16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

S’ka bukë, s’ka paqe

Ekspertët e Sigurisë Kombëtare duhet që ta rikthejnë ushqimin në tryezën e diskutimit, si një çështje thelbësore

Qasja e një popullate në ushqim të mjaftueshëm, të sigurt dhe me vlera të konsiderueshme ushqyese ka qenë përherë një interes esencial shtetëror qysh se mbahet mend. Në Bibël, Jozefi qe ngritur në pushtet pasi e zgjodhi çështjen e mungesës së ushqimit në Egjipt; gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën vendim strategjik për t’i iniciuar programet e Ushqimit për Paqe, që siguruan qasje më të lehtë në ushqim, rëndom me aleatët e saj.

Këto dhe instancat e tjera, sipas një analize të revistës prestigjioze amerikane “Foreign Policy”, e shpërfaqin një të vërtetë të thjeshtë: Qasja në ushqim dhe siguria kombëtare janë ngushtësisht të ndërlidhura. Rikujtuesi më i fundit i kësaj ndodhi më 9 tetor, kur Komiteti norvegjez i Nobelit e shpërbleu me Nobel të Paqes më 2020 Programin Botëror të Ushqimit, lidhur me përpjekjet për ta luftuar urinë. Komiteti tërhoqi gjithashtu një paralele të rëndësishme midis ushqimit, luftës dhe paqes, duke shtuar se WFP-ja duhet të lartësohet për “përmirësimin e kushteve të paqes në rajonet e afektuara nga konfliktet dhe se veproi si një forcë shtytëse në iniciativën për parandalimin e përdorimit të urisë si armë lufte dhe konflikti”.

Problem humanitar

Megjithëkëtë, deri para pak kohësh ushqimi ishte zhdukur tërësisht si një çështje sigurie – të paktën për politikëbërësit në botën e zhvilluar. Nisur prej shekullit të 18-të, siç shkruan FP-ja, avancimet bujqësore e shndërruan urinë në Perëndim në një çështje të distribuimit e jo të qasshmërisë, dhe që atëherë është rralluar përherë e më shumë.

Në analizën e saj, revista amerikane numëron se kohët e vështira të luftërave shpien në racionimin e ushqimit (dhe në rastet e rralla në uri, si në Holandë më 1944 dhe 1945), ndonëse zia e bukës nuk e preku në masë të madhe Perëndimin. Ndërkohë, korporatat e mëdha ndërkombëtare, si “Nestlé”, “Unilever”, “Cargill” dhe “Olam International” e ngurtësuan evolucionin shumëshekullor të zinxhirëve globalë të furnizimit me ushqime. Për shumë perëndimorë, sipas FP-së, uria mbetej shqetësim, por e tillë po bëhet tani edhe në vendet e tjera apo në shoqëritë më të paprivilegjuara. Me fjalë të tjera, po shndërrohet në një problem humanitar.

Mbase në rastin më domethënës të tretjes së rëndësisë së çështjes, “uria” është zëvendësuar me një frazë disi sipërfaqësore “siguri ushqimore”. Kur termi ka zënë vend në Raportin e OKB-së të vitit 1974 në Konferencën Botërore të Ushqimit, ai i referohej kryekëput qasshmërisë së ushqimit nëpërmjet prodhimit dhe tregtisë bujqësore. Më 1996, Samiti Botëror i Ushqimit, Organizata për Ushqime dhe Bujqësi (FAO) e adoptoi definicionin e sigurisë së ushqimit që jo specifikisht e përmend urinë, duke pretenduar në vend të kësaj se dukuria nënkupton se njerëzit kanë “qasje fizike, shoqërore dhe ekonomike në ushqim të mjaftueshëm, të sigurt dhe me vlera të mjaftueshme ushqyese “. Sipas definicionit – i cili është vështirë i përllogaritshëm – mungesa e këtyre kushteve është josiguri ushqimore.

“Uria” është një term goxha emocional që bën thirrje për veprim dhe llogaridhënie morale e shtetërore. Ky ndryshim, sipas analizës së gazetës, ka ndodhur pjesërisht shkaku i dëshirës për t’u larguar prej “urisë”. Natyrisht, terminologjia e re ngërthente ndjeshmërinë politike, por presioni politik për ta eliminuar fjalën “uri” nga diskursi ushqimor-politik ka mbizotëruar.

Faktorët e urisë

Pa marrë parasysh hollësitë dhe definicionet, vendeve kudo në botë u nevojiten norma ndërkombëtare për ta ruajtur stabilitetin ushqimor dhe bashkëpunimin. Për këtë nevojitet dialog më i gjerë midis dijetarëve, zyrtarëve të sigurisë dhe politikëbërësve, të cilët merren me aspekte të ndryshme të ushqimit, si vlerat ushqyese, bujqësinë dhe zinxhirët e furnizimit.

Është kjo një ndërmarrje e madhe – e atillë që do të kërkojë bashkëpunim të sistemit ndërkombëtar ushqimor, i cili përfshin qeveritë kombëtare, organizatat ndërkombëtare tregtare, ushqimore dhe bujqësore.

