10.4 C
Prizren
E mërkurë, 5 Mars, 2025

Si do të dukej Rusia pas Putinit

Shkruan: John Lloyd

Nuk është momenti i duhur për ta thënë, por Donald Trump ka arsye. Nuk është asgjë origjinale dhe ajo që propozon ai do të jetë e vështirë për t’u bërë, por kur thotë se “dakordimi me Rusinë është një gjë e mirë”, siç bëri para takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki muajin e kaluar, ai nuk e ka gabim. Rusia nuk është një vend armiqësia e së cilës ndaj Perëndimit duhet të injorohet. Në vend që të kopjojnë qëndrimet e saj agresive, vendet demokratike duhet të mbeten vigjilente dhe të ashpra ndaj lëvizjeve të saj të egra ndaj Ukrainës dhe frikësimit të anëtarëve të NATO-s në shtetet baltike. Por, ato gjithashtu duhet të përpiqen më shumë për të nxitur lidhjet kulturore, për të debatuar hapur me rusët për të gjitha mendimet, për të nxitur shkëmbimet arsimore dhe për t’u dhënë platforma komentuesve rusë, intelektualëve dhe politikanëve.

Pakënaqësia e pensionistëve 
Një nga mangësitë e shumta të dialogut të pafat në Helsinki ishte se Putin, në kontrast me bashkëbiseduesin e tij amerikan, dukej mirë – i fuqishëm, koherent, në komandë – diçka që mediat ruse e theksuan me zbukurime të dukshme. Ai i dërgoi mesazh botës që këtu ishte një udhëheqës rus, rizgjidhet për herë të katërt dhe në pushtet për një mandat gjashtë vjeçar, i cili është i paarritshëm – përgjegjës për programin e tij, administratën e tij dhe vendin e tij. Por, ndoshta nuk është ashtu? Popullariteti i Putinit ka rënë ndjeshëm në muajt e fundit. Në një anketim të 12 gushtit nga Fondacioni i Opinionit Publik, vetëm 46 për qind e të anketuarve thanë se do të votonin për Putinin nëse zgjedhjet do të mbaheshin atë javë – nga 62 për qind në qershor. Një tjetër sondazh i Qendrës të pavarur Levada zbuloi se numri i rusëve që mendonin se vendi ishte drejtuar në drejtimin e gabuar u rrit nga 27 për qind në maj në 40 për qind në korrik; më pak se gjysma (48 për qind) mendonin se gjërat po shkonin drejt. Këto shifra nuk mund të jenë katastrofike nga standardet e udhëheqësve në vendet demokratike, por ato përfaqësojnë një rënie të theksuar nga ditët kur vlerësimet e Putinit ishin mbi 80 për qind. Rënia i atribuohet, kryesisht, një vendimi të qeverisë për ta rritur moshën e pensionit nga 55 në 63 vjet për gratë dhe 60 deri në 65 vjeç për meshkujt, duke thyer e premtimit të Putinit në vitin 2005 për të mos bërë kështu. Në një vend ku jetëgjatësia për meshkujt është vetëm 66 vjet, kjo krijoi pakënaqësi të madhe, sidomos nga mosha e mesme e moshuar, të cilët kanë qenë kryesisht besnikë ndaj tij si udhëheqës. Fakti që ky grup demografik rebelohet, edhe pse në mënyrë pasive, është një shenjë se Putini nuk e ka hequr veten nga ligjet e zhgënjimit publik. Edhe një demokraci e kontrolluar, siç është Rusia, lë hapësira për besnikët që të dezertojnë; disa sondazhe treguan se vlerësimi personal i Putinit u ul në 69 për qind pasi u njoftuan planet për ndryshimin.

