9.4 C
Prizren
E premte, 31 Janar, 2025

Spiranca e kalbur e shtetit

Ditar Kabashi

Bisedimet nuk janë vetëm zhvillim teknik e diplomatik që duhet të marrin fund në një etapë të caktuar. Ato, që dikur para Pavarësisë quheshin negociata (mbase për të shtuar medialisht seriozitetin e çështjes në fjalë), paraqesin arenë beteje mes subjekteve të cilat si armë posedojnë argumentin.

Kosova është palë bisedimesh që nga procesi i Rambujesë, mandej Vjenës, tash e sa vite edhe e atij të Brukselit. Në këtë ecejake ka fituar e ka humbur. Fillimisht e gëzoi lirinë, por pa pavarësi. Pastaj fitoi pavarësinë, porse të mbikëqyrur. Më pas, zyrtarisht i përfundoi tutela ndërkombëtare, mirëpo mbeti e izoluar në lëvizje të lirë të qytetarëve të saj. Ç’është e vërteta, Kosovës asnjëherë nuk i kanë munguar argumentet. Dilema qëndron në atë se a e ka dëshmuar mjaftueshëm aftësinë e parashtrimit të tyre.

Kur sistemet lihen në fatin e vet krijohet një gjendje kaotike që quhet entropi. Për rrjedhojë, ato sisteme nisin të amortizohen e dikur edhe shkatërrohen. Prirja që këtë dukuri të një ligjësie fizike ta vëmë në jetë si karakteristikë shtetërore po na shoqëron me një varg të pafundmë dështimesh e zhgënjimesh. Duhet ndërkallur ideja se ky cen social kërkon kurim. Ndryshe s’ia dalim dot.

Lajmi i trishtë për shtyrjen e sërishme të liberalizimit të vizave shtoi edhe më tepër sëmbimin e shtetasve kosovarë. Jo ngaqë ata kanë para nën jastëk dhe mezi presin të shijojnë pushimet në metropolet evropiane, veçse nga etja për t’u ndier të barabartë me popujt e rajonit. Të përbuzur sa më s’ka në shekullin e fundit, kundrejt furtunave të pamëshirshme, kosovarët kanë kthyer velat kah limani i quajtur Evropë.

Por, fanari i Brukselit assesi nuk jep shenjën për ankorim. Do të ishte mirë të na qartësonin: problemi gjendet tek anija, tek udhëtarët apo tek ekuipazhi ku secili dëshiron të bëhet kapiten. Ta dimë një herë e mirë se për ç’arsye paracaktohemi të ballafaqohemi me dallgë të mëdha dhe si t’i evitojmë rreziqet nga ndonjë ajsberg i mundshëm i cili mund të shpie në fundosje. Bile edhe më thellë se vetë akullnaja.

Republika e Kosovës, si jo rrallëherë, edhe sivjet, pësoi në lojën politike. Por se ishte eurogol apo autogol, ende nuk dihet. Duhet shikuar në sistemin VAR, që në aktualitetin shqip ndoshta i bie “zgjedhje të reja”.

Më Shumë

Diskutohen sfidat dhe zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve në Dragash

Instituti SINK, në kuadër të projektit “Promovimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të gjuhëve në Kosovë”, realizuar në bashkëpunim me Zyrën e...

Hyrja në fuqi e listës së çmimeve të barnave Vitia thotë janë të vendosur që ta zbatojnë këtë ligj

Nga nesër (01.02.2025) në Kosovë do të hyj në fuqi dhe do të nis së zbatuari Lista e çmimeve të barnave në vend. Ministria e...

Lajmet e Fundit