11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Shtëpia e takimeve dhe dashuria

“Zoja ishte e marrosur krejt pas gramafonit tim, të cilit i ulej kruspull përbri, sikur çuriste me të. Tri herë kërkoi xhaz amerikan, sikur po bënte ndonjë faj. Dëgjoi, tundi dhe pastaj papritur ktheu kokën, uli gotën dhe i zgjati të shoqit dorën e brishtë. – Jo nuk kërcej më, iu përgjigj Levi. – Ti nuk di të kërcesh. Kështu me Zojën kërceva unë…njëfarë xhazi shpërthyes, allarus. Nuk di të them nëse ishte e zonja. Di të them që nga lumturia fluturonte çdo dell, çdo qelizë e saj, aq sa ndiheshe i përfshirë edhe vetë, i molepsur nga buzëqeshja e saj, rrëzëllitëse e ethshme. Por, kur mbaja njëfarë largësie, më dukej sikur kisha në duar një fasule meksikane me përmasa njerëzore. Diçka brenda saj bënte rezistencë, si kundërpeshë ashensori e vendosur tmerrësisht shtrembër….”.

Ti mund të përfytyrosh Zojën, një grua të bukur hebreje, teksa i duhet të fshehë dëshirën e saj të vërtetë për një burrë. Në historinë e personazheve të shekullit XXI, ajo është një nga femrat më të njohura të letërsisë, veshur thjesht me fustanet e viteve ku jetoi, së cilës Martin Amis i ka besuar gjithë sekretet e një burri që duhet të dijë një femër. Në Bashkimin Sovjetik pas luftës ajo ecte lehtë në biçikletë bri një burri, ish-hero lufte me medaljet dhe distinktivin e verdhë që nënkuptonte plagë të rënda, duke dashur ta bënte këtë ecje të shpenguar në Amerikë, aty ku nuk kishte ksenofobi ndaj hebrenjve.

Një nga romanet më të mira të shkruar vitet e fundit mbi dashurinë dhe historinë “Shtëpia e takimeve”, vlerësuar nga kritika si i “jashtëzakonshëm” ka vetëm pak ditë që ka dalë në të gjitha libraritë nga shtëpia botuese “Saras” nën përkthimin e Fari Laçkës. Ky është romani i dytë i Martin Amis në gjuhën shqipe pas “Treni i natës”.

Për Laçkën, i cili është një njohës i mirë i gjuhës së Amis, ka një aftësi tek ky autor që të mos duket i njëjtë në stil nga libri në libër. Amis sfidon me këtë libër duke i vendosur ngjarjet në një sistem dhe një vend që nuk e ka jetuar siç është ish- Bashkimi Sovjetik.

“Ngjarja zhvillohet në Rusi, ose më mirë në ish- Bashkimin Sovjetik. Sigurisht që ai nuk është as i pari dhe as i fundit që ka bërë një libër për periudhën e stalinizmit, apo komunizmit në Rusi. Kjo ngjarje zhvillohet në pjesën më të madhe në gulagun e famshëm të regjimit komunist në Rusi. Shumëkush i njeh këto kampe pune të detyruar, ku sipas të dhënave vdiqën shumë njerëz. Të mos harrojmë se të njëjtën strategji ndoqi edhe regjimi komunist në Shqipëri, i frymëzuar kryekëput nga ai sovjetik. Një regjim majmunesk, do ta quaja unë, i cili nuk kurseu jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe ata që kishin derdhur gjak e sakrifikuar me ëndrrën për të vendosur një regjim të së drejtës, të lirisë dhe barazisë”, thotë Laçka.

Personazhi kryesor i librit është një ish-partizan, pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore, i cili në vend të meritave, një ditë të bukur merr dhjetë vjet dënim me punë të detyruar dhe sakaq e sheh veten të rrethuar nga telat me gjemba. I gjithë romani përshkruhet nga dashuria, dhe ajo është një dashuri e pazakontë, duke vendosur përballë një gruaje dy vëllezër. Një ‘trekëndësh dashurie’ siç e quan autori që në fillim. Dilema është: kë do të zgjedhë Zoja, një femër e bukur hebreje, vëllanë e madh, ish-partizan, i pashëm, i fuqishëm, me emër, apo vëllanë tjetër Leon, më të vogël në moshë, thatanik, i shëmtuar, pa asnjë përvojë?

Sipas Laçkës, janë disa tema që trajtohen në këtë roman siç është raporti shtet-individ, i cili siç dihet në atë periudhë ishte krijuar në formën më të keqe të mundshme, gjë të cilën për fat të keq e hasim edhe sot.

“Është tema e terrorizmit, tepër bashkëkohore, e cila ka ngritur në këmbë shumë shtete e qeveri, por autori tërthorazi del në idenë se ai që quhet terrorizëm jo rrallë përkrahet dhe mbështetet edhe nga vetë shteti. Pra, është terrorizëm shtetëror që bëhet për qëllime të caktuara, të cilat vështirë se kuptohen nga njerëz të zakonshëm. Në majë të kësaj pene të hollë kritikuese vendoset edhe shtypi që shumë shpesh manipulon në funksion të shtetit e synimeve të errëta”, thotë ai.

E përbashkëta e personazheve që Amis i vendos në 200 faqet e librit që tashmë gjendet në të gjitha libraritë është se të tre vuajnë sistemin ku jetojnë. Dy vëllezërit u dënuan dhe vuajtën në gulag, ndërkohë që edhe Zoja, nuk ishte më pak e burgosur jashtë telave me gjemba të kampit. Në fakt, atmosfera e përshkruar është disi e zymtë. Pjesën më të madhe shkrimtari flet për gulagun në zonat më të ftohta, në Arktik, por më i ftohtë se klima ishte sistemi i asaj kohe në Bashkimin Sovjetik, ku pa dallim, edhe vetë qytetarët rusë u ndien të zhgënjyer nga rrjedha që mori historia. Dy vëllezërit janë burgosur në një kamp pune të detyruar, ku për një kohë të gjatë nuk shihnin diell me sy dhe e vetmja gjë që i ngrohte ishte ndjenja dhe kujtimet për gruan që e dashuronin të dy: Zojën. Dashuria ishte motivi që mbante gjallë shpresën e tyre të venitur dhe ëndrrat e shuara. Ndërsa, për të tjerat ata paraqesin dy anë diametralisht të kundërta.

“Vëllai i madh një njeri i ashpër, i dhunshëm jo vetëm për shkak të kohës së kaluar në luftë, por edhe për atë pas luftës, ku për të mbijetuar njerëzit ktheheshin në shtazë, në ujq për njëri-tjetrin. Madje, është interesante se hierarkinë e të burgosurve autori e ka shprehur nëpërmjet personifikimit. Disa të burgosur i quan derra, disa gjarpërinj, disa shushunja, e kështu me radhë”, thotë Laçka.

“Shtëpia e takimeve” është një roman që do të na grishë të shkuarën, duke na bërë të udhëtojmë në kujtime që vijojnë të enden në familjet tona mbi komunizmin. Me një stil plot ngjyra, Amis të fton me këtë roman të takosh tre personazhe që do të mbeten gjatë në jetën tënde. /Shqip/

Më Shumë

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka treguar për rezultatet e qeverisjes së tij në ekonomi, punësim dhe ngritjen e...

Posta e Kosovës vë në qarkullim pullat postare “Sali Çekaj, heroi i Kosovës”

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj ka vendosur në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare “Sali Çekaj, Hero i Kosovës”. Bëhet e...

Lajmet e Fundit