Me gjithë vonesat e telashet për sigurimin e buxhetit, “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” e regjisorit Orhan Kerkezi sonte ( e mërkurë) do të shfaqet për publikun.
Ani pse projekti është finalizuar për të dalë në skenë, menaxhmenti i Teatrit Kombëtar nuk ka sqaruar se ku janë marrë 17 mijë euro, që e kishin zvarritur për një muaj premierën e shfaqjes. Teksti i italianit Luigi Pirandello do të pasqyrojë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës natyrën tragjike e komike të ekzistencës së njeriut.
Në një konferencë për media të martën, stafi i TKK-së dhe ai i shfaqjes kanë thënë se çdo gjë është gati që drama ku do të luajnë 23 aktorë të shfaqet para publikut.
“Unë e kam kryer punën time. Realiteti skenik është më i vërtetë sesa realiteti i përditshëm”, ka thënë regjisori Orhan Kerkezi. Tek ka qëndruar bashkë me gjithë ekipin në ulëset e publikut e gazetarët kanë qenë të vendosur në skenë, Kerkezi ka thënë se do të thirret edhe një konferencë tjetër për të treguar se shfaqja e tij do të thyejë rekordin e shikueshmërisë në TKK.
Anipse ka qenë fjalëpakë gjatë konferencës, Kerkezi ka thënë se i ka vendosur gazetarët në skenë për t’i ballafaquar ata me realitetin skenik.
Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Valdet Avdiu, e ka nisur konferencën duke folur për problemet financiare që janë bërë shkak i shtyrjes së premierës.
“Gjashtë…” që përmes realitetit skenik zbulon dimensione të ndryshme të realitetit jetësor, ka qenë e paraparë të jepej premierë në ditën e 16-të të muajit të kaluar. Fillimisht ishte shtyrë për katër ditë e më pas ishte paralajmëruar se premiera do të jepej më 12 të këtij muaji.
Menaxhmenti i TKK-së fillimisht kishte kërkuar 77 mijë euro buxhet për inskenimin e shfaqjes. Pas refuzimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të paguajë këtë shumë, TKK-ja e kishte zbritur shifrën për 10 mijë euro. Por MKRS-ja javën e kaluar e ka financuar shfaqjen me vetëm 50 mijë euro.
“Shfaqja reflekton gjendjen e kulturës në vend që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e autonomisë”, ka thënë drejtori Avdiu.
Sipas tij, problemet financiare kanë quar deri në atë dimension sa shfaqja gati sa nuk është titulluar “Gjashtë personazhe dhe regjisori kërkojnë buxhetin”. Por Avdiu nuk e ka treguar burimin e 17 mijë eurove që nuk i ka paguar MKRS-ja.
“Ne do t’i sigurojmë mjetet nga donacionet dhe të hyrat vetjake. TKK-ja ka shumë miq, por ata janë heronj të heshtur. Njerëzit që e duan kulturën investojnë në të”, ka thënë Avdiu.
Kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së, Haqif Mulliqi, ka thënë se këtë vit në institucionin më të lartë teatror të Kosovës janë inskenuar dy ndër dramat më të mira të shekullit XX.
“Të mërkurën kemi festë. Kjo shfaqje do të hyjë në memorien e Tetarit dhe do të kujtohet gjatë”, ka thënë Mulliqi.
Udhëheqësi artistik Emin Emini, tha se “Gashtë…” – ku ndër të tjerë luajnë Sunaj Raça, Njomza Ibraj Fetiu, Vlora Nikçi, Artan Geca, Muhamed Arifi- sjell fatet dhe historinë e personazheve nga realiteti jetësor në atë skenik.
“Realiteti skenik është nganjëherë edhe më i fuqishëm sesa ai njerëzor”, ka thënë Emini. Sipas një sinopsisi që TKK-ja i ka bërë dramës, “Gjashtë…” është dramë e historive që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrëse, ndërsa është edhe komedi që vjen nga konfliktet me kthesa të humorit.
Regjisori Orhan Kerkezi derisa përballej me problemet buxhetore kishte thënë për gazetën se në rast se MKRS-ja nuk ndan mjete, aktorët do të luajnë të zhveshur.
“Mundemi me e dhënë shfaqjen cullak nëse ministri ka qejf me e pa. Pse jo. Nëse pranojnë artistët, kjo do të ishte përgjigjja e duhur”, kishte thënë ai. “Gjashtë…” që është premiera e tretë për këtë vit, ishte ballafaquar me probleme organizative qysh në hapat e parë të realizimit. Aktorët Enver Petrovci e Luan Jaha kishin braktisur shfaqjen qysh në ditët e para të fillimit të realizimit. I pari kishte ikur pasi nuk ishte pajtuar me shumën e pagesës, kurse i dyti kishte dhënë si arsye angazhimet e shumta./koha ditore/