12.9 C
Prizren
E hënë, 10 Nëntor, 2025

Supremja kthen në Apel vendimin për Ramadan Mujën

Rasti gjyqësor ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe të akuzuarve tjerë ka marrë një tjetër komplikim pasi Gjykata Supreme e ka rrëzuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit.

Në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Supremja e ka dërguar këtë rast sërish në Gjykatën e Apelit për rivendosje të aktgjykimit të shkallës së parë.
Në këtë mënyrë, Gjykata Supreme ka pranuar ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të shtatorit të këtij viti që rasti ndaj Mujës të kthehet në Gjykatën Themelore të Prizrenit për rivendosje.

Gjykata Supreme, vendosi që aktvendimi i apeluar të anulohet dhe lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues.

Në arsyetimin e Gjykatës Supreme ndër të tjera thuhet se ekziston një mospërputhje e dukshme në mes të vlerësimit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme sa i përket mundësisë për të proceduar me shqyrtimin e meritave të lëndës nga Apeli.

Duke u nisur nga ky fakt Gjykata Supreme, ka vendosur që lënda të kthehet në Gjykatën e Apelit për rishqyrtim nga një kolegj i ri.

“Secili vendim i Gjykatës së Apelit duhet patjetër të jetë i bazuar në vlerësimin e plotë dhe të hollësishëm të faktorëve relevant dhe të jetë i arsyetuar në mënyrë të duhur. Fatkeqësisht, kjo nuk është bërë nga Gjykata e Apelit në aktvendimin e kundërshtuar, andaj është vendosur që lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues” thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë komunalë, nga Prokuroria e Shtetit u ngrit aktakuzë për Keqpërdorim të detyrës zyrtare në muajin shkurt të vitit 2013. Në muajin mars të atij viti u mbajt shqyrtimi fillestar, ndërsa shqyrtimi kryesor filloi në gusht të vitit 2013 dhe pas 29 seancave gjyqësore të mbajtura, me 13 mars 2014 trupi gjykues shpalli aktgjykim me të cilin i gjeti fajtorë dhe i dënoi me dënime me kusht të akuzuarit.

Kundër këtij aktgjykimi, mbrojtja kishte parqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit, pas gati një viti e gjysmë kishte vendosur që lënda të kthehej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në Prizren, për shkak se kishte konkluduar se ishin bërë shkelje esenciale në përmbajtjen e aktgjykimit të shkallës së parë.

Duke qenë si rast i kthyer zyrtarisht në rigjykim, gjykata e shkallës së parë në Prizren, në muajin tetor caktoi seancat për rastin Muja, mirëpo në ndërkohë Prokuroria e pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme, e cila bëri që seancat e caktuar për rigjykim në Prizren mos të mbahen deri në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme. /Kallxo.com

Më Shumë

Ndërprerje e energjisë sot në Gorozhub, Mile, Plane dhe një pjesë të Zhurit

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të ketë ndërprerje të përkohshme të energjisë...

Dy vëzhgues të zgjedhjeve sulmohen verbalisht në Prizren, policia jep detaje

Dy vëzhgues të zgjedhjeve janë shoqëruar pasditen e sotme në polici, pasi që të njëjtit janë sulmuar verbalisht mes njëri-tjetrit. Kështu ka bërë të ditur...

Votoi Shaqir Totaj

Lajmet e Fundit