-0.2 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Shtëpia e Ismail Kadaresë në Tiranë kthehet në muze

Shkrimtari Ismail Kadare feston sot 83-vjetorin e lindjes. Por, ky përvjetor vjen ndryshe për njeriun e madh të letrave shqipe, shtëpia e të cilit shumë shpejt do të jetë një muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.

Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni kanë nisur pa humbur kohë punën për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh shqiptar në Rrugën e Dibrës, e cila në të ardhmen do të jetë një destinacion turistik jo vetëm për të pasionuarit pas veprave të Kadaresë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë nismë një eksperiencë krejt të veçantë. “Jam shumë i lumtur që me rastin e ditëlindjes së të madhit Ismail Kadare kemi nisur punën në atë që nuk është vetëm një shtëpi muze, por është një eksperiencë në zemër të Tiranës, në një pallat i cili mbart shumë histori; një pallat që çoi Maks Velon për vite të tëra në burg, një pallat ku me Kadarenë ka qenë komshi edhe shkrimtari Dritëro Agolli”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se falë kësaj ndërhyrje, do të dalë në pah, i transformuar, një tjetër xhevahir i mbuluar nga pluhuri. “Falë projektit të Elisabetta Terragnit, arkitektes së famshme të “Shtëpisë së Gjetheve”, po vëmë dorë mbi një xhevahir të mbuluar nga pluhuri në qendër të Tiranës, e cila i ka të gjitha mundësitë të transformojë ndoshta një nga pallatet më të përfolura në Tiranë. Kemi punuar shumë me pallatet e Tiranës, me administratorët, për t’i rregulluar me veshje kapotë, por kjo ndërhyrje është e veçantë. Sigurisht, do të kujdesemi që pallati të transformohet dhe të shkojë në fazën përfundimtare siç e kishte projektuar i madhi Maks Velo, por epiqendra do të jetë apartamenti i Ismail Kadaresë, në të cilin ai jetoi nga vitet ‘70 deri në vitet ‘90, dhe ku ka shkruar disa nga kryeveprat e tij”, u shpreh kryebashkiaku.

Arkitektja e njohur italiane, Elisabetta Terragni, e cilësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm për gjeneratën e re, por gjithashtu edhe për Shqipërinë. “Ky është një vend për të festuar letërsinë dhe një mënyrë për të parë brenda botës së shkrimtarit Ismail Kadare, për të kuptuar kohën kur ai punonte në Shqipëri.

Puna për ngritjen e kësaj hapësire është e bazuar tek ndihma e madhe që ka dhënë ai dhe Helena, por edhe nga gërmimet e thelluara për dokumentet dhe jetën e tij. Njerëzit mund të vijnë këtu e të mësojnë me shumë rreth tij, të studiojnë me shumë rreth tij, e në të njëjtën kohë të bëjnë studime të thelluara mbi mënyrën se si jetohej në Tiranë në atë kohë dhe në ato kushte. Mendoj se kjo do të jetë e rëndësishme për gjeneratën e re, për fëmijët, por gjithashtu për Shqipërinë dhe të huajt që vizitojnë Shqipërinë”, tha Elisabetta Terragni/Gazeta Shqip.

Më Shumë

Ramadan Hoti humbi jetën në aksidentin e Krushës së Madhe

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmë në Krushë të Madhe, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi u godit nga një automjet në magjistralen...

Limaj: Të zgjohemi për ta shpëtuar Kosovën, ata donin që historia të niste me ta sepse s’kanë kurrfarë historie

Kryetari i Nismës Socialdemokrate tha se “shtë koha e rezultateve dhe jo e fjalëve, është koha e personaliteteve të dëshmuara që prapa vetës kanë...

Lajmet e Fundit