23.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Shteti që ekzaminon ilegalët, nën syrin e regjisorit Clement Lalanne

Clement Trehin Lalanne, regjisor nga Parisi, ka vendosur të merret me një test ekzaminues burokratik që ekziston në Francën e ditëve të sotme. Ai tregon se të gjithë imigrantët që hynë në Francë duhet të kalojnë nëpër këtë procedurë dhe për ata mbi 18 vjeç kalohet në procedura tjera.

“U inspirova nga një artikull në gazetë ku tregohej mbi këtë ekzaminim mjekësor, i cili mu duk një katastrofë e vërtetë, dhe mbi të gjitha as nuk është i saktë dhe as nuk e lejon doktorin ta gjejë moshën e vërtetë. Testi ndodh përgjatë gjithë trupit, më shumë në pjesët intime” tregon regjisori Lalanne, i cili ka krijuar filmin “Aissa”, në një rrëfim për “Zërin”.

“Aissa” është shfaqur dje në DokuFest – në edicionin e 14-të të festivalit prestigjioz, i cili po i afrohet fundit të sivjetmë në Prizren. Aissa është kongoleze dhe momentalisht është me banim ilegal në territorin francez. Ajo pohon të jetë minorene sidoqoftë autoritetet besojnë se ajo është mbi 18 vjeç. Në mënyrë që të vendosin nëse ajo mund të qëndrojë apo jo në këtë shtet, një mjek duhet t’i bëjë asaj një ekzaminim fizik. Regjisori e quan një çmenduri individuale e kolektive e Francës.

Dhe gjithçka në këtë proces është një skandal i llojit të vet. Regjisori na tregon në këtë rrëfim më shumë për këtë ekzaminim që e bëjnë disa shtete evropiane, duke i shndërruar njerëzit në objekte. Clement ka lindur më 1983 në Paris. Disa prej filmave të tij janë “FullDawa”, “L`Attente” dhe “Lucien”. Filmi ka qenë në konkurrencën e filmave të shkurtër në Sundance Film Festival vitin e kaluar.

“Fola me familjen dhe miqtë dhe shumë njerëz nuk dinin për ekzistencën e një testi mjekësor që determinon moshën, por në fakt është i pasaktë dhe këtë e ka thënë edhe Instituti Mjekësor Francez. Nëse je mbi 18 vjeç largohesh, nëse je më pak konsiderohesh fëmijë dhe më pas shkollohesh dhe të krijohen kushtet. Por gjithçka është si objekt eksperimenti. Testi ndodh në vagjinë, testikuj, në ajrin e trupit, në sy, në gjithçka. Përpos X-ray rrezeve, gjithçka është e pakuptimtë. Filmi tregon mbi dhunën fizike e psikike mbi njerëzit në Francë” vazhdon regjisori.

Është edhe Austria dhe Gjermania dy shtete që regjisori e di sigurt se kalojnë nëpër të njëjtën procedurë, e cila sipas tij veç sa e objektivizon njeriun si qenie njerëzore.

“Fëmijët i merr policia, i dërgon në spital dhe këtu nis saga e tyre, që në fakt është proces shokues. Duhet ta ceki se në film ka aktore që e personifikon vajzën në artikullin gazetaresk dhe kam dashur që krahas mostrës njerëzore ta ndërlidhë edhe aktrimin si metodë për të kuptuar më shumë rreth këtij testi dhe efektit që ai mund të ketë në jetën e secilit” vazhdon regjisori.

Ai kujton kohën kur një peticion pati qarkulluar nëpër Francë, për ndalimin e menjëhershëm të kësaj masakre mjekësore e njerëzore ndaj emigrantëve që vijnë në këtë shtet. “Charlie Hebdo” ndikoi.

“Më kujtohet se njëherë e një kohë u bë një peticion për të ndalur këtë ekzaminim, por dy ditë para se gjithçka të finalizohej ndodhi tragjedia e ‘Charlie Hebdo’. Më pas gjithçka u bë më e tmerrshme, për faktin se frika nga ‘tjetri’ apo ‘i huaji’ u rrit, sidomos nga myslimanët. Dhe më pas debatet hapen aty-këtu ndonjëherë në medie, por numri i njerëzve në ilegalitet rritet dita-ditës” vazhdon regjisori për gazetën “Zëri”.

Por regjisori e di shumë mirë edhe lidhjen e Kosovës në krejt këtë debat.

“E kam vizituar Kosovën në pjesë të ndryshme dhe e di se jeni në një situatë të vështirë, drejt kërkimi të një jete tjetër e që shpesh përfundon në tragjedi. Por çka më duhet të them me patjetër është se gjatë ditëve të mia në DokuFest, një ditë e vizitova një panel, ku foli një zyrtar ndërkombëtar” thotë regjisori.

“Dhe mu duk katastrofale ideja e burokracisë aq të shpërfaqur dhe sidomos me faktin fundamental që njerëzit duan të udhëtojnë nëse shteti i tyre nuk ua jep bukën e gojës, jetën e denjë që e meritojnë” pohon Clement Trehin Lalanne.

Filmi bën pjesë në International Shorts Competition në Dokufest. Festivali zyrtarisht mbyllet me 16 gusht, kur edhe ndahen çmimet. Sivjet mbi 350 mysafirë e regjisorë nga e mbarë bota janë pjesë e edicionit të 14-të të DokuFestit, me histori e rrëfime nga më të ndryshmet.

Më Shumë

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

Një person i kërkuar arrestohet në Prizren dhe dërgohet në vuajtje të dënimit

Stacioni Policor në Prizren vazhdon angazhimin e tyre në ruajtjen e rendit publik dhe ekzekutimin e urdhërave gjyqësore. Sot, më 26 prill 2024, një operacion...

Lajmet e Fundit