7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

“Miss Globe” 10 vjet në Shqipëri, 48 konkurrente në garë për kurorën

FiorenzaLekstakaj-missFillimi i nëntorit do të shënojë 10-vjetorin e organizimit të “Miss Globe” në Shqipëri. Ky edicion i 40-të i një prej aktiviteteve më të mëdha të bukurisë në botë, do të vijë në qytetin e Durrësit këtë vit dhe deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen 48 konkurrente nga të gjitha anët e botës.

Edhe këtë vit ashtu si dhe nëntë vite me radhë ky spektakël nuk do të jetë vetëm një garë bukurie për të zgjedhur fituesen e “Miss Globe”, por do të ketë në vëmendje dhe shumë surpriza apo dhe detaje që i japin bukurinë këtij eventi. Producenti Petri Bozo është në përgatitjet e fundit të detajeve të spektaklit. Ai na zbulon se parashikohet që mbrëmja finale e “Miss Globe” më 2 nëntor, do të shoqërohet me performancë live të orkestrës, me të ftuar personazhe të njohur të spektaklit shqiptar.

“Është një aktivitet madhor që e kemi mbajtur me shumë mundime pavarësisht ndihmës minimale, që ka dhënë shteti shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve”, tha Petri Bozo në prezantimin e parë për edicionin e këtij viti, transmeton Sotnews. Por këtë vit ky konkurs bukurie që mbledh përfaqësuese nga shtet të ndryshme të botës do të ketë një rikthim të tij në qytetin bregdetar të Durrësit, pasi dhe vite më herët është zhvilluar po në këtë qytet kur ishte në fillimet e tij. “I rikthehemi Durrësit sivjet, sepse ka qenë qyteti i parë që i hapi rrugën kësaj kontrate afatgjatë të nënshkruar në vitin 2004, falë edhe raportit shumë korrekt me krerët lokalë të qytetit të asaj kohe”, shtoi më tej producenti Petri Bozo. Por përballë angazhimit maksimal për ta sjellë këtë konkurs bukurie sa më të realizuar artistikisht, për dhjetë vjet Shqipëria ka mbledhur pjesëmarrëse në më shumë se 50 shtete, duke i bërë në këtë mënyrë dhe një promovim të madh vendit tonë në shtete të tjera. “Për dhjetë vjet me radhë kemi sjellë në Shqipëri pjesëmarrëse të më shumë se 50 shteteve, duke i shndërruar në ambasadoret më të mira për Shqipërinë, sepse shumica e tyre janë kthyer sërish për të mos folur që secila prej tyre ka reklamuar Shqipërinë dhe vlerat e saj në vendet prej nga kanë ardhur, por sërish e gjitha kjo është përmbledhur vetëm në sakrificën e një grupi të vogël bashkëpunëtorësh”, pohon Petri Bozo.

Dy bukuroshe shqiptare në “Miss Globe”

Në këtë edicion të 40-të Shqipëria do të përfaqësohet nga “Miss Shqipëria” në fuqi, Fiorenza Lekstakaj ndërsa Kosova nga bukuroshja 18 vjeçare, Xheraldina Selimi. Si çdo vit të pranishëm në Shqipëri, përfshirë edhe në jurinë e “Miss Globe” do të jenë edhe drejtorët nacionalë të shumicës së shteteve pjesëmarrëse. Një detaj i turit të këtij vitit është fakti se meqë fituesja e vjetshme e “Miss Globe” është shqiptare, Kleoniki Delijorgji do të jetë ajo bujtësja e vajzave pjesëmarrëse. Kleoniki do të jetë protagoniste në ekran, ajo që fton vajzat të vizitojnë dhe shijojnë bukuritë shqiptare konkurrentet e “Miss Globe”. Por deri në fund të përgatitjeve për në natën finale të konkursit, mbeten për tu zbuluar ende surpriza. Deri më tani ende nuk janë përcaktuar emrat e prezantuesve të këtij spektakli, ndërsa vajzat që janë konkurrente nga shtete të tjera priten të vijnë pas disa ditësh në Shqipëri.

Vajzat e “Miss Globe”, edhe në qytetet turistike të vendit

Gara e bukurisë, siç është traditë tashmë e “Deliart Association”, do të organizohet me të njëjtën formulë si këto nëntë vjetët e fundit. Vajzat do të mblidhen në kryeqytetin shqiptar për të ndjekur më pas turin e zakonshëm të “Miss Globe” nëpër qytetet kryesore turistike dhe historike të vendit tonë. Qyteti i parë ku do të ndalë “Miss Gobe” do të jetë qyteti i Shkodrës. Pas vizitave në pikat kryesore historike të qytetit , vajzat do të prezantohen edhe me veshjet Cotonella, një prej mbështetësve të “Miss Globe”. Më pas në qytetin e Lezhës do të organizohet faza e parë e “Miss Talent”, ku performojnë 24 shtete pjesëmarrëse. Më 26 tetor është programuar vizita në qytetin e Tiranës, përfshirë qendrat muzeale, Galeria Kombëtare dhe Muzeu Historik. Një vizitë është programuar edhe në malin e Dajtit. Mbrëmjen e 26 tetorit do të organizohet në Disco Matrix edhe Miss Disco Queen, prej nga do të përzgjidhet një fituese që do të prezantohet në natën finale. Turi në dy ditët në vijim do të vazhdojë në Tepelenë dhe Përmet. Në Tepelenë do të organizohet faza e dytë e “Miss Talent”, ndërsa të nesërmen në Përmet do të organizohet një udhëtim mbresëlënës, Rafting në lumin Vjosë. Pjesa tjetër e udhëtimeve është e përqendruar në zonën e Durrësit dhe Tiranës ku vajzat do të përgatiten edhe për natën finale, më 2 nëntor, tek pista e re, (tek pedonalja e Hotel Voga), “Kurora e Adriatikut”.

