9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Si e gënjeu hap pas hapi Basha, Berishën

Mbetet mister edhe koha kur e ka marrë këtë vendim. E ka vendosur që në fillim, kur në mes të majit sekretari i shtetit Blinken bëri publik aktin e shpalljes “non grata”, apo në ditët e fundit kur iu shtuan presionet dhe shantazhet nga diplomatët lokalë amerikanë.

Përpara se Lulzim Basha të merrte vendimin personal, të beftë dhe të papritur për Sali Berishën, ai ka pasur tri biseda të gjata me të: një në fundjavën e shkuar në Gjirin e Lalzit, një në Tiranë dhe të fundit në celular, pak minuta përpara se ta bënte publikonte vendimin. Por në asnjërën prej tyre, madje as në atë telefonike të minutave të fundit, ai nuk i ka thënë ish-mbrojtësit dhe promovuesit të tij se kishte ndërmend ta përjashtonte.

Gjithashtu, mbetet mister edhe koha kur e ka marrë këtë vendim. E ka vendosur që në fillim, kur në mes të majit sekretari i shtetit Blinken bëri publik aktin e shpalljes “non grata”, apo në ditët e fundit kur iu shtuan presionet dhe shantazhet nga diplomatët lokalë amerikanë.

Gjithsesi, Berisha pretendon se Basha e ka bërë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e vet, pasi e kanë kërcënuar edhe atë me ndalimin e udhëtimeve në SHBA: “Ka disa vjet që nuk shkon në ShBA. ka disa fluturime të anuluara. Gjithçka ka bërë vetëm për veten. Gjithçka e ka bërë në funksion të interesit të vet personal”, tha Berisha mbrëmë në “Zonë e lirë”.

Nga sa pranojnë njohje të përbashkëta, Basha nuk ia ka hapur temën e përjashtimit gjatë takimit të parë në Lalëz. Ai i ka folur se ambasadorja amerikane e ka njoftuar vetë ish-kryeministrin për këtë vendim, gjë të cilën Berisha e ka mohuar. Ai i ka thënë edhe se amerikanët po pretendojnë që nëse Berisha nuk tërhiqet, do të ketë konsekuenca mbi fëmijët dhe familjarët.

Në takimin e dytë të martën në Tiranë, Basha bën një hap të ngathët përpara. Ai teston Berishën lidhur me mundësinë që mazhoranca qeverisëse ta përjashtonte atë nga parlamenti me anë të Ligjit të Dekriminalizimit. Këtë version të bisedës e pohon edhe vetë Berisha: “Ai me mua ka bërë një bisedë tri ditë përpara, ku më thotë se si do t’ia bëjmë, se na del problemi i atij Ligjit të Dekriminalizimit. I them nuk ka asnjë lidhje. Ligji i Dekriminalizimit penalizon njerëz për akuza konkrete, kurse ato për mua janë në përgjithësi”, rrëfeu Berisha.

Një ditë më parë, të hënën, ai kishte dhënë një intervistë në “Euronews”, ku shpalli vendimin e tij për të hyrë në parlament dhe e kërcënoi Bashën me nisjen e një lëvizjeje në bazën e demokratëve, nëse ai imagjinonte të ndërmerrte ndonjë veprim të papritur (shkrimi poshtë).

Por kryetari i PD-së ishte mes dy zjarresh. Po të njëjtën ditë ai ishte shantazhuar me një mesazh edhe nga ambasadorja Yuri Kim, e cila kishte shkruar se do të procedohej me veprime të mëtejshme.

Vetë Basha i ka treguar kështu në kryesinë e PD-së tratativat me amerikanët. “Në këta dy muaj e gjysmë unë kam shfrytëzuar çdo resurs që kam në ShBA, bashkë me doktor Berishën, por nuk e zgjidhëm dot problemin. Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Reeker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për ta përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë. Na është bërë i qartë vendimi i DASh-it për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij”, tha Basha para grupit parlamentar të enjten.

