10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Të gatshëm për zgjedhje edhe pa reformë

Zgjedhje-kosove-logoPavarësisht vullnetit të ShBA-së dhe BE-së, që zgjedhjet e reja parlamentare mos të mbahen pa përfunduar reforma zgjedhore, subjektet kryesore politike në vend janë shprehur të gatshme për zgjedhje edhe pa reformë zgjedhore.

Tri subjektet politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje! nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të shkohet edhe pa përfunduar reforma zgjedhore e nisur para dy vjetëve pavarësisht vullnetit të ShBA-së dhe BE-së që një gjë e tillë të mos ndodhë.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe të LDK-së kanë deklaruar për “Epokën e re” se nëse është e nevojshme për zgjedhje të reja parlamentare, reforma e papërfunduar zgjedhore nuk do të paraqiste pengesë për ta, ndërsa përfaqësuesit e VV-së kanë vlerësuar se reforma zgjedhore nuk mund të bëhet nga njerëz që kanë dalë nga votat e vjedhura. Megjithatë, ata kanë pranuar se më mirë do të ishte që në zgjedhje të shkohet pas përfundimit të reformës zgjedhore.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë për “Epokën e re” se kurdo që preket legjitimiteti demokratik partia e tij është e gatshme. “Kurdo që të preket legjitimiteti demokratik jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Kuçi. Ai ka pranuar se më mirë do të ishte që zgjedhjet të mbahen pas një reforme të mirëfilltë zgjedhore. “Jemi të fokusuar të kemi zgjedhje demokratike dhe ta përfundojmë këtë proces me faqe të bardhë. Pastaj do të koncentrohemi në temat e tjera, përshirë edhe reformën zgjedhore. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje nacionale, kurdo që arrihet një marrëveshje politike për një çështje të tillë”, ka deklaruar ai.

Të njëjtën gatishmëri për zgjedhje të parakohshme pa reformë zgjedhore e ka shprehur edhe nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija. Ajo ka premtuar se nëse shkohet në këtë variant LDK-ja si fituese e këtyre zgjedhe do ta përfundonte reformën. “Në rast nevoje në zgjedhje mund të shkohet edhe pa reformë. Në atë rast, pas këtyre zgjedhjeve, LDK-ja si fituese do ta përfundojë reformën”, është shprehur Sahatqija. Ajo ka parapëlqyer që në zgjedhjet e parakohshme të shkohet me një reformë të përfunduar zgjedhore. E për zvarritjen e reformës zgjedhore ajo e ka fajësuar kryeministrin Hashim Thaçi.

Ndërsa Albulena Haxhiu nga VV-ja ka deklaruar për “Epokën e re” se kjo lëvizje qysh në shtator të vitit 2011 ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme. Ajo ka treguar se para dy vjetëve e shtatë muajve që është formuar komisioni për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme asnjëherë deri më tani nuk ka pasur reformë të mirëfilltë zgjedhore. “Tashmë ndodhemi jo larg zgjedhjeve parlamentare dhe ne nuk do të jemi në gjendje t’i krijojmë mekanizmat për mbrojtjen e votës së qytetarëve, pasi kjo reformë nisi mbrapsht dhe kështu do të përfundojë. Jemi të bindur që reformë zgjedhore nuk do të ketë asnjëherë me njerëz që kanë dalë nga votat e vjedhur”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka deklaruar se subjekti i saj politik me apo pa reformë zgjedhore do të angazhohet sikur edhe në zgjedhjet lokale për ta mbrojtur me çdo kusht votën e qytetarit. “Ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk i kishte fajet që ne kishim vjedhje industriale të votave, por shkelësit e ligjit që u organizuan për vjedhje në manipulimin më të madh zgjedhor të Kosovës së pasluftës. Përgjatë gjithë kësaj kohe vazhdimisht kemi insistuar për qasje serioze karshi reformës zgjedhore por, fatkeqësisht, nuk ka pasur vullnet politik nga subjektet nënshkruese të marrëveshjes së prillit 2011”, është shprehur Haxhiu.

Ndërkohë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) disa herë kanë bërë thirrje se nuk do të ishte mirë të shkohet në zgjedhje të reja nacionale pa reformimin e ligjit për zgjedhje. Këtë qëndrim ambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e ka përsëritur edhe të martën. Në një intervistë për “RTV21”, diplomatja amerikane ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme duhet të organizohen gjashtë muaj pasi të ketë përfunduar reforma zgjedhore. “Do të ishte gabim i madh për Kosovën të mbajë zgjedhje të përgjithshme pa reformë zgjedhore. BE-ja ka thënë se nuk do të dërgojë vëzhgues nëse këto zgjedhje do të mbahen pa reformë zgjedhore në kohën e caktuar gjashtë muaj para zgjedhjeve. Kemi dëgjuar të thuhet se zgjedhjet do të mbahen në qershor. Nëse është kështu, atëherë reforma duhet të përfundojë më së largu deri në fund të dhjetorit”, ka thënë Jacobson. Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe ai i AKR-së, Behgjet Pacolli, kanë përsëritur disa herë se nuk është mirë që Kosova të hyjë në zgjedhje të parakohshme pa u kryer reforma zgjedhore.

Më Shumë

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e...

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me...

Lajmet e Fundit