Drejtoresha e shkollës fillore “Mustafa Bakiu” në Prizren,Behare Kryeziu, nuk ndjehet fajtore për lëshimin e dokumentit të falsifikuar. Thotë se për këtë lëshim është fajtor sekretari i shkollës.
“Vërtetimin kur unë e kam shkruar ia kam dhënë sekretarit të shkollës për verifikim. Ai nuk e ka kryer punën e vet, gjë që nuk ka ndodhur vetëm në këtë rast”, ka thënë Kryeziu.
“Por pastaj unë kam shkuar në Drejtorinë e Arsimit dhe i kam treguar drejtorit se nuk jam i sigurt nëse ky dokument është në rregull, meqë kam qenë drejtore e re në këtë shkollë .Në DA është verifikuar që ajo s’kishte punuar në këtë shkollë dhe dokumenti është anuluar , derisa pala s’ka mundur me e shfrytëzue për çka ju ka dashtë”, ka thënë Kryeziu për Koha Ditore.
Drejtoresha e shkollës akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar
Prokuroria Themelore në Prizren, të enjten, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Behare Kryeziut, drejtoreshë në shkollën fillore të mesme të ulët “Mustafa Bakiu” në Prizren, për shkak të dyshimit të bazuar se ajo ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Organi i ndjekjes pretendon se kjo drejtoreshë me nënshkrimin e saj dhe me vulë zyrtare ka vërtetuar një dokument, që përmbante të dhëna të rreme, shkruan sot Koha Ditore.
“Sipas aktakuzës, B.K. më 23 nëntor 2016, në cilësinë e personit zyrtar, si drejtoreshë e SHFMU “Mustafa Bakiu” në Prizren, me nënshkrimin e saj dhe me vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar, i cili përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që kundërligjshëm ka lëshuar dokumentin, përkatësisht vërtetimin me numër të protokollit 127/2016, në emër të qytetares S.A., kinse ajo kishte punuar në këtë shkollë, e i cili vërtetim asaj do t’i shërbente për punësim”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë. Ky organ ka vlerësuar se me këto veprime B.K. “ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.