11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Synohet reformimi i arsimit profesional

ASHAK-objektiAgjencia për Arsim dhe Aftësim profesional pas dy vjetësh do të marrë nën menaxhim të gjitha shkollat profesionale të Kosovës. Tashmë kjo Agjenci është dukë pilotuar në gjashtë shkolla, katër prej tyre Qendra të Kompetencës. Drejtues të Agjencisë, thanë për Radio Kosovën, se synimi kryesor është që të bëhet një hulumtim i të nevojave të tregut të punës, në mënyrë që të rinjtë të profilizohen në drejtimet e kërkuara.

Katër Qendra të Kompetencës dhe dy shkolla profesionale kanë kaluar si pilot projekt nën menaxhimin e Agjencisë për Arsim dhe aftësim Profesional. Pritet që pas dy vjetësh të kalojnë nën menaxhimin e Agjencisë të gjitha shkollat profesionale të Kosovës.

Drejtori i Agjencisë për Arsim dhe Aftësim profesional, Ragip Gjoshi, tha për Radio Kosovën, se synimi është që të reformohet sistemi i arsimit profesional, duke shtuar se gjatë periudhës dy vjeçare do të punohet edhe në hartimin e infrastrukturës ligjore.

“Kemi parashikuar që dy vjet janë të mjaftueshëm për eksperimentim. Gjatë kësaj periudhe do të krijojmë infrastrukturën ligjore, pra do të bëjmë hartimin dhe natyrisht do t’i propozojmë qeverisë miratimin e ligjit të agjencisë, që rregullon veprimtarinë dhe të hartohet një strategji kombëtare e arsimit dhe aftësimit profesional”, tha ai.

Gjoshi tha se arsimi dhe aftësimi profesional është nj fushë e përshtatshme për të zbutur papunësinë në Kosovë. “Synimi kryesor është që të krijojmë kuadro jo vetëm për tregun e brendshëm, por edhe për tregun e shteteve të BE-së”, tha ai. Gjithashtu, qëllimi është të ndihmohet në hartimin e kurrikulave dhe në ngritjen e cilësisë së menaxhimit.

“Ne do të marrim menaxhimin e komplet të stafit, të financave, ndërtesave dhe infrastrukturës shkollore tërësisht. Në të vërtetë do të ndodhë decentralizimi i mirëfilltë edhe i financave, sepse do të krijojmë një sistem të tillë, që shkollave t’u japim mundësinë që të menaxhojnë me një pjesë të financave, por do të bëjmë përpjekje që formula e financimit të ndryshojë për këto shkolla”, theksoi ai

Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional, së shpejti do të ketë edhe bordin e saj, që do të përbëhet nga 16 anëtarë, ku do të kenë përfaqësim shkollat profesionale e ato private, Odat Ekonomike, bizneset dhe të gjithë faktorët që janë ndërlidhur me sistemin e arsimit profesional. Gjoshi bëri të ditur se do të ketë trajnime të veçanta për drejtorë të shkollave dhe mësimdhënësit.

Në Kosovë janë 59 shkolla profesionale, të cilat pas dy vjetësh do të kalojnë nën menaxhimin e kësaj Agjencie.

Më Shumë

Lajmet e Fundit