SSHCK në një reagim për media ka thënë se qëndrimi i Hykollit në takimin që kishte me kryeministrin është qëndrim i pa autorizuar dhe i pa matur, duke i dhënë mbështetje të plotë miratimit të Ligjit për Zyrtarët Publik dhe Ligjit të Pagave.

“SSHCK, në vazhdimësi i ka dhënë vërejtët në Projektligjin për Zyrtarët Publik dhe Ligjin e Pagave duke i dërguar edhe me shkrim ato vërejtje në Ministri dhe në Komisionet Parlamentare dhe njëherit kemi pasur koordinim të plotë edhe me Sindikatën e Administratës Publike SPAK. Për këto qëndrime, është mirë i informuar edhe vet Atdhe Hykolli i cili për çudi, pa dijeninë e kryesisë së BSPK por edhe Federatave tjera Sindikale, del me qëndrim të kundërt, sa për t’i hyrë në hatër kryeministrit Kurti, duke e tradhtuar rëndë detyrën-misionin që i është besuar e që është: mbrojtja e interesave të punëtorëve”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës.

SSHCK tutje shton se kanë vërejtur një veprim të dyshimt të kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykolli gjatë kohës kur janë zhvilluar grevat.

“Një veprim i tij i dyshimtë është vërejtur edhe gjatë kohës sa ishin duke u mbajtur grevat e BSPK e që zgjatën rreth pesë javë derisa z.Hykolli, takohej me Qeverinë fshehurazi dhe pa dhënë sqarime se cka u bisedua në ato takime. Po të ishte dinjitoz në detyrën e tij, ai nuk do të duhej takuar me kryeministrin Kurti pa qenë prezent edhe dikush nga kryesia dhe pa pranuar z.Kurti që t’i takoj edhe sindikalistët tjerë por ja që u pa se ai ka shitur interesin e punëtoreve”, thuhet në reagim.

SSHCK, vlerëson Atdhe Hykolli duhet që në afatin sa më të shkurtër të ofroj sqarime për atë veprim dhe menjëherë të jap dorëheqjen e parevokueshme në mënyrë që sindikalistët të zgjedhin njeriun e besuar dhe me dinjitet që din dhe guxon t’i mbron interesat e të punësuarve në nivel vendi.

“Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës-SSHCK, i bënë thirrje Presidentes së vendit, znj.Vjosa Osmanit, si gardiane e Kushtetutës, që të mos i dekretoj këto dy Ligje dhe të ndërpres çdo iniciativë që shkon në dëm të mbrojtjes ligjore të të drejtave të shërbyesve civilë dhe publik në Republikën e Kosovës”, thuhet në fund të reagimit. /Telegrafi/