Mbase shembulli më i theksuar i ndërthurjes së sigurisë ushqimore në sigurinë kombëtare është ai i ngritjes së Kinës.

“Administrata dhe Kongresi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i kishin interpretuar modelet e politikave të jashtme kineze si kërcënim ekonomik, ushtarak dhe ideologjik. Por dosjet zyrtare të politikave amerikane kanë nënvlerësuar domethënien e përnjëmendtë të sigurisë ushqimore për Qeverinë kineze”, thuhet në analizën e “Foreign Policy”.

Por rikujtuesi më drastik është rritja drastike e numrit të popullatës së uritur në botë. Një raport i kohëmëparshëm i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike (IPCC) ka treguar se nga viti 1961 deri më 2013, furnizimi me ushqim për kokë banori është rritur për më shumë se 30 për qind.

Mirëpo, gjatë disa vjetëve të fundit, përherë e më shumë persona kanë ngelur të uritur. Raporti vjetori i FAO-së nga korriku i 2020-s ka treguar se rreth 690 milionë persona janë të uritur – një ngritje kjo prej 10 milionë krahasuar me një vit më parë dhe përafërsisht 60 milionë në pesë vjetët e fundit.

Kohëve të fundit pandemia e koronavirusit ka treguar, së paku fillimisht, se zinxhirët e furnizimit të ushqimit janë më të cenueshëm sesa që pritej. Pandemia ka shkaktuar luhatjen më të madhe të çmimeve që nga vitet ‘70.

Nëse pandemia ka bërë ndonjë gjë të qartë, atëherë ajo është se idetë tradicionale rreth sigurisë kombëtare janë të pakompletuara. Shumica e ekspertëve – por veçmas realistët – e kuptojnë se siguria është derivat i materialit të pushtetit dhe forcës ushtarake. Por përfshirja e ushqimit në mënyrën e të menduarit rreth sigurisë do t’i përafronte dijetarët dhe politikëbërësit me çështjen e sigurisë njerëzore – atë që e vë në konsideratë jo vetëm konkurrencën midis shteteve, por edhe mirëqenien e qytetarëve.

Ushqimi, si çështje sigurie

Mirëpo, si do të dukej në praktikë trajtimi i ushqimit si një çështje sigurie dhe cilat janë implikimet e tij në politikat e jashtme?

Pikë së pari, do të ndikonte që shtetet dhe rajonet të bëheshin më të vetëmjaftueshme në prodhimin e ushqimit të tyre. Kjo gjë do ta dobësonte sistemin global të tregtisë.

Njëra prej mënyrave të shmangies së kësaj, sipas FP-së, është ekspansioni i sistemeve rajonale të ushqimit, mbase edhe si pjesë e aleancave ekzistuese të sigurisë, siç është NATO-ja.

Trajtimi i ushqimit si një çështje sigurie do të nxirrte edhe kërkesa të reja para normave ndërkombëtare dhe organizatave përgjegjëse për to.

“Fatmirësisht, rezoluta e 2018-s e Këshillit të Sigurisë ka përcaktuar veçse garanci për qasjen në ushqim të individëve të prekur nga konflikti. Këto rregulla mund të zgjerohen për ta parandaluar shndërrimin në armë të ushqimit dhe madje për të krijuar një ‘të drejtë për ushqim’ në të drejtën ndërkombëtare”, shkruan gazeta amerikane. Teksa ka përmendur në këtë mes disa zona konflikti, përfshirë më theksueshëm Sirinë e Bashar al-Assadit, regjimi i të cilit ka përdorur ushqimin si një mjet fuqizimi në konflikt.

Megjithëkëtë, gazeta numëron se këto rekomandime mund të mos jenë të mjaftueshme. Reformimi i sistemit global ushqimor kërkon përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar të sigurisë.

Liderët kombëtarë dhe ekspertët e sigurisë do të duhej të negocionin rreth marrëveshjeve ndërkombëtare dhe reformave për t’i balancuar tensionet që ngrihen nga nevoja për të ofruar ushqim të qasshëm për të gjithë, derisa ofrohet gjithashtu tregti e lirë dhe konkurrencë.

Me fjalë të tjera, ka ardhur koha që të zgjerohen horizontet e ekspertëve ushqimorë dhe kolegëve të tyre të sigurisë: të dy komunitetet rrallë herë ndërveprojnë, por u duhet që të punojnë në tandem ashtu që të mund ta hapin rrugën për reformimin e normave dhe institucioneve ndërkombëtare dhe si të angazhohen përnjëmend nga siguria mbarëbotërore e ushqimit. \ Analizë e “Foreign Policy Magazine”

Më Shumë

Mot me diell dhe vranësira

Për sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira. Në zona të caktuara mund të ketë ndonjë reshje të izoluar. Era do fryjë kryesisht...

Kosovarët me rreth 5 miliardë euro kredi

Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se vlera e kredive bruto të kosovarëve për muajin shkurt nëpër banka është 4.95 miliardë euro. Në...

Dhimbja

Lajmet e Fundit