0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shala: AAK-ja po e kërcënon PDK-në

bexhet Shala KMDLNJAnalisti politik Behxhet Shala paralajmërimet e AAK-së për mosmbështetjen e dialogut i ka vlerësuar kërcënuese për PDK-në dhe faktorin ndërkombëtar.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se AAK-së i ka dalë vonë “gjumi” për ta kundërshtuar dialogun me Serbinë. “Paralajmërimet dhe deklaratat e zyrtarëve të AAK-së për t’u larguar nga dialogu më tepër janë kërcënim ndaj PDK-së dhe bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht më shumë janë kërcënim ndaj PDK-së për ta forcuar pozicionin e saj në një koalicion të mundshëm me partinë e Thaçit. Ky qëndrim është i vonuar sepse vendimet e dëmshme për Kosovën janë marrë më herët. Pra, pjesa dërrmuese e marrëveshjeve të dëmshme tashmë janë arritur, ku Serbia e ka fituar datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE”, është shprehur Shala. Sipas Shalës, ky kërcenim i AAK-së është duke ndodhur për shkak të debaklit që ka pësuar në zgjedhjet lokale të vitit 2013. “Tash më shumë do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes sesa për marrëveshje të reja. Kështu që, AAK-ja më tepër këtë qëndrim e ka bërë si kërcënim dhe si një ‘pushkë e zbrazët’ për shkak të humbjes që ka pësuar në zgjedhje. Me këtë kërcënim është duke u munduar ta mbushë ‘pushkën’ për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë”, ka thënë Shala. Ai ka deklaruar se këto lëvizje taktike të AAK-së nuk do të kenë shumë ndikim në rritjen e partisë së Ramush Haradinajt. “Do të ketë një efekt të vogël, por jo çfarë është duke pritur AAK-ja, sepse Kosovës i janë bërë shumë dëme nga ky dialog”, është shprehur Shala.

Analisti Shala ka vlerësuar se largimi i mundshëm i AAK-së nga dialogu nuk çon fare peshë. “Dëmet nga ky dialog tashmë janë evidente. Përgjegjëse për këto dëme janë edhe AAK-ja, LDK-ja dhe PDK-ja. Në fund të fundit, në qoftë se ndërkombëtarët janë të interesuar ta mbajnë AAK-në në dialog, atëherë ata edhe më tutje do të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se dialogu me Serbinë nuk varet as nga PDK-ja e aq më pak nga AAK-ja. “Dialogu varet vetëm prej Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Në qoftë se këto dy vende janë të interesuara ta shtyjnë përpara këtë proces, tanët vetëm do t’ia bëjnë amin. Ajo çfarë mund të bëjë Kosova, është vetëm një zhurmë të vogël sa për publik, sepse në dialog ka hyrë pa asnjë kusht”, ka thënë Shala, duke mos e konsideruar si anëtar të AAK-së Blerim Shalën, i cili është koordinator i dialogut me Serbinë dhe nënkryetar i parë i aleancës. “Blerim Shalën nuk e konsideroj fort si anëtar i AAK-së. Ai është anëtar i AAK-së sipas detyrës që ia ka qitur vetes në këtë partie. Ai nuk është i lidhur me asnjë parti. Blerim Shala i ka lidhur bishtat me të gjitha partitë politike. Aty ku e ka parë interesin, ai ka qenë i gatshëm të hyjë në çdo obligim. Natyrisht, Shala nuk ka mundur të shkojë në dialog pa pëlqimin e Haradinajt. Të gjithë duhet ta dinë se Shala nuk paraqet asgjë në dialog. Nga ana e Kosovës, në dialog vendos vetëm Thaçi, të tjerët e kanë për detyrë vetëm t’i shkojnë mbrapa”, ka theksuar Shala.

Më Shumë

Dragashi inicion procedurat për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Qeveria komunale e Dragashit në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që të iniciojë procedurat e prokurimit për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal. Sipas njoftimit,...

Prizren/Avokati Asdren Mekaj shpallet i pafajshëm, lirohet nga akuzat për “detyrim”

Avokati Asdren Mekaj është liruar nga të gjitha akuzat që rëndonin mbi të lidhur me veprën penale “detyrim”. Aktgjykimi lirues është shpallur sot në Gjykatën...

Lajmet e Fundit