Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës starton edicionin e gjashtë më datë 2 tetor. Pak i shtyrë, nga vera në vjeshtë, por sërish aty, me hijen e gladiatorit simbol të festivalit që ka sjellë në pesë vite emra nga të më spikaturit në kinematografinë botërore.
Personalitete të artit të shtatë që për herë të parë prekën Shqipërinë falë këtij festivali ambicioz dhe këmbëngulës që në ditët e para. Dhe po kaq këmbëngulës është edhe ky edicion, i përballur me krizën financiare, rotacionin e pushtetit dhe arkën bosh të shtetit shqiptar që në këto momente nuk ka luksin për artin, por për bukën e përditshme.
Megjithatë Anila Varfi, është në përgatitjet e fundit, sepse edhe në momentet më pesimiste të punës së saj, nuk e ka çuar nëpër mend të heqë dorë nga një “krijesë tashmë 6 vjecare”, shkruan gazeta Shqiptarja. Sepse drejtoresha artistike e njërit prej eventeve më të spikatur të kinemasë nuk pranon kurrsesi t’ia lërë të shkuarës me atë shprehjen tipike të përrallave “Na ishte njëherë….”
Anila, jemi farë pranë edicionit të 6 të IFF në Durrës. Cilat janë gjërat e fundit deri në ngritjen e siparit?
Nganjëherë në harkun kohor të një jave, çdonjërit prej nesh,mund t’i qëllojë ta rrokin shume gjera. Dikush gjen dashurinë, dikujt i vjen vdekja, dikujt i vjen apo i ikën pushteti … Pra ka gjithmonë shumë për të bërë.
Jemi mesuar tashmë që Festivali juaj të na sjellë plot surpriza. Ndaj për këtë edicion kishim një pritshmëri më të madhe në këtë drejtim, por duket se gjërat nuk kanë qenë të lehta këtë vit për ju…
Eh,ky edicion u gjend përballe “ një situate të paralajmëruar” , përballë krizës ekonomike. Togfjalëshin, se “Kemi shumë dëshirë që t`ju mbështesim” e dëgjonim ca si shpesh, por, faktet kokëfortë të realitetit na tregonin tjetër fytyrë. E di, se këtë togfjalësh që na përcillte prej çdo dere teknokratësh e kanë dëgjuar dhe shumë kolegë e artistë. Muzikë e njohur!!
Kjo ishte situata, shterpësi fondesh!! NE ose do të vendosnim të thuhej: “Na ishte njëherë, Durrës Film Festival, ose duhej të ecnim përpara, duke vënë në sprovë guximin, dëshirën, pasionin me të cilën e kishim rritur këtë krijesë. Eshtë e kotë të shtiremi se nuk ka ndodhur asgjë.
Ka ndodhur shumë, për arsye të mungesës së mbështetjes finaciare, (sado simbolike të ishte ajo) struktura programore dhe profili i këtij edicioni u vendos në udhën e ndryshimit. Ky edicion nuk ka garë Gladiatorësh për Filmin më të mirë europian apo ballkanik, nuk ka garë të filmit të shkurtër të Studentëve të Akademive të Filmit, nuk ka brandim të Ishullit të Festivalit, nuk ka juritë. nuk ka të ftuar specialë dhe miq nderi, nuk ka tapet të kuq…
Por çfarë sjell ky edicion?
Ky edicion vjen si një krijesë e re, që nuk ngjan aspak me krijesën e një viti më parë. Në fakt çdo edicion është një vit i ri, një krijesë që mbarset në kushte të pangjashme me ato të shkuarat.
Ky edicion është programuar si edicion RETROSPEKTIVE, duke pasur në program emrat më të mëdhenj të kinemasë botërore, që bënë epokë në kinema, duke filluar me kolosin e klasikëve, Charlie Chaplin. Filmi i tij “Diktatori i Madh” dhe “Kohët Moderne” janë diamantët e programit.