Ekstremet nacionaliste në Rusi tërheqin shumë njerëz
Putini mbetet për momentin në kontroll, por këta trendë tregojnë se ai nuk mund të jetë më një figurë e pamposhtur dhe mund të ketë probleme në këtë mandat presidencial. Sikur fati i tij të ishte një dorëheqje e detyruar, pasi që do t’i bjerë popullariteti dhe kolegët e tij të Kremlinit kthehen kundër tij, atëherë të huajt, veçanërisht në Perëndim, do të prisnin një ndryshim masiv. Shumë komente e kanë vënë Putinin aq në qendër të politikës ruse, sa që ai herë pas here duket të jetë sinonim i vendit që ai drejton: se ai është Rusia. Do të kishte një ndryshim pas Putinit. Por, nuk ka gjasa që ai ndryshim të jetë masiv. Së pari, nuk ka opozitë të bashkuar ose “qeveri në pritje” – as nga partitë dhe grupet liberale jopopullore, as nga partitë komuniste dhe të tjera që përbëjnë një opozitë të zbehtë, madje as nga Alexei Navalny, profili më i lartë, më karizmatik dhe opozitar më i guximshëm, i cili e ka bërë korrupsionin e nivelit të lartë, temën e tij kryesore. Perëndimi ka qenë gjerësisht i papëlqyeshëm midis rusëve tash e disa vite. Putini nuk e krijoi këtë ndjenjë, por ai ka krijuar një perceptim të Perëndimit si largim nga vlerat ruse, në shtyrjen e NATO-s më pranë kufijve të vendit dhe promovimin e tolerancës seksuale, ndërsa Moska përdor homofobinë si një mjet politik. Ekstremet nacionaliste në Rusi tërheqin shumë njerëz, sidomos të rinjtë, por edhe rusët e moderuar e shohin vendin e tyre si një qytetërim unik, jo pjesë e Evropës. Putin erdhi në pushtet me bindjen se kolapsi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX, një besim i përsëritur para zgjedhjeve të tij të fundit. Ai ka punuar për ta rikthyer Rusinë në një pozitë të forcës në botë – një detyrë e frikshme, duke pasur parasysh dobësitë e saj ekonomike dhe demografike. Se ai ka pasur sukses aq sa ka pasur, do të thotë se hapësira për një qasje rrënjësisht të ndryshme është e ngushtë. Një pasardhës i tij në të ardhmen mund të kërkojë të shpërbëjë armiqësinë në Perëndim, por do të jetë i ngadalshëm, i kufizuar dhe do të jetë i kujdesshëm për të mbajtur një ndjenjë të kulturës dhe pozitës unike të Rusisë në botë. Putini mund të ligështohet para përfundimit të mandatit të tij në vitin 2024, ose mund të përfundojë presidencën e tij mes lëvdatave në vend dhe, madje, disa edhe nga jashtë vendit. Në të dyja rastet, “Putinizmi” – në formën e një vendi që është kryesisht armiqësor ndaj Perëndimit – do të mbizotërojë pasi çdo pasues kërkon të ruajë suksesin e Putinit për ta bërë Rusinë të paktën të duket përsëri e madhe. Demokracitë e botës nuk mund të kenë marrëdhënie normale me një shtet agresiv dhe potencialisht destabilizues si Rusia. Ato duhet të jenë bindës në mbrojtjen e anëtarëve të NATO-s në rrezik, të vazhdojnë të mbajnë një regjim sanksionesh të cilat, sipas pikëpamjes së shumicës, duket se janë duke punuar dhe theksojnë angazhimin e tyre ndaj vlerave demokratike dhe liberale. Në të njëjtën kohë, siç shkruan ishambasadori amerikan në Moskë, Michael McFaul, udhëheqësit amerikanë dhe perëndimorë “duhet të thonë qartë se nuk duan konflikte të pafundme me Rusinë”. Meqë Rusia pa Putinin ka të ngjarë të duket dhe të veprojë shumë ashtu siç bën me të, atëherë kjo do të jetë një barrë që do të zgjatë.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Ballkani i fiton tri pikë ndaj Feronikelit, FFK i jep të drejtë ankesës

Kampioni aktual i Kosovës në futboll, Ballkani, i ka fituar tri pikë në tavolinë për ndeshjen ndaj Feronikelit ’74, e cila në Suharekë u...

Shoqata “Esnaf” vazhdon traditën e bamirësisë gjatë Ramazanit, organizon iftare të përbashkëta në Prizren

Shoqata e biznesmenëve dhe afaristëve “Esnaf” në Prizren edhe sivjet do të vazhdojë praktikën e organizimit të iftarit të përbashkët me komunitetin përgjatë gjithë...

Lajmet e Fundit