Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës, Shaqir Totaj, nuk janë intervistuar nga Prokuroria në Prizren.
Intervistimi i tyre është shtyrë për një ditë tjetër.
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu tha se intervistomi i Haskukës dhe Totajt është shtyrë për shkak grevës së punëtorëve të Administratës.
“Haskuka është paraparë që të intervistohet dje, kurse Totaj sot, mirëpo për shkak grevës së punëtorëve të Administratës nuk janë intervistuar”, tha Kryeziu për “PrizrenPress”.
Prokuroria Themelore në Prizren, ka nxjerrë një aktvendim për të filluar hetimet ndaj ish-kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, për gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore vititn e kaluar kundër kandidatit të VV-së, Mytaher Haskuka.
Totaj(PDK) e Haskuka (VV), në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kanë qenë kandidatë për kryetar të Prizrenit.
Lëvizja Vetëvendosje! në tetor të vitit të kaluar pati, dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren kallëzimin penal kundër Shaqir Totaj.
Kallëzimi penal ishte bërë për gjuhën e përdorur gjatë fushatës nga Totaj.
Vetëvendosje! në atë kohë publikoi një audio-incizim që pretendonte se dëgjohet kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, teksa thotë se “ka ardhur koha që qytetin e Prizrenit mos me ja lonë në dorë njerëzve që s’dinë me fol shqip”, duke iu referuar Mytaher Haskukës, kandidatit të VV-së për kryetar të Prizrenit.
Po ashtu, në të njëjtin audio-incizim, sipas degës së VV-së në Prizren, dëgjohet Shaqir Totaj teksa flet me nënçmim për komunitetin turk.
“A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu çështjen e ujit e t’rrymës?”, dëgjohet teksa thotë Totaj në një prononcim tjetër, i cili, sipas LVV-së, është bërë në një tubim parazgjedhor në Has.
“Aludimi është i qartë, ai shpif për kandidatin e LVV në Prizren, z. Mytaher Haskuka, gjoja nuk është shqiptar. Pos shpifjes, mesazh i tij shpërfaq një gjuhë të padëgjuar të urrejtjes, gjuhë përçarëse dhe fashiste. Këto incizime na kanë sjellë qyetarët tanë të cilët kanë qenë tejet të frustuar nga një gjuhë e tillë fashiste e përçarëse”.
Ndërkaq, lënda është mbyllur nga Gjykata Themelore në Prizren.
“Padia e paditësit Lëvizja Vetëvendosje-Prizren e parashtruar kundër Shaqir Totajt nga Prizreni është tërhequr”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, shkruan “PrizrenPress”.
Vetëvendosje! pas fitores së Haskukës, nuk është marrë me padinë e ngritur kundër Totajt.
Ajo nuk i është përgjigjur as kërkesës së Gjykatës që të plotësojë e përmisojë padinë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj pati thënë për “PrizrenPress” se në shkresat e lëndës ekziston konstatimi(fletë- dërgesa), se paditësi e ka pranuar kërkesën e gjykatës për përmisiomin dhe plotësimin e padisë.
“ Paditësi nuk është përgjigjur në kërkesën e gjykatës, në kohën e paraparë me ligj, prandaj edhe gjykata ka marrë aktvendim që kjo çështje kontestimore është e tërhequr”.
Pavarësisht këtij, aktvendimi Prokuroria Themelore në Prizren, ka nisur hetimin e këtij rasti.
Prokurorit, Petrit Kryeziu tha se hetimet kanë filluar pas analizës së lëndës.
“Prokurori i çështjes, pranë Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, me plotë përgjegjësi dhe profesionalizëm e ka analizuar lëndën dhe ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve në këtë çështje penale”, tha Kryeziu.
Sipas tij, janë duke u grumbulluar të gjitha provat për të ndriçuar këtë rast.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë fushatës zgjedhore, arsyetohej se fjalimi i tij në Has , ishte nxjerrë nga kontesti.
Ai, padinë e Vetëvendosjes e vlerësonte politike./PrizrenPress.com/