2.3 C
Prizren
E premte, 2 Janar, 2026

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për korrupsion të Komunës së Prizrenit

Gjykimi i paraparë të mbahej të hënën, ndaj të akuzuarve, Bashkim Krasniqi, Bedri Bytyqi, Ilaz Susuri dhe Faton Hoxha, është shtyrë për muajin tjetër. Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, ka konstatuar se nuk i është dorëzuar prova e saktë të cilën e ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit.

Gjyqtari Elshani ka sqaruar se paraprakisht mbrojtja ka kërkuar nga gjykata që në mënyrë zyrtare të sigurojë nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Urbanizimit, dëshmi se janë bërë ankesa ndaj vendimeve të kësaj drejtorie dhe se nëse janë përfunduar lëndët. Krejt kjo për të dëshmuar se ngritja e aktakuzës ka qenë e parakohshme pasi që procedurat administrative nuk janë shteruar, të cilat do të dëshmonin nëse ka pasur parregullsi.

Mirëpo gjyqtari ka thënë se atij i është dorëzuar një fotokopje nga regjistrat intern të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku dëshmohet se i akuzuari Faton Hoxha ka atakuar konkluzionin e Komunë së Prizrenit për rrënimin e objektit afarist të tij.

Avokati Florin Vertopi, ka thënë se edhe në kërkesën e hedhjes së aktakuzë ka cekur se aktakuza në fjalë është e parakohshme, pasi që nuk janë shterur të gjitha shkallët brenda institucioneve administrative.

Prokurori Metush Biraj ka thënë se ankesat ndaj konkluzioneve të Komunës së Prizrenit, kanë të bëjnë vetëm me ndërrimin e pronarit dhe e jo me vendimet e Komunës së Prizrenit.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, ka thënë se nuk mund të procedohet më tutje pa sqaruar këtë çështje, andaj ka shtyrë shqyrtimin për 13 shkurt 2017, në ora 13:00.

Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa i akuzuari, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Poashtu i akuzuari Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Dy të arrestuar për të shtëna me armë zjarri në Prizren, konfiskohen dy pistoleta e mbi 200 fishekë

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për të shtëna me armë zjarri në Prizren. Atyre iu gjetën dy pistoleta, 247 fishekë dhe 95 gëzhoja. Sipas...

Pasi s’e kaloi pragun, Limaj: Nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën

Pasi nuk e kaloi pragun, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk kanë arsye për që ta ulin kokën, duke falënderuar...

Lajmet e Fundit