Pavarësisht fushatave të shumta të autoriteteve në Prishtinë, për të parandaluar migrimin e qytetarëve të Kosovës, shumë të rinj kanë shprehur dëshirën e tyre se do të iknin nga Kosova për të shkuar në ndonjë nga vendet perëndimore.
Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata flasin edhe për arsyet se pse do të migronin. Por, ka edhe të rinj, të cilët perspektivën e tyre shohin në Kosovë dhe jo diku tjetër.
Emir Haxhibeqiri ka përfunduar tre vjet të studimeve në Fakultetin Juridik. Ndonëse me shumë vështirësi financiare, ia kishte dalë të përfundonte këto vjet studimesh.
Emiri kishte një dëshirë – që pas studimeve të gjente një punë dhe me ato të ardhura të ndihmonte familjen, e cila ishte përkujdesur për edukimin e tij. Por, ajo nuk ndodhi. Ai nuk arriti të gjente punë dhe arsyeja se pse ai dëshiron të migrojë, është pikërisht punësimi.
“Kudo vetëm jashtë Kosovës kisha shkuar. Këtu nuk ka perspektivë. Përfundon fakultetin dhe nuk arrin të gjesh punë. Është bërë njëjtë si për ata që përfundojnë shkollim superior si për ata që nuk kanë fakultet, të gjithë janë pa punë”, thotë Emiri.
Së fundi, është rritur ndjeshëm numri i kosovarëve që migrojnë drejt vendeve të perëndimit për të kërkuar azil.
Javë më parë vetëm në Hungari janë evidentuar rreth 4 mijë kosovarë, të cilët kishin mësyrë vendet perëndimore për të kërkuar azil, por që ishin ndaluar nga autoritetet hungareze.
Lum Plakiqi ka përfunduar shkollën e mesme dhe sivjet do të fillojë studimet në Universitetin e Prishtinës. Lumin e takuam në një lokal të kryeqytetit, derisa po pinte kafen e tij të mëngjesit.
Ai thotë se nuk e dëshiron aspak jetën larg familjes, por nëse do t’i jepej rasti të jetonte diku jashtë Kosovës, do të linte gjitha dhe do të shkonte. I pakënaqur me kushtet ekonomike dhe financiare, në të cilat jeton, mungesa e perspektivës, siç thotë ai, janë vetëm disa nga arsyet pse dëshiron të migrojë.
“Çdo kund e ke më mirë, në shtetet e zhvilluara të ofrojnë kushte më të mira të jetës standarde jetësor më të mirë, punësim dhe gjithçka që nuk ta ofron vendi ynë”, thotë Lumi.
Ndryshe nga Lumi shprehet mikja e tij Laureta, e cila mendon se nuk duhet migruar. Përveç që migrimi, thotë ajo, është i rrezikshëm, pasi që ka të bëjë me migrim ilegal, ajo konsideron se duhet ndërtuar një jetë në vendin tënd.
“Ne duhet të rrimë këtu, në vendin tonë. Nuk duhet të dalim të gjithë jashtë Kosovës. Duhet studiuar këtu dhe punuar këtu, edhe pse nuk janë kushtet e mira”, konsideron Laureta.
Deklaratat e zyrtarëve qeveritarë për të mos migruar, disa të rinj nuk i marrin në konsideratë, por sugjerojnë që ky fenomen të parandalohet duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë, të krijohen vende të reja të punës dhe studim më cilësor.
“Në Kosovë nuk ka jetë të mirë, nuk të ofrojnë asgjë, nuk ka jetë të mirë për të rinj. Kosova nuk ta ofron punën shkollimin, gjithçka shkon keq këtu, dhe në momentin që na jepet, rasti do të kishim ikur nga Kosova”, shprehet Genta.
Ka të rinj kosovarë, të cilët do të migronin edhe në mënyrë ilegale për të shkuar në ndonjë shtet perëndimor vetëm për të bërë studime, siç i quajnë ata, cilësore.
Merita Bekteshi është njëra nga ato që sistemin e shkollimit në Kosovë e quan të dobët dhe larg standardeve evropiane.
“Do të migroja në Londër për të studiuar mjekësinë. Ajo çfarë të ofron Londra, nuk ta ofron Kosova, në asnjë mënyrë. Po të më jepet mundësia sot do ta lija Kosovën”, shprehet ajo.
Sidoqoftë, për Njomza Preniqin, studente e Mjekësisë, Kosova është një vend që të ofron perspektivë që asnjë shtet tjetër nuk do t’iu ofronte kosovarëve.
“Nuk kam dëshirë të dal jashtë vendit për të jetuar. Këtu më duket se ka më shumë prospektivë se sa jashtë vendit”, thotë njomza.
Ngjashëm mendon edhe Gresa Kastrati:
“Më pëlqen Kosova dhe nuk kam dëshirë të shkoj diku tjetër, dua të krijoj jetën time në vend tim”.
Edhe pse e di se shtete perëndimore ofrojnë më shumë për studentët, Fitorja thotë se ato të mira ato shtete i ofrojnë për studentet e tyre dhe jo për kosovarët.
“As unë nuk isha dalë jashtë, kisha qëndruar më mirë këtu, ndoshta për shkollim është më mirë, por prapë nuk do ta ndërroja Kosovën me as një vend tjetër”, shpreh mendimin e saj Fitorja.
Hulumtimet e bëra kohë më parë nga organizata joqeveritare në Kosovë vlerësojnë të jetë e kuptueshme që në një papunësi mbi 40 për qind, ekziston një potencial i lartë për migrim.
Rreth 49.8 për qind, ose gjysma e grupmoshës 20 deri 35 vjeçe, sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se kanë tendencë për migrim.
Zyrtarë qeveritarë vazhdimisht kanë theksuar se do të krijojnë infrastrukturë të nevojshme për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që këta të fundit të mos migrojnë në vende të ndryshme perëndimore, për të kërkuar jetë më të mirë.
Ata kanë premtuar se do të krijojnë kushte më të mira për të gjithë dhe fenomeni i migrimit t’i takojë së kaluarës.