34.8 C
Prizren
E enjte, 18 Gusht, 2022

“Fausti prej Tirane” mahnit prishtinasit

f1_21fausti1385022564Degradimi i tejskajshëm i intelektualit shqiptar gjatë periudhave të caktuara historike të Shqipërisë, gjendja e rënduar psikologjike, ekonomike dhe politike, pas së cilit, intelektualët detyrohen të bëjnë vetëvrasje, është pak a shumë përmbajtja e shfaqjes mysafire nga Tirana, “Fausti prej Tirana”, që të mërkurën mbrëma është dhënë në Teatrin Dodona.Në fakt, është monodrama e shkruar nga Stefan Çapaliku, ku rolin kryesor e ka Fausti, i cili shfaqjen e nisë në një formë të pazakontë, duke u vendosur në një arkivol me shufra metali, dhe i cili gjatë gjithë kohës interpreton vuajtjen e qytetarit të Shqipërisë për gjendjen shpirtërore nëpër të cilën po kalon intelektuali shqiptar.

Në shfaqje preket rënia e komunizmit, socializmi, e demokracia, si sisteme politike që e kanë shkatërruar në çdo aspekt intelektualin, shkruan KultPlus. Në pjesën e tretë të shfaqjes sa herë që flitet për ndryshime të sistemeve politike, rënie të një sistemi dhe ngritje të një tjetri, me zë të lartë përmenden datat e sakta, siç është data 25 dhjetor 1983 kur kishin bërë vetëvrasje qifti rumun Qaushevski, ose 9 maji i vitit 1989, kur ka rënë muri i Berlinit. Ndërsa, e njëjta “metodë” është përdorur edhe tek datat kur janë vetëvrarë intelektualët shqiptar të ditëve të sotme, si publicisti Ardian Klosi, apo arkitekti Agron Jano.

Rolin e Fausit në këtë shfaqje e luan aktori Alfred Trebicka, i cili së bashku me Stefan Çapalikun janë dy regjisorët e shfaqjes, ndërsa Besmir Haliti, që luan rolin e Mefistos dhe Julinda Emini, që në shfaqje është Margarita, janë dy aktorët tjerë mbështetës. Që të tre janë të veshur tërësisht në të bardha, ndërsa Fausti i ka duart e skuqura deri në bërryla, sikurse edhe këpucët e kuqe.

Autori i tekstit dhe bashkëregjisori i shfaqjes, Çapaliku, ka thënë për “KultPlus” se shfaqja për herë të parë është dhënë me 21 shtator në Tiranë, siç ka thënë ai, në një hapësirë alternative që quhet “Tirana Express”.

“Këtë vend ne e patëm zgjedhur qëllimisht, pra që ta japim sa më fuqishëm mesazhin e shfaqjes, të ndërtojmë një trafik tjetër të spektatorit dhe teatrit dhe besojë që ia kemi dalë. Kritika në Shqipëri e ka pritur mjaftë mirë shfaqjen, në të gjitha komponentët e veta”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se teksti ka nisur si një monodramë, ndërsa ka theksuar se dy aktorët tjerë në skenë kanë, siç ka thënë ai, role metaforike të Mefistos dhe Margaritës.

“Siç mund të vërehet nga titulli, Fausti, kjo figurë shumë e njohur në letërsinë botërore, veçanërisht e njohur nëpërmjet veprës së Gëtes vjen dhe rikontekstualizohet në një mjedis shqiptar edhe si gjeografi, por edhe si histori. Pra vjen dhe aktualizohet. “Fausti prej Tirane” është personazhi, jam unë, është Fredi (Alfred Trebicka), janë të gjithë shqiptarët të cilët e përjetuan periudhën e tranzicionit me të gjitha dimensionet e veta. Sigurisht dolën të zhgënjyer prej të gjithë kësaj historie që nuk ka të sosur, dhe në një moment reflektimi, siç është viti 2013, ku ne e kemi prodhuar shfaqjen, pra pas njëzetedy viteve tranzicioni, ne i kemi dhënë vetës të drejtën për të artikuluar disa të vërteta të mëdha në skenë me shpresën se edhe spektatori do vetëidentifikohet me këto të vërteta”, ka thënë ai.

