OJQ Asociacioni për Kulturë Edukim dhe Arsim AKEA organizon edicionin e gjashtë të Panairit të Librit “Prizreni” i cili do të realizohet gjatë datave 25 deri më 31 gusht 2014. Panairi përkrahet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Komuna e Prizrenit.
Sonte prej orës 19:00 , do të bëhet hapja solemne e Panairit të Librit “Prizreni 2014”. Në këtë ngjarje marrin pjesë rreth 30 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Sanxhaku dhe Turqia.Ky është edicioni i gjashtë i këtij panairi, të cilin e organizon OJQ Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA, në përkrahje të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Komunës së Prizrenit.
Këtë aktivitet librar e karakterizon edhe programi i ngjeshur kulturor me anë të takimeve letrare, të cilat realizohen gjatë mbrëmjeve të këtij evenimenti.
Në natën e parë, do të organizohet mbrëmja për krijimtarinë letrare të shkrimtares Ilire Zajmi për të vazhduar gjatë ditëve në vijim me promovimin e krijimtarive letrare dhe librave të autorëve të ndryshëm si Skender Zogaj, Nexhmedin Spahiu, Ferid Muhiq, Fehmije Murati, Ag Apolloni, Milazim Krasniqi, Agron Boriqi për tu përmbyllur me mbrëmjen poetike të organizuar nga grup autorësh.
Promovimet do të organizohen në ambient të hapur në Kej ndërmjet Urës së Gurit dhe Urës së Arastës. Panairi do të jetë i hapur deri më 31 gusht 2014.