilaqi më i mirë, mund të hapin edhe plagë të pashërueshme, njëlloj si armët. Kjo nuk më pëlqen tek fjalët. Fare.
“ Fjala është e vogël”- thonë. A thua? Shpesh herë kam menduar në lidhje me këtë, po sikur nuk jam aq e bindur. Fjala mund të duket e vogël, por nuk është. Gjërat, ashtu si njeriu, nuk duhet të gjykohen nga dukja. Po fjala ndonjëherë më ngjan si njeri.
Mund të të jetë mik, mund të të jetë armik. Mund të të dojë, të të mbështesë, por edhe të të lëndojë, të të plagos. Të të plagos me të vërtetë rëndë. Fjala mund të hap plagë të pashërueshme, plagë që shumë vështirë mund të shërohen. Janë plagë të zemrës ato, që ndikojnë drejpërdrejt në ty. Në kundërshtim me plagët e armëve, plagët e fjalës nuk kanë kurim. Plagët e armës e kanë një ilaq, plagët e fjalës (zemrës) jo. Ose më mirë e kanë, por është e vështirë ta gjesh. Është me të vërtetë shumë e vështirë. Ai ilaq është një magji. Gjendet në secilin prej nesh. Por është i përcaktuar nga kush do të përdoret. Shpeshherë as ne vet nuk e kuptojmë se e kemi dhënë ilaqin. Ashtu si plumbi, edhe melhemi është fjalë. Por është një fjalë e bukur.
Megjithatë, kjo fjalë e bukur nuk mund të shëroj plotësisht. Ajo shëron, por përkohësisht. Plagët që hap fjala janë të rënda. Asnjë mjek a shkencëtar nuk mund t’i shëroj përfundimisht. Ato janë plagë që mbyllen për pak, por hapen shumë lehtë. Ato e bëjnë njeriun të vuajë shumë dhe gjatë. Plagët e fjalës janë plagët e zemrës së njeriut.
Ne të gjithë i kemi provuar këto plagë. E dimë se sa dhembin. Prandaj pyes veten:
“ Nëse dimë sa lëndojnë, pse i përdorim fjalët që plagosin? Pse i lëndojmë të tjerët?”
Ndoshta një ditë njerëzit do ta kuptojnë dhe nuk do t’i përdorin fjalët që plagosin, sepse sa plagos arma, aq edhe fjala.