“Shumë shqiptarë kërkojnë një jetë më të mirë në Gjermani. Ata kërkojnë azil këtu. Por kjo është e pakuptimtë, pasi Shqipëria vlerësohet si vend i sigurt”.
Kështu shkruan një nga gazetat më të mëdha në Gjermani, TAZ, e cila ka përgatitur një reportazh për fluksin e shqiptarëve që udhëtojnë drejt Gjermanisë për një jetë më të mirë.
Gazetari ka udhëtuar me një minibus shqiptar drejt Dortmundit.
Por pse po largohen shqiptarët?
“Vendi po zhytet në korrupsion, drogë, varfëri dhe mungesë strehimi. Mund të dëgjosh për studentë, që korruptojnë mësuesit për nota më të mira. Për lektorë dhe zyrtarë, që u japin para shefave, për të gjetur një vend pune. Shqipëria është një nga prodhuesit më të mëdhenj të drogës në botë. Fshati Lazarat, rreth 200 kilometra nga Tirana, është cilësuar si kryeqyteti i kanabisit në Europë. Çdo vit korret 900 ton marihuanë. Droga sjell 4.5 miliardë euro, rreth një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Çdo ditë ikën energjia, gjysma e rrugëve nuk janë të asfaltuara, për furnizim të rregullt me ujë duhet të presësh me vite të tëra”, shkruan gazeta.
Në minibus me gazetarin udhëton edhe Adriani, një shitës frutash nga një fshat i Tiranës.
“Pse, kjo është jeta ime,” thotë ai.
“Ai do donte të martohej, por nuk ka para për të paguar dasmën. Nuk ka para as për një banesë të tijën”, shkruan gazeta.
“Si do shkonte jeta e tij? Ai dëgjoi për udhëtimet me autobus dhe u nis,” vijon reportazhi.
Ndërkohë në shkrim theksohet se shpresat e Adrianit për azil janë thuajse zero, pasi vendeve të Ballkanit nuk u pranohet azili.
Megjithatë fluksi nuk ndalet.
“Adriani po mendon tani se si të bëjë para shpejt. Ai dëshiron t’ia dërgojë të fejuarës, që edhe ajo të niset me autobus nga Tirana për në Dortmund”, mbyllet shkrimi.