9.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Shota Baraliu: Më pëlqen jeta e artistit

ShotaBaraliu10-5Këngëtare dhe aktore Shota Baraliu është një nga emrat më të njohur falë aktivitetit të saj artistik. Gjithmonë në qendër të vëmendjes, Shota Baraliu tregon se në jetën e saj artistike nuk kanë munguar projektet, jo vetëm në muzikë, por dhe në aktrim. Në intervistën dhënë për gazetën Sot, Shota tregon se në momentin që iu përkushtua muzikës e la pak anash aktrimin, po këto kohë ajo është e angazhuar në një film belgo-shqiptar. Me aktrim ajo merret që në fillimet e saj, duke mbaruar kështu dhe studimet për aktrim në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ndërsa në Tiranë u bë më shumë e njohur përmes këngës, duke qenë pjesëmarrëse nëpër shumë kompeticione muzikore. Këngëtare dhe aktore, Shota tashmë gëzon dhe një vend të respektueshëm edhe mes artisteve shqiptarë. Por si ka qenë jeta e saj artistike këto kohë, si do të vijojë angazhimi me projektin e filmit ku ajo interpreton, çfarë konsideron si gjërat më të rëndësishme, Shota Baraliu i zbulon në këtë rrëfim mbi jetën e saj.

-Prej vitesh keni spikatur në aktivitetin tuaj muzikor, por si po vijon ai këto kohë?
Pas shumë angazhimeve që kisha, është shumë e vërtetë që kohëve të fundit kam bërë pushim në aktivitetet artistike, por kjo nuk do të thotë që e kam lënë karrierën artistike, thjesht kisha nevojë për qetësi dhe shumë shpejt do angazhohem.

-Gjatë këtyre viteve keni sjellë këngë, të cilat janë bërë shumë të njohura që pas prezantimit të tyre të parë. Si ndiheni nga kjo?
Mund të them lirshëm që pas gjithë asaj pune më ka prirë dhe pak fati, që të jem në treg. Duke pas parasysh konkurrenca që është, ndoshta edhe pak më kanë ndihmuar dhe këngët artistike dhe pak fanny që i kisha. Këto më kanë bërë pak më të veçantë.

-Po aq sa këngët shumë vëmendje kanë marrë dhe klipet tuaj, gjithmonë vini provokuese?
Ndoshta dhe pak klipet dhe tekstet më kanë bërë më interesante dhe kureshtare tek publiku. Nuk janë vetëm gjërat provokuese që të bëjnë të dashur tek publiku.

-A do të vijoni me të tilla klipe në këngë?
Po sigurisht do të vijoj me të njëjtat gjëra, ashtu siç jam mësuar të më shihni. Nuk do ju zhgënjej.

-Në muzikë ju jeni prezantuar dhe me duete, do të vijoni me të tilla bashkëpunime në muzikë?
Ndoshta mund të kem prapë ndonjë duet, por ende s’e kam menduar, sepse jo çdo grup apo këngëtar mund ti përshtatet stilit të muzikës time, por besoj ta kem dhe një duet tjetër.

-Veç muzikës, ju në aktivitetin tuaj njiheni dhe si aktore. Çfarë mund të na thoni mbi këtë pjesë të karrierës suaj. Cilat kanë qenë momentet më të veçanta në këtë pjesë të aktivitetit tuaj si aktore?
Në momentin që iu futa muzikës, e lashë pak aktrimin anash. Por këto kohë jam e angazhuar në një film belgo-shqiptar. Gjatë gjithë karrierës time si aktore nuk mund të kujtoj ndonjë moment të veçantë, por thjesht mund të them që në çdo rol apo angazhim që kam pasur, kam ndier kënaqësi, dhe në momentin që jam unë aty, sigurisht që s’do mungonin as gallatat, (hahata).

-A mund të na veçoni personazhe që ju i vlerësoni më shumë në skenën teatrore?
Kam pas mjaft role të ndryshme, s’mund të ndaj ndonjë në veçanti.

-Ku ndjehet më mirë Shota, në muzikë apo në skenë si aktore dhe pse?
Mund ta them me krenari që aktrimin e dua, dhe s’e ndërroj me asnjë profesion tjetër. Momentin kur je në skenë mund të them lirshëm, që të duket bota e jotja. Kur i jep publikut kënaqësi dhe disponim, je personi më i lumtur në botë.

-Sa ju ka penguar muzika për tu marrë me aktrimin dhe aktrimi për tu marrë me muzikën, apo keni gjetur kohën që tu kushtoni vëmendje njëlloj këtyre dy zhanreve?
Aktrimi dhe muzika për mua janë në një rrugë, sigurisht me kahje të ndryshme. Muzika pak më ka penguar, që të jem më e angazhuar në aktrim, por kurrë anash s’e kam lënë. Jam munduar që të dyjave ti përkushtohem njëlloj.

-Meqë jemi tek pjesa e aktrimit, a do të kemi të tjera projekte ku ju të shfaqeni në skenë si aktore?
Siç e ceka dhe më herët, tani sa jam angazhuar në një film belgo-shqiptar, ku kam një rol mjaft të mirë. Dhe shpresoj që të jem e angazhuar prapë edhe në filma apo seri të ndryshme. Po pres…

-Po aq sa jeni e njohur në Kosovë duket se të njëjtën vëmendje keni dhe në Shqipëri. Si ndiheni nga kjo?
Jo vetëm unë por çdo njeri do ndjehet mirë në momentin kur kupton që është i adhuruar nga publiku dhe shpresoj të punoj dhe mos të ndalem.