Kleoniki Delijorgji, me kurorën e “Miss Globe 2012”

Bukuroshja 16-vjeçare Kleoniki Delijorgji, njëherësh “Miss Shqipëria 2012” ka hyrë në historinë e këtij kompeticioni si vajza e dytë shqiptare, që fiton titullin ndërkombëtar të bukurisë. Më dhjetë vota pro nga 17 anëtarët e jurisë, ajo ka marrë të drejtën të mbajë kurorën e më të bukurës së Globit për vitin 2012, që këtë vit i duhet t’ia dorëzojë një tjetër bukurosheje. Shoqëruesja e parë e këtij aktiviteti një vit më parë u shpall “Miss Kina”, 17-vjeçarja Jinzi Huang dhe shoqëruesja e dytë “Miss Rusia”, 21-vjeçarja Inessa Yurinskaya. 43 bukuroshe të botës në “Miss Globe 2012” festuan bashkë me shqiptarët 100-vjetorin e Pavarësisë, por dhe garuan dhe përcjellë deri tek publiku i shumtë emocionet e garës. Producenti Petri Bozo për këtë edicion të 39-të të “Miss Globe” kishte ftuar edhe shumë miq në skenën gjigande. Emocionet e vajzave morën tjetër ngjyrë kur bashkë me këngëtarët Rona Nishliu dhe Ardian Lika, që kënduan në natën finale refrenin e “Dua më shumë Shqipërinë”, meqë konkursi përkoi me 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Dy prezantuesit e zgjedhur për konkursin një vit më parë, bukuroshja Hygerta Sako dhe kryekomisari Krenar Ahmeti i dhanë tjetër ritëm garës me batuta e improvizime, duke marrë vlerësimin e duartrokitjet e publikut. Por dhe ngjyra, performanca elegante të kuruara nga Olta Ahmetaj, ritmi muzikor i përzgjedhur nga Fabian Basha dhe shumë elementë që kujtonin festimet kanë përmbyllur këtë edicion një vit më parë, ku për këtë vit priten të tjera surpriza.

Rrugëtimi 10 vjeçar i “Miss Globe” në Shqipëri

Rrugëtimi i “Miss Globe” në Shqipëri nisi 10 vjet të shkuara dhe qëllimi i “Deliart Association”, për ta sjellë në Shqipëri evenimentin e madh ndërkombëtar të bukurisë u arrit në shtatorin e vitit 2004, pas katër vitesh përpjekje. Kështu u kurorëzua për herë të parë në një skenë shqiptare, në amfiteatrin e Durrësit, një “Miss Globe 2004”, që ishte bukuroshja 18-vjeçare nga Rusia Kristina Slavinskaya. Pranverën e vitit pasardhës, më datë 22 shkurt, i ndjeri Charlie See, presidenti i Miss Globe u rikthye në Tiranë për të firmosur serish të drejtën që i dha Petri Bozos, duke i besuar kështu edhe organizimin e këtij konkursi ndërkombëtar në Shqipëri. Që në herën e parë që Charlie See ia dha këtë të drejtë Petri Bozos, shprehu dëshirën që kontrata të funksiononte për pesë vjet me rradhë, pra që pesë edicionet e rradhës së Miss Globe të organizoheshin këtu. Por për t’i besuar pesë edicionet, duhej më parë një garanci: Miss Globe i parë që u realizua në Shqipëri në vitin 2004. Charlie See ishte i pranishëm në spektaklin që realizoi Petri Bozo dhe menjëherë pas kurorëzimit të më të bukurës së Globit premtoi se kontrata do të përsëritej. Përvoja e 14 shtatorit 2004 në skenën antike të Durrësit shërbeu si garancia më e mirë që producenti Petri Bozo i dha. Dhe jo vetëm atij por dhe të gjithë menaxherëve dhe presidentëve të konkurseve të bukurisë nëpër botë. Kështu nisi rrugëtimi i “Miss Globe” në Shqipëri, i cili mbeti këtu edhe për shumë vite të tjera, sepse edhe pas ndarjes nga jeta të Charlie See, bashkëshortja e tij, Ann See vazhdoi te besonte tek Bozo dhe Shqipëria si vend mikpritës për një prej tre eventeve më të mëdha të bukurisë botërore. Sivjet “Miss Globe” feston 10 vjetorin shqiptar dhe sipas kontratës, Bozo ka edhe një vit tjetër të drejtë të organizimit të këtij konkursi bukurie.

Më Shumë

Moti sot: Me shi dhe reshje bore

Këtë të mërkurë në Kosovë pritet të ketë ulje drastike të temperaturave ku priten reshje shiu. Reshjet do të jenë në formë të rrebesheve, të...

Barcelona refuzon një ofertë të majme për Raphinhan, kërkon 20 milionë më shumë

Raphinha pritet të largohet nga Barcelona në afatin kalimtar të verës, por vetëm për ofertën e duhur. Sulmuesi brazilian ka shpërthyer në javët e fundit...

Lajmet e Fundit