21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Të merret hak nga libri

Ditar

Shkruan:Ditar Kabashi

Libri është si një njeri. Ai është më i mahnitshmi nga të gjitha sendet, sikur që njeriu është më i përkryeri nga të gjitha krijesat. Mund t’i ketë anët e mira apo jo të mira. Të nderosh një libër është të nderosh një botë. Të dëmtosh fizikisht një libër, është të tregosh fuqinë ‘prej një mashkulli’ dhe pafuqinë prej një kritiku intelektual.

Përgjatë historisë njerëzimi e ka trajtuar librin në forma të ndryshme. Sa ka pasur kontribut në botimin e këtij burimi të dijes, po aq edhe rrekje në luftimin e tij. Lakuriqët nuk shohin në dritë.

Në të kaluarën hasim djegien e bibliotekave. Kur sundimtari mongol Hulagu (shek. XIII), pushtoi Bagdadin, ndër punët e para që bëri, ishte hedhja e librave të Bibliotekës së Bagdadit në lumin Tigër, ku për ditë të tëra thuhet se lumi kishte marrë ngjyrën e bojës së shkrimit. Në atë bibliotekë gjendeshin dorëshkrime të rralla historike, kulturore, fetare, filozofike, etj. Pra, kjo nënkuptonte goditjen ndaj një civilizimi të tërë.

Po ashtu djegia e Bibliotekës së Aleksandrisë (shek. IV), e cila ishte qendër botërore e literaturës së shkencave ekzakte dëmtoi rëndë fondamentin shkencor të botës akademike që nga ajo kohë. Ende mbahet mend si tragjedi e historisë.

Historia shënon edhe rastet e censurës në literaturë apo edhe të anatemës së personaliteteve. Kryesisht këtë e bënë klasat që zotëronin me pushtet, qoftë ai (pushteti) të ketë qenë fetar apo shtetëror. Aparati i dhunës e tregoi fytyrën e vet mizore, në petkun teokratik-kanonik në kohën e Galileut, apo edhe në djegien për së gjalli në turmën e druve të Zhana D’Ark.

Kësisoj veproi edhe pushteti laik shumë më vonë, sikur në kohën e Enverit, kur vargje të tëra të Naimit, Migjenit e shumë të tjerëve reduktoheshin, ndryshoheshin apo ndaloheshin. Duke filluar nga tekstet e shenjta e deri tek Lahuta e Fishtës gjithçka konsiderohej si mundësi e agjitacionit e propagandës kundër proletariatit.

Krejt këto janë bërë e vazhdojnë të jenë aktuale nga njerëz që nuk kanë tolerancë e respekt për veprën e dikujt tjetër; zëri ndryshe duhet shukatur, mendimi tjetër është heretik dhe liria duhet të kufizohet jo në baza drejtësie, por në aspekt ideologjik. Kjo shpërfaq rrugën më të lehtë dhe zgjidhjen më oportune për ruajtjen e status quo-së politike, ideore dhe programore.

Dhuna është mjeti i fundit i çdo gjëje. Të ushtrosh atë ndaj një libri, nuk e dëmton as autorin e as që e bën më pak të vlefshëm atë libër. Aq më tepër, nëse një libër qëmton tema të nxehta siç është historia e afërt e Kosovës, atë duhet kritikuar (për të mirë ose për të keq) me forcën e argumentit e jo të zjarrit të shkrepëses.

Nuk di sa do të zgjasë tek shoqëria e jonë mendësia e mos durimit të qasjes së kundërt, të antitezës ideore ndryshe nga klishetë e bastardizuara. Dje Blendi Fevziu e Oliver Shcmitt-i, sot Veton Surroi, nesër…Mbase jemi mësuar të dëgjojmë vetëm atë që na konvenon.

Uroj që si popull t’i këpusim prangat e dogmatizmit ideologjik e të përgjigjemi ndaj njëri-tjetrit me dritën e fakteve duke ngritur nivelin e diskursit nga ky moçal në të cilin fatkeqësisht ka rënë.

Më Shumë

Trepça bindëse ndaj Bashkimit

Klubi basketbollistik Trepça ka shijuar fitoren e 20-të radhazi, duke mposhtur këtë herë Bashkimin me rezultat 92:78 (37:23, 9:25, 23:13, 23:17). Mitrovicasit janë duke vazhduar...

Gjini: Vendimi është fushatë qëllimkeqe

Doktori Sebajdin Gjini, i cili para do ditësh u shkarkua nga shefi i Repartit të Obstetrikës ka reaguar, duke e konsideruar vendimin e spitalit...

Dhimbja

Lajmet e Fundit