Në këtë deklaratë të Bashës ka disa situata që nuk bindin. E para, vizita e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit të cilës ai i referohet se ka ndodhur më 30 qershor. Basha thotë se ka dëshmitarë që Philip Reeker i ka paraqitur edhe prova që ai nuk do t’i bëjë publike. Po mirë, lind pyetja, nëse këto prova qenë kaq të rënda, a nuk duhet ai së paku ato t’ia tregonte Berishës, që e mohon ekzistencën e tyre? Po le të supozojmë një moment se gënjen Berisha dhe jo Basha dhe ata të dy kanë qenë në dijeni të këtyre fakteve përvëluese. Si ka mundësi që Berisha me gjithë njohjen me to, ka vendosur ta vazhdojë betejën për t’i zbardhur akuzat, ndërsa Basha qenka bërë merak më shumë se i zoti i punës për fatin e Berishës dhe të fëmijëve të tij? Mos e do vallë më shumë Luli, Shkëlzenin dhe Argitën sesa vetë Saliu? Vështirë të besohet.

Por ajo që është më flagrante qëndron në episodin final të kësaj drame politike dhe personale. Në momentin e komunikimit të fundit mes të dyve, vetëm 15-20 minuta përpara se vendimi i përjashtimit të Berishës të bëhej publik, Basha i bën një telefon doktorit që nuk gjendej në Tiranë, por në Lalëz. As në këtë moment ai nuk i flet sinqerisht. Në formë pyetjeje i kërkon mendim se ndoshta mos qe më mirë që të pezullohej për disa kohë nga grupi parlamentar që do të diskutonte për këtë temë.

Pra nuk ia thotë si vendim, por ia shtron si hipotezë. Tallja është e nivelit të lartë dhe si ujk i vjetër i politikës, Berisha e nuhat se nuk bëhej fjalë për disa muaj, por për një përjashtim përfundimtar. Ai është i ndërgjegjshëm se betejën me “non gratan” e amerikanëve nuk e fiton dot për disa javë, ndoshta as për gjithë jetën. Prandaj i thotë prerë: “Kjo mundësi nuk ekziston. Nëse do të bëni mbledhje me deputetët, thuaju atyre se Sali Berisha e kundërshton prerë këtë version”.

Në fakt, Basha thjesht bën prestigjatorin se ai nuk ka ndërmend të mbledhë njeri dhe të konsultohet me partinë. Ai vërtet i ka thirrur deputetët, por do t’i lërë ata ta dëgjojnë në hollin e PD-ë, përmes “Facebook”-ut dhe TV-së, vendimin që ai ka marrë për Berishën. Edhe gjoja pyetja për doktorin është një lëvizje mashtruese sa për të larë gojën. Disa burime nga PD-ja tregojnë se deklaratën që do të transmetohej në orën 20:10 të së enjtes ai e ka regjistruar me prometër që në orën 17 30. Pra kur e ka marrë Berishën gjoja sikur e ka testuar për një hipotezë, ai e kishte marrë vendimin.

Gjatë gjithë kohës, qëkur mori kërcënimet e para nga amerikanët, ai ka luajtur dhe është tallur me njeriun që e zgjodhi në krye të PD-së për t’i mbrojtur krahët, pa e ditur se pikërisht nga Luli do t’i vinte thika pas shpinës. Jo më kot Berisha e quajti atë që i ndodhi të enjten: “një pabesi”./Lapsi.al

Më Shumë

Paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e të miturës nga Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e një vajze të mitur. Të dyshuarit thuhet se janë...

58 aksidente trafiku për 24 orë në Kosovë

58 aksidente trafiku të ndodhura janë raportuar brenda 24 orëve. 15 nga to janë me të lënduar, ndërsa 43 me dëme materiale. Gjatë kësaj periudhe janë...

Dhimbja

Lajmet e Fundit