19.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Shtyhet rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e vitit 2017 në Rahovec

Është anuluar seanca e rigjykimit ndaj të akuzuarit për vrasje, Feriz Hoti, e paraparë që të mbahej të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Feriz Hoti po akuzohet se më 17 maj 2017, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Hamdi Isufi.

Sipas zëdhënësit të gjykatës së lartpërmendur, Lekë Muqaj, seanca është shtyrë me kërkesë të prokurorit Ali Uka, për shkaqe shëndetësore të tij.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë në shtator të vitit 2018, të akuzuarin Hoti e kishte liruar nga akuza për vrasje dhe armëmbajtje pa leje në mungesë të provave.

E kundër këtij vendimi ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Më pas, Gjykata e Apelit me 7 maj 2019, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, duke e kthyer kështu në rigjykim dhe vendosje rastin në fjalë.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë duhet anuluar dhe në rigjykim duhet që për vërtetim sa më të plotë të gjendjes faktike të bëhet edhe ballafaqimi i dëshmitarit Bajram Morina me të akuzuarin Feriz Hoti, dhe i njëjti të deklarohet se a është i akuzuari personi i cili ka gjuajtur me armë, ngase dëshmitari ka deklaruar se vendi ku ka ndodhur ngjarja ka qenë me ndriçim dhe se ka mundur ta sheh se a është ky person që ka gjuajtur me armë apo jo.

Sipas aktakuzës, Feriz Hoti, akuzohet se më 17 maj 2017, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Hamdi Isufi.

Ai akuzohet se në natën kritike, i ndjeri së bashku me Muhamet Kiqmarin, Liridon Sylejmanin dhe Evan Potera, me qëllim të vjedhjes tentojnë ta thyejnë marketin “Rama F”, pronë e të akuzuarit Feriz Hoti dhe pas zhurmës së shkaktuar të njëjtit hetohen nga pronari, i cili del në oborr dhe me një pushkë shtien në drejtim të tyre, ku është qëlluar tani i ndjeri Hamdi Isufi, i cili nga plagët e marra ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Me këtë rast, Feriz Hoti, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja” nga neni 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Hoti, gjithashtu akuzohet se deri në ditën kritike, pa autorizim ka poseduar armë të llojit “AK-47”, me çka ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Vdes pjesëtari i Policisë së Kosovës, Rrustem Palushi

Ka vdekur pjestari i Policisë së Kosovës, Rrustem Palushi. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Sindikata e Policisë së Kosovës, të...

Dëmtohet vendpikniku në Nashecë

Fshati Nashec i Prizrenit, në vitin 2021  u pasurua me një hapësirë rekreative e gjelbëruese, duke plotësuar kështu kërkesën dhe dëshirën e banorëve të...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit