0.8 C
Prizren
E diel, 29 Janar, 2023

Shpërthimi në Zhur, i akuzuari thotë se e pranoi fajësinë pasi policët e kishin rrahur dhe detyruar

I akuzuari  Iran Badalli ka thënë se kishte pranuar fajësinë për vendosjen e eksplozivit në shtëpinë e tij, bashkë me Arben Gashin, pasi është maltretuar dhe rrahur nga Policia.

 

Këtë deklarim Badalli e ka bërë të premten në Gjykatën Themelore në Prizren në gjykimin ku po akuzohet se bashkë me Arben Gashin dhe Valbon Çollakun kishin vendosur mjet eksplodues në shtëpi në fshatin Zhur me ç’rast kur kishte ndodhur një bastisje nga Policia mjeti kishte shpërthyer ndërsa kishte mbetur i vdekur polici, S.Th.

 

 

Badalli ka thënë se nuk qëndron prapa deklarimeve të dhëna në Polici pasi ka qenë i detyruar të pranojë fajësinë.

“Arsyeja është se unë kam patur malltretim prej policisë, malltretim prej hetuesis dhe jam detyru me fol qysh më kanë thënë ata… arsyeja është se më kanë detyru që me fol që me pranu fajësinë me Arbenin që e kam bo bashkë, që demek e kam marrë unë bombën, se mu më kanë thënë ata për bombë e ke pas Policia dhe më kanë rreh”, ka thënë Badalli.

Ai ka thënë se policët e kanë detyruar ta nënshkruante deklaratën pa e lexuar.

“Kam qenë i enjtur dhe nuk kam ditë se çka kanë shkru ata vetëm më kanë detyru që të nënshkruaj. Mua nuk më kanë dhënë letër ata me këqyr se çka kam deklaruar.  Më kanë thënë pse ke vënë bombë në shtëpi, e as nuk jam kanë në dijeni se çka më ka ndodh në shtëpi mua”, ka thënë Badalli.

Në përgjigjet e pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokat Valdrin Gashi, Badalli ka thënë se Gashin e njeh dhe se gjatë muajit janar të vitit 2020 është takuar rreth dhjetë herë.

 

 

Badalli ka treguar se Gashi i kishte kërkuar eksploziv për ta dërguar në jashtë shtetit, dhe se për të ia siguruar eksplozivin kishte kërkuar nga Rami Badalli dhe se për këtë ishin takuar në fshatin Zhur.

“Me kerr jemi sjell nëpër Zhur, Ramiu dhe Arbeni kanë bisedu gjatë lidhur me eksploziv dhe Ramia e veti Arbenin se përse po të duhet, dhe Arbeni i tha se kam me çu për Serbi dhe Ramia i tha që kam bisedu me atë personin e eksplozivit për nesër për t’u taku në ora 10 në qendër në Zhur për me shku te Valbon Çollaku”, ka thënë Badalli.

Tutje, ai tha se së bashku kishin shkuar tek banesa e Valbon Çollaku e pastaj në restorantin “Halimaj Reisen” ku Gashi dhe Valbon Çollaku ishin marrë vesh që të ia siguronte një kilogram eksploziv, e që për këtë i kishte kërkuar shumën prej 200 euro.

Badalli ka thënë se së bashku me Gashin kishte shkuar në Petrovë për të marrë eksplozivin e që i kishte ndihmuar për të përgatitur eksplozivin.

“Kemi hyrë në podrum dhe Arben Gashi dhe Valbon Çollaku i kanë vesh nga një parë dorëza dhe Arben Gashi e derdhi lëngun dhe nxjerri një briskë prej xhepit dhe e prejti tetrapakun, Valbon Çollaku e nxjerri një kese me do bërllog nuk e di çka ka qenë, Arbeni e mbajke kutinë Valboni e mbushte atë me bërllog, i ka qit telat jashtë i ka mbështjell me izolir tetrapakun ia ka lidh një orë të dorës dhe i ka izolu me bateri të sahatit, ia ka kallëzu Valbon Çollaku Arben Gashit se qysh me bo orën, ia ka hek baterinë asaj senes që ja ka vu e ka izolu dhe  ka marrë Arbeni e ka pru në kerr në karrigen e shoferit”, ka thënë Badalli.

Tutje, Badalli ka treguar se në shtëpinë e tij kishte shkuar Gashi dhe se nga fëmijët ishte njoftuar se i njëjti kishte pasur një çantë dhe se kishte shkuar në katin e dytë të shtëpisë.

 

 

Ai ka thënë se në ditën kritike më 28 janar 2020, ishte takuar me Gashin pasi i njëjti e kishte marrë për të blerë në Prishtinë një veturë “kombi” dhe se në restorantin “Bisa” ishin ndalur për të pirë kafe.

Badalli tha se gjatë qëndrimit në restorant ka kuptuar se në shtëpinë e tij kishte shkuar policia dhe po e kërkonte për një rast të dhunës në familje.

I njëjti ka deklaruar se Gashi i kishte kërkuar që mos t’i tregonte Policisë se kishte qenë me të dhe se pasi kanë arritur në fshatin Zhur në momentin kur kishte hyrë në market për të blerë bukë fëmijëve të tij, Gashi kishte ikur dhe nuk i ishte përgjigjur në telefon.

Ai ka treguar se së bashku me policin Abdullah kishin shkuar në shtëpinë e tij e që aty kishte parë ambulanca dhe vetura të policisë, dhe se kishte tentuar të hyjë në shtëpi por nuk është lejuar.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet sipas ditarit të punës më 19 janar 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli ne fshatin Zhur Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime të rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa në dispozitivit II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Sulmohet fizikisht një femër në Prizren, bëhet për spital

Një femër në Prizren ka pranuar tretman mjekësor. E njëjta është sulmuar fizikisht nga një person i cili është arrestuar nga policia. I dyshuari, pas intervistimit...

Ky është i riu që humbi jetën aksidentalisht në Prizren

Arlind Kelmendi është personi që humbi jetën aksidentalisht në Prizren. Viktima ishte I shoqëruar me një mik. Ai ishte bllokuar në veturë dhe u nxor n...

Lajmet e Fundit