21.4 C
Prizren
E martë, 22 Prill, 2025

Të sajosh armiq

Imer MushkolajImer Mushkolaj

Isa Mustafa duhet të fokusohet në realizimin e premtimeve dhe zhvillimin ekonomik, e jo në sajimin e “armiqve” që nuk ia dashkan të mirën. Armiq të vërtetë të tij dhe të qeverisjes së tij janë korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia e varfëria, e jo ata që kritikojnë për një qeverisje më të mirë.
Para dy ditësh, kryeministri Isa Mustafa u orvat dëshpërimisht të arsyetojë kabinetin e stërngarkuar qeveritar, duke marrë mundin të bëjë kalkulime matematikore e krahasime me qeveri të tjera, madje edhe me ato të Kinës e Indisë. Ai po përpiqej t’iu jepte përgjigje të gjithë atyre që me të drejtë konstatojnë se Kosova nuk e ka luksin të ketë një qeveri kaq të madhe, me zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra e këshilltarë që paguhen majmë nga buxheti i varfër i vendit. Sipas kryeministrit, ata janë disa analistë “të pavarur” dhe “specialistë të vjeljes së pagave nga organizatat e jashtme”.

Gjuha e përdorur nga kryeministri është e ngjashme me atë të presidentit rus, me mbiemrin e të cilit Mustafën shpesh e identifikojnë militantët e partisë rivale, me të cilën tash është në koalicion, por edhe të pakënaqur brenda partisë së tij.

Të provosh që t’i bindësh qytetarët se qeveria e drejtuar nga ai nuk qenka e madhe, por tamam, është si të luftosh me erën. Ndërkaq, të provosh të sajosh armiq të paqenë, vetëm për të arsyetuar diçka që nuk mund të arsyetohet, nuk është fort punë e mençur.

Se një shtet i vogël dhe i varfër si Kosova nuk ka nevojë për një qeveri të tillë duket se e kanë të qartë të gjithë përveç kryeministrit. Se qeveria e tillë është strehë për rehatimin e zyrtarëve dhe militantëve partiakë, e jo nevojë për qeverisje më të mirë, po ashtu e dinë të gjithë. E di edhe kryeministri, por përpiqet t’i hedh hi syve opinionit duke provuar që fajin ta hedh tjetërkund dhe duke akuzuar ata që ngrenë zërin dhe kritikojnë.

* * *

Kosovarët kanë pritur se kryeministri i ri do të fillojë të qeverisë ndryshe që me krijimin e kabinetit qeveritar. Gjatë fushatës parazgjedhore, LDK premtonte pikërisht qeveri dhe qeverisje ndryshe. Avdullah Hoti, i cili tash është ministër i Financave, thoshte atëbotë se qeveria ka nevojë urgjente për riorganizim, sepse ekzistojnë nga tri ministri për secilën fushë. Atëherë qeveria e Hashim Thaçit përbëhej nga 19 ministri. Dhe, me ardhjen e Mustafës në postin e të parit të ekzekutivit vërtet ndodhi riorganizimi – nga 19 u bënë 21 ministri! Dhe tash, paramendojeni, kryeministri përpiqet të arsyetohet. Thua se njerëzit janë të marrë dhe nuk dinë të bëjnë krahasime dhe të shohin se sa ministri i kanë qeveritë në Europë e më gjerë. Thua se nuk e dinë që numri i ministrive është shtuar ekskluzivisht si rezultat i pazareve politike LDK-PDK-Lista Serbe.

Kryeministrit Mustafa nuk i kanë faj as analistët e “pavarur”, as “specialistët e vjeljes së pagave nga organizatat e jashtme” pse nuk e ka mbajtur premtimin për zvogëlimin e numrit të ministrive. Atij askush nuk i ka faj pse qeverisjen e vendit e ka nisur keq. E ka nisur ters.

* * *

Në ditën kur Isa Mustafa po merrej në Facebook me “armiqtë” që nuk ia duan të mirën, nga Hungaria vinte lajmi se një qytetar i Kosovës kishte vdekur nga të ftohtit, duke kaluar kufirin serbo-hungarez në kërkim të një jetë më të mirë. Në kërkim të një mirëqenie që Hashim Thaçi nuk e ofroi dot, e pak ka shpresë se do t’ia dalë edhe pasardhësi i tij.

Fillim më të keq të qeverisjes, Mustafa nuk ka mundur të paramendojë. Kontrata kolektive nuk ka filluar zë zbatuari, sindikatat po përgatiten për greva, ndërkaq pagat nuk mund të rriten sipas premtimeve të dhëna nga Thaçi. Ndërkohë, qindra vetë braktisin çdo ditë vendin, e qindra-mijëra vende të premtuara të punës nuk shihen në horizont.

Në këtë situatë, Isa Mustafa nuk do të duhej të ishte fokusuar në sajimin e “armiqve” që nuk ia dashkan të mirën, por në realizimin e premtimeve dhe zhvillimin ekonomik. Armiq të vërtetë të tij dhe të qeverisjes së tij janë korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia, varfëria e moszhvillimi ekonomik, e jo ata që ngrenë zërin me qëllim që të kontribuojnë për një qeverisje më të mirë.

Isa Mustafa nuk e ka luksin të merret me secilin që e kritikon, sepse ka shumë punë para vetes. Por, nëse vazhdon të provojë që me retorikë boshe të mbulojë paaftësinë e tij, atëherë e ka të garantuar se luftën do ta humbë. Ashtu siç e humbi betejën e parë për të qeverisur ndryshe nga Hashim Thaçi, duke krijuar një kabinet qeveritar solid. Ashtu siç do të vazhdojë të humbë të tjera beteja, sepse qeverisë bashkë me Thaçin, duke mos e mbajtur fjalën e duke harruar premtimet. Qeverinë nuk ia sollëm ne, por e krijoi vetë. /Gazeta Express/

Më Shumë

Prizreni mbyll seminarin dyditor: Lumbardhi 101 – Si të jetojmë në botën e lumit

Me një forum reflektues dhe diskutime të hapura për të ardhmen e lumit Lumbardh, përfundoi të shtunën seminari dyditor Lumbardhi 101 në Kino Lumbardhi,...

Samra Kërqagu zgjidhet kryesuese e Komitetit Konsultativ për Persona me Aftësi të Kufizuara në Rahovec

Komiteti për Persona me Aftësi të Kufizuara ka mbajtur mbledhjen e dytë për vitin 2025, në prani të anëtarëve të tij dhe nën udhëheqjen e...

Lajmet e Fundit