-Të qenit e njohur ju vendos gjithmonë dhe ne qendër të thashethemeve apo lajmeve të tjera mbi jetën tuaj. Sa ju ka bezdisur deri më tani kjo gjë?
Qëllimi im s’ka qenë të jem në qendër të thashethemeve. Kam dashur të flitet për punën time, jo për privatësinë time, por ndoshta mënyra e punës time i ka bërë mediat të merren pak më shumë me Shotën. Por je në boten e shoë bizit dhe duhet të durosh edhe gjëra jo të këndshme.

-Cili ka qenë deri më tani lajmi ku ju jeni ndjerë vërtetë keq, pasi nuk ka qenë i vërtetë?
Ka pas mjaft lajme, por lajmi që më ka bërë të ndihem keq, ka qenë në momentin kur kanë shkruar për shëndetin tim, dhe kisne kam qenë gati ta humb shikimin. Dhe thashethemi tjetër kur më kanë ngatërruar me fotot të një këngëtare tjetër, dhe është shkruar një shkrim jo i mirë dhe unë nuk kam qenë në foto.

-Shota, sot ju njohin si këngëtare dhe aktore, por jo të gjithë e dinë se si u bë e mundur që sot Shota të jetë mes muzikës dhe aktrimit. Nëse kthehemi pas në vite, si ka nisur jeta juaj artistike drejt këtyre dy zhanreve?
Hmmm, më ktheve disa vite mbrapa. Para shumë viteve sigurisht që isha një vajzë e vockël e etur për profesionin e aktrimit, ambicioze dhe punëtore dhe ja arrita qëllimit që kisha më pak apo shumë mund mjafton që mundi u shpërblye, e muzika erdhi dikur më vonë, duke i parë që të dy profesionet shumë afër njëri-tjetrit. Por mund të them lirshëm se jeta e një artisti më pëlqen shumë.

-Veç muzikës suaj, çfarë ju pëlqen tjetër në muzikë?
Normalisht kur dikush ka zërin dhe talentin dhe e shfrytëzon në mënyrë mjaft të mirë, kjo më pëlqen. Këngët e mira i dua. Muzika ta kënaq shpirtin dhe më thuaj kujt s’i pëlqen? Çdo këngë është e mirë në mënyrën e vet.

-Koha e lirë si është për Shota Baraliun, si e shpenzon atë?
Unë s’mund të rri kot, edhe nëse s’kam angazhim artistike, gjithmonë i gjej punë vetes, (qesh). Më shumë vizitoj palestrën kohëve të fundit dhe po shikoj filma pa fund.

-Çfarë mund të na thoni mbi familjen tuaj, cilët janë personat më të rëndësishëm?
Ahhh familja ime është pika më e dobët e imja, sidomos motra ime e vogla 7 vjeçare është personi më i rëndësishëm në jetën time, që e dua më shumë se vetveten. Familjen e kam të shenjtë dhe çdo fjalë është e tepërt.

-Flasim pak për jetën tuaj private, çfarë mund të na zbuloni rreth saj?
Shota ka qenë, është dhe do jetë e dashuruar. Të tjerat surprizë do i lë të gjitha, i tregon koha.

-Çfarë vlerëson më shumë tek vetja dhe çfarë do të doje të ndryshoje në karakterin tënd?
Tek vetja sigurisht që ka gjëra që mund ti ndryshoj, s’ka njeri perfekt. Por atë ç’ka e vlerësoj tek vetja dhe që s’mund ta ndryshoj është zemërgjerësia ime.

-Deri tani, cila ka qenë lumturia më e madhe për ju?
Kam përjetuar shumë gjëra të mira në jetë dhe falenderoj zotin, por lumturia më e madhe për mua ishte lindja e motrës time Ida, ku kam bërë dhe tatuazhin në krahun e djathtë.

-Çfarë vlerëson tek një miqësi e mirë?
Ka shumë gjëra, që vlerësoj te shoqëria, sinqeriteti është kryesorja. I urrej personat që gënjejnë, po qenë të sinqertë dhe të drejtë me mua, do ju kthej të mirat gjithmonë.

-A ka pësuar zhgënjime në jetën e saj Shota Baraliu?
Po, sigurisht që kam pasur dhe unë zhgënjime në jetë. Por jam person që nuk dorëzohem lehtë. Jeta e një artisti është mjaft e vështirë, por kam karakterin e fortë, edhe po u rrezova, gjithmonë do ngrihem lart.

-Shumë shpesh vini në Tiranë, por jeta juaj është dhe në Prishtinë. Cili është dallimi për ju mes Tiranës dhe Prishtinës, si janë këto dy qytete me aktivitete artistike apo dhe jetën e natës?
Më herët kam vizituar shumë Tiranën dhe më pëlqen shumë, jeta natës, njerëzit. Bota artistike, çdo gjë më pëlqen. Prishtina ka nevojë edhe për shumë punë që ta arrijmë nivelin e njëjtë.

-Si do të vijojë më tej gjatë këtij sezoni aktiviteti juaj artistik?
Të përfundoj filmin që kam nisur. Të vazhdoj të merren me projektet e mia, dhe nga fundviti të jem me një super këngë dhe klip.

Më Shumë

Lajmet e Fundit