10.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Suhareka formon Komision për verifikimin e kontratave të papaguara

Suhareke-kuvendiKK i Suharekës të premten ka formuar një komision i cili do t’i verifikojë të gjitha kontratat e papaguara nga pushteti i kaluar.

Formimi i këtij komisioni është iniciuar pas prezantimit nga drejtori i Financave dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj të një shume prej 2 milionë e 379 mijë eurosh si borxhe të ish-pushtetit ndaj kontraktorëve, e të cilat pushteti aktual obligohet t’i paguajë.

Anëtarët e AAK-së në KK të Suharekës e kanë mohuar këtë borxh duke abstrakuar tërësisht edhe fjalën borxh dhe duke u shprehur se pushteti komunal që e ka drejtuar partia e tyre nuk ka lënë asnjë borxh.

Me gjithë kundërshtimin e AAK-së pjesa tjetër e KK-së e ka votuar përbërjen e Komisionit të KK-së prej 5- anëtarësh ku të gjitha subjektet pjesëmarrëse në KK e kanë deleguar nga një anëtar. Edhe AAK-ja me gjithë kundërshtimin e formimit të komisionit e ka deleguar anëtarin e vet në të.

KK i Suharekës në seancën e së premtes e ka miratuar edhe vendimin për transferimin e 265 mijë e 840 eurove nga “investimet kapitale” te kategoria “mallra dhe shërbime” e që siç është shpjeguar bëhet me qëllim të pagesës së një pjese të borxheve urgjente për kontraktorët.

Vendimi i KK-së siç është thënë në seancë do të shqyrtohet edhe nga pushteti qendror dhe vetëm është shfaqur shpresa që të miratohet nga lart. KK i Suharekës të premten ka formuar edhe Komisionin për emërtimin e zonave të qarkullimit publik dhe ka miratuar edhe planin vjetor të KKSB-së.

Më Shumë

Lajmet e Fundit