Më tej, programi RETROSPEKTIVE i këtij edicioni do të ketë shtrirje më të gjatë në kohë. Instituti Italian i kulturës në bashkëpunim me Durrës Film Festival, do të organizojë Retrospektivën e Kinemasë Amelio. Duke filluar në këtë edicion me filmin e fundit të tij “L`intrepido“ i cili vjen si premierë ballkanike në Durrës, e duke vazhduar nga muaji Shkurt 2014 deri në Qershor 2014, ku do të shfaqen 7 tituj të regjisorit Gianni Amelio në format 35mm.
Do të përmendja: “L`America”, “Ladri di Bambini”, dhe e gjithë kjo falë vizionit dhe përkushtimit që ka drejtoresha e këtij instituti Znj.Fulvia Veneziani. Konsideratë që vjen që nga dita e parë kur kjo zonjë e nderuar mori në dorë drejtimin e IIC.
Cmimin e Karrierës ky edicion ka nderin t`ja japë regjisorit Pirro Milkani. Ne kemi përzgjedhur tre filma prej filmografisë së tij në bashkëpunim të ngushtë me Arkivin Qëndror të Filmit, Znj Eriona Vyshka e në veçanti drejtoreshën Elvira Diamanti, që gjithmonë karakterizohet për ndjeshmëri të lartë artistike ndaj figurave të kinemasë shqiptare.
Gjithashtu një prej aktorëve veteran të Teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Z. Lutfi Hoxha do të ketë nderin t’i japim Cmimin e Karrierës, për rolet e realizuar me mjaft origjinalitet e profesionalizëm në kinema.
Ju u shprehët se kishit një pritshmëri të lartë për këtë edicion. Dhe ne ia kemi dalë që të hartojmë një program retrospektivë, me realizimet më të fundit të kinemasë botërore si dhe ato të hershme vendase e botërore. Filmi i Gianni Amelios, “ L’interpido” i cili do të jetë dhe filmi i hapjes së festivalit për këtë vit nuk do të shfaqet në sallën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. E ne kete rast duam të falenderojmë Bashkinë Durrës dhe Teatrin Aleksandër Moisiu.
Ndërsa ceremonia e Mbylljes së Festivalit do të zhvillohet në sallën e Kinema Millenium.
Durres IFF shpreh mirënjohje për Kinema Millenium dhe administratoren e kësaj kinemaje Eva Bashi e cila me bujari e ofron këtë sallë pa kushte. Durres Film do të ulë siparin e tij me një titull të ri të kësaj kinemaje,me filmin “Diana” të regjisorit Oliver Hirschbiegel.
Tejkaluam pritshmëritë,në kushtet e një organizimi të pambështetur financiarisht, por me shumë se në asnjë edicion tjetër i mbështetur dhe ushqyer nga dashuria për kinemanë, nga miq e kolegë brenda dhe jashtë vendit.Duke filluar me regjisoret e talentuar kosovarë të Thumbz Up production, Prishtinë që kanë dhënë një kontribut të paçmuar për realizimin e spoteve, për brandin e faqes së facebook të festivalit, për ftesat elektronike pasi, të gjithë miqtë, të ftuarit, dashamirësit e kinemasë do të jenë të ftuar përmes ftesave dhe njoftimeve elektronike. Dua te falenderoj Pluton Vasin per materjalet qe u punuan per aktorin Lutfi Hoxha. Mirënjohje për kontributin tuaj!!
Sa e vështirë është të organizosh nje Festival Filmi të metrazhit të gjatë në Shqiperi ku nuk ka industri filmi?
Me shume se vështirë! Dhe kjo nuk fillon nga industria, por fillon së pari nga pirateria që lulëzon pa kurrfarë problemi, Kështu që çdokush filmin më të fundit e sheh të tregtohet, apo të shfaqet në ekrane televizorësh,madje përpara se dhe vetë distributorët ta kenë shpërndarë atë.
Së dyti, mundësia se ku mund ta shohim këtë kinema. Shpesh,jo pak herë Durrës IFF është gjykuar si festivali që lindi në qytetin pa kinema. Por, realiteti i hidhur i kësaj mungese nuk është vetëm në këtë qytet. Ai është në shumicën e qyteteve shqiptare. Madje dhe ato pak kinema, që numërohen me gishtat e dorës qëndrojnë të hapura falë përpjekjeve që bëhen që këto kinema t’i mbijetojnë këtij realiteti deficitar për këto biznese. Dhe s`ka dyshim që mbahen në këmbë falë dashurisë që kanë administratorët e tyre për kinemanë, le t`a mendosh pastaj që investime të tilla të ndërtohen nga shteti dhe të mbahen me fondet e buxhetit të shtetit, në një kohë kur nevojat e përditshme janë dritat,uji dhe buka (bukën e përditshme falna Zot!!) Për pasojë ne kemi filluar të humbasim shijen e kundrimit të filmit në kinema.
Kjo pra është panorama mbi të cilën ne përpiqemi të organizojmë, madje, të kemi ambicjen të jemi të kuotueshëm në listën e gjatë të festivaleve në botë.
Si i shikoni këto gjashte vite dhe të ardhmen e këtij festivali? Ka shanse që aktivitetete të tilla të mbijetojnë për një kohë të gjatë në Shqipëri?
Si një energji dhe punë titanike për të kapërcyer barrierat e dukshme dhe të padukshme. Ajo që vlen të theksohet është se emri i qytetit të Durrësit përmes Durrës IFF ka shkuar nga njëra anë e botës në tjetrën përmes komunikimeve të vazhdueshme që bëjmë përgjatë gjithë vitit,për të bërë të mundur finalizimin e edicioneve. Përveç këtij komunikimi virtual, Durrësi me festivalin e filmit është prezent edhe në tregjet më të mëdha të filmit duke filluar me Berlin,Cannes,Toronto,Venecia,Los Angeles. Gjithashtu përmes Netëork Festival Durres Film, është i gjendur në ëebsitet e festivaleve që janë pjesë e këtij rrjeti.
E ardhmja! S’ka dyshim që do të jetë shumë më shpresëdhënëse pasi besoj se ka ardhur momenti që politikat e një vendi si ato sociale dhe ato kulturore të fillojnë të organizohen mbi bazën e projekteve afatgjata. Investimi në kohë dhe cilësi është një aset shumë i madh për traditën dhe trashëgiminë.
Keni pasur raste kur keni dashur të lini gjithçka?
Shpesh kam pasur revoltë përballë pamundësisë dhe shurdhërisë, por asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje se duhet të braktis një krijesë, që tashmë ka 6 vjet që ka lindur. Durrës Film Festival i takon çdo qytetari durrsak, çdonjërit prej jush që vit pas viti kontribuoni në një mënyrë apo një tjetër, në jetën e këtij aktiviteti kinematografik.Ndoshta këtë rradhë nuk po mundemi ta veshim krijesën me gjithë glamour-in që i takon, por, jemi të vetëdijshëm se bëmë të pamundurën për ta mbajtur në jetë. Shoë must Go On!
Mes vështirësish të shumta cfarë ju shtyn akoma drejt organizimit të këtij festivali?
Shpesh lulëzimi i kulturave që prej lashtësisë është lidhur me atë që quhet shembulli i qytetërimit dhe përparimit. Mes vështirësive e kaosit lindin sinteza të reja, sinteza që formojnë profilin e një portreti. Në këtë rast, eksperienca të ndryshme në ecurinë e një fetivali rrisin vetëdijen dhe forcën artistike të tij.
Kjo sfidë ekstreme finaciare,nxorri në pah forcën dhe aftësinë e stafit të Durrës Film Festival, për të gjetur në çfarëdolloj rrethane udhën e vazhdimësisë. Durrës International Film Festival Forever!!