Ky aktivitet u shënua me simbolikën e ecjes këmbë nga Qendra e Mjekësisë Familjare, ‘Dr. Shpëtim Robaj’,  Bulevardit ‘Ibrahim Mazreku’ e deri të  objekti i komunës së Malishevës.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

“Ju jam mirënjohës për këtë aktivitet i cili ka të bëjë me ndërgjegjësimin e sëmundjes së kancerit të gjirit, që po prek çdo ditë e më tepër qytetarë pa dallim gjinish. Jam i shqetësuar dhe i preokupuar për shëndetin e qytetarëve dhe po mobilizohemi përditë e më mirë profesionalisht me potencialet tona  shëndetësore e civile që të  punojmë për informim e në veçanti për parandalimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe  të vetëdijesimit të qytetarëve për kontrollim  të kësaj sëmundje, që në paraqitjen e shenjave  të  para. Prandaj, ne si institucione do të gjejmë forma dhe mënyra për mbështetje institucionale dhe kjo  mbështetje nuk do të mungoi asnjëherë për pacientët e prekur nga kanceri i gjirit”, ka thënë Kastrati.

Sipas njoftimit të Komunës së Malishevës, në këtë ecje simbolike ishin të pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha, kryesuesi i Kuvendit, Argjent Thaçi, Vera Bytyçi, nga zyra për Barazi Gjinore, asamblistë komunal, drejtorë, kurse folës ishin edhe dr. Afrim Krasniqi, drejtor i QKMF-së dhe  Dr. Ganimete Bytyçi.

Në fund përvojat e tyre i ndanë edhe folëse të cilat u sfiduan nga sëmundja e  kancerit të  gjirit.

Ky aktivitet u organizua nga Komuna e Malishevës së bashku me institucionet publike shëndetësore e arsimore dhe të shoqërisë civile të kësaj komune.