Ndërkaq, personazhi kryesor i shfaqjes, Trebicka, ka thënë se është i privilegjuar që ta luaj rolin e “Faustit prej Tirane”, sepse, në këtë formë përcjellë, siç ka thënë ai, shqetësimin, trysninë shpirtërore psikike e sociale të intelektualit shqiptar.

“Fakti që qoftë unë qoftë Stefani (Çapliku) i takojmë atij brezi që e pritëm këtë ndryshim në vitet e 90-ta me shumë entuziazëm, qoftë edhe për shkak të moshës në të cilën ne ishim në atë kohë, ishim 24-25 vjeçar dhe mosha, energjia, ëndrrat, besimi ishin shumë të mëdha, dhe sigurisht që pjesa më e madhe u hodh me shumë dashuri, me shumë dëshirë në një oqean të madh. Dhe tashti, pas 22 vjetëve ne e kemi jetuar gjithë këtë periudhë dhe fatkeqësisht shohim që jo vetëm që nuk ka ndryshim, por situata është edhe më keq”, është shprehur ai, duke shtuar se gjatë shfaqjes ndjenë se ndodhet në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

Ndërkaq, aktori Besmir Haliti, i cili në shfaqje shfaqet me maskën e një saldatori, thotë se ne këtë formë ai paraqitet si bashkudhëtari i Faustit në periudhën e tranzicionit.

“Shpesh shfaqet si gjykues, e pastaj si bashkëvuajtës dhe pastaj si vuajtës i gjithë kësaj çfarë i ndodhë Faustit apo vetë atij gjatë këtij udhëtimi”, thotë ai

Aktorja tjetër mbështetëse, Julinda Emini, që luan rolin e të dashurës së Faustit, Margaritës, thotë se roli i saj në karrocë invalidi jap mesazh se si ajo është viktimë e situatës nëpër të cilën ka kaluar shteti shqiptar.

Dramaturgu kosovar, Arian Krasniqi, i cili, sikurse edhe shumë artistë e pjesëtar të komunitetit të artit, të mërkurën e ka parë për herë të parë shfaqjen, thotë se qoftë në realizim skenik, apo për nga aktrimi, shfaqja e “Fausti prej Tirane” është dhënë për mrekulli.

“Duke qenë monodramë me personazhin kryesor, do të thotë, Faustin, ky tekst dramatik trajton temën, mund të themi kushtimisht të shkallës së degradimit intelektual nëpër periudha të caktuara historike, kryesisht zhvillimeve të viteve të fundit, rënies së komunizmit e deri te një gjendje e rënduar psikologjike, ekonomike, dhe politike, ku intelektualët i qon deri te akti i vetëvrasjes, ashtu siç prezantohen edhe ngjarjet e vërteta të vetëvrasjeve që kanë ndodhur këto dhjetë vitet e fundit në Shqipëri”, ka thënë ai për “KultPlus”.

Sipas tij, shfaqja jap mesazh të qartë se edhe transformimi shoqëror, edhe tranzicioni, i ka pasojat e veta.

“Në rast se ardhja e demokracisë dhe tranzicioni i shoqërisë prej një diktature në demokraci konsiderohet si një lloj revolucioni, atëherë këtu vlen ajo thënia e famshme se në çdo revolucion i han të bijtë e vet, ose heroit e vet. Edhe heroi i demokracisë devalvohet deri në një pikë të caktuar”, thotë ai.

Për shfaqjen që të mërkurën është shfaqur në Teatrin Dodona, ka folur edhe vetë drejtori i këtij institucioni, Agron Shala, i cili ka thënë se shfaqja në fjalë pasqyron realitetin jo vetëm në Shqipëri. Kjo shfaqje do të jepet edhe në një nga teatrot më prestigjiozë evropianë, në Volkstheater, në kuadër të Festivalit “The Best from the East”, në Vjenë.

Më Shumë

Mot i vranët dhe me shi, temperaturat bien deri në 12 gradë

Gjatë kësaj të premte parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe reshje shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin...

Dënohen me 900 euro gjobë tre të akuzuarit që rrahën gjyqtarin gjatë ndeshjes së futbollit në Prizren

Tre të akuzuarit J.V., N.K. dhe G.H., janë dënuar secili me nga 300 euro gjobë, pasi kanë pranuar se në nëntor të 2019-ës, në...

Lajmet e Fundit