13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

S’po respektohen sa duhet të drejtat e njeriut

SamiKurteshi-avokati popullitAvokati i Popullit, Sami Kurteshi, nuk është shprehur i kënaqur me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut – 10 Dhjetorit, Kurteshi fokusin e mosrespektimit të këtyre të drejtave e ka vënë në institucionet publike.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Avokati i Popullit ka thënë se nuk ka ndonjë ndryshim pozitiv nga viti paraprak në këtë fushë. “Me gjithë ndonjë përparim eventual në fushën e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nuk vlerësojmë se ka ndryshime të dukshme pozitive nga viti paraprak. Marrë parasysh edhe të gjitha rrethanat e mungesës së institucioneve qendrore, zhgënjimi në këtë fushë është i dukshëm. S’mund të jemi të kënaqur me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga institucionet publike”, ka deklaruar Kurteshi, i cili është në fund të mandatit.

Ai ka treguar se kategoria që më së shumti po preket nga kjo dukuri janë njerëzit me aftësi të kufizuara.

“Megjithatë, ka grupe të veçanta që identifikohen me ankesa që kanë karakteristika të përbashkëta, siç është rasti me personat me aftësi të kufizuar, lidhur me çështje që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, qasjen në institucione publike apo mangësitë dhe mungesën e shërbimeve që u ofrohen, ndërkaq këtë vit një numër më i madh i ankesave të personave me aftësi të kufizuara ka pasur të bëjë me ndërprerjen e pensioneve që ndahen për këtë kategori mbi bazën e përqindjes së kufizimit të aftësisë (ve)”, është shprehur Kurteshi.

Sipas tij, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka bërë çdo gjë që t’u përgjigjet të gjithë atyre qytetarëve që iu kanë drejtuar këtij institucioni për ndihmë.

Kurteshi ka treguar se qytetarët e Kosovës çdoherë e më tepër po vetëdijesohen për rolin e këtij institucioni në shoqëri, duke shtuar se edhe rastet e paraqitura në këtë institucion po vijnë duke u shtuar.

“Të dhënat statistikore në IAP flasin për një rritje graduale të vazhdueshme të rasteve të paraqitura. Besojmë se këto të dhëna janë tregues i vetëdijesimit të qytetarëve në radhë të parë për t’i kërkuar të drejtat e tyre. Në anën tjetër, besojmë se edhe institucioni i Avokatit të Popullit ka krijuar tashmë besueshmëri tek qytetarët dhe gatishmëri t’i trajtojë rastet me paanësi e profesionalizëm”, ka deklaruar Kurteshi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit