Liridona Berisha Morina
Që nga koha kur në këtë jetë merrte frymë një nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare, Faik Konica nuk është se jeta e shqiptarëve ka përjetuar ndonjë ndryshim drastik, madje e vetmja gjë që ka ndryshuar janë vitet, të cilët e kanë vazhduar rrugën e tyre por pa një rezultat pozitiv. Faik Konica, ishte autori kryesor dhe i pari i mendimit modern shqiptar, i cili me pozicionimin e vet të hapur për kulturën, letërsinë e politikën, reagoi në mënyrën më radikale, më të veçantë dhe më kritike se askush tjetër. Pothuajse të gjitha shkrimet e Konicës i përthekon një mesazh ideor, pra këtu luftohet për të demaskuar realitetin prapanik të Shqipërisë së asaj kohe, dhe mënyra të cilën Konica e zgjodhi të luftonte ishte prekja në thelb e problemeve që më të vërtetë e shkatërronin shoqërinë shqiptare, me pak fjalë ai ishte ndër poetet e paktë që nuk qëndroi duarkryq kundrejt problemeve, por u mundua me mish e më shpirt t’i zhdukte ato.
Konica ishte i bindur se për ta quar një komb përpara pos anëve pozitive dhe pos lëvdatave duhet t’ia tregosh edhe dobësitë dhe të metat që i posedon, dhe jo rastësisht në krejt veprimtarinë e tij shpesh hasim fjalë fyese për vendin dhe për vendasit e tij. Në shkrime Konica del urryes kundrejt shqiptarëve, ngase nuk mund t’i gëlltite budallallëqet e shumta që ata i posedonin, nuk mund të pranonte se kombi i tij përbëhej nga kaq shumë njerëz kokëtrash, nuk mund të pranonte faktin se si populli i tij merrej me gjëra të kota e nuk ushqenin ambicie për ditë të mira.
Shqiptarëve sipas Konicës u pëlqente primitivizmi, prapambeturia dhe si për të mos dashur që ta shkulnin këtë errësirë i druheshin marrjes së hapave drejtë dritës. Një rendësi të madhe në shkrimet e tij Konica i kushton politikës dhe problemeve të shumta të asaj kohe, por ajo që mund të veçohet këtu është fakti së sa i përket pasqyrimit politik të cilin Konica na e shfaqë tek proza satirike “Dr. Gjilpëra” është se gjërat nuk kanë ndryshuar pothuajse aspak në sferën e politikës, madje duket se të njëjtin realitet po e jetojmë edhe sot.
Shqiptarët e asaj kohe në vargjet e këtij shkrimtari të shquar dalin si njerëz të ngrysur të varfër për nga mendja, njerëz të mërzitur nga bota dhe nga vetja e tyre, njerëz të cilët jetojnë e nuk e dinë pse jetojnë, për besë të njëjtë kemi mbetur, të pashpresë jemi edhe sot, të humbur në sy të botës, nuk mund të thuhet se kemi ecur përpara derisa na udhëheqin të paditurit, nuk mund të themi se jemi shtet derisa zot i shtëpisë (shtetit) tonë është dikush tjetër, nuk mund të quhemi shtet kur për vendime “kullet” dikush që nuk ka gjak shqiptari, jemi bërë tamam si “hani i kqit” në të cilin hyn e del kush të dojë, ne udhëhiqemi nga njerëz që nuk posedojnë një fije konsideratë për mundin e për gjakun e derdhur të të parëve, udhëhiqemi nga njerëz që në vend të trajtimit të çështjeve të rëndësishme në kuvend, ja shpalosin të zezat e pisllaqet njëri – tjetrit e paguhen si deputet, vërtetë është e vështirë te besohet se jetojmë në një vend ku gjithçka qëndron në vendin e gabuar.
Konica qysh në kohën e tij ishte i bindur se populli shqiptar edhe për shumë e shumë vite do të mbetet i tillë, një leckë e grisur të cilën shtetet tjera e marrin kur kanë nevojë e më pas e hedhin si një mbeturinë.
Aty ku nuk ka siguri, ku në krye gjendën të paditurit, ku korrupsioni e prostitucioni janë në rënd të parë, ai nuk mund të quhet